Ditën e djeshme, partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit dorëzuan në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve listat me kandidatët.
Në momentin e parë të përballjes me listat zyrtare të gjithë shfaqën habinë se si personazhe politike kryesore ishin rënditur në vende të quajtura jo të sigurta.
Por ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të kryera në kuadër të reformës zgjedhore, u japin shanse për të fituar mandatin e deputetit edhe atyre që janë vendosur në pjesën “e pasigurtë” të listave.
Nëse këta kandidatë ia dalin mbanë të marrin si individë 10 mijë +1 vota apo kur votat e marra prej tyre janë më të shumta se ato të kandidatëvë në “zonën e sigurtë”, në krye të listave, kanë shpresa të jenë në parlamentin e ri.
LISTA E KANDIDATËVE DHE PRAGU ELEKTORAL
Në Kod Zgjedhur është përcaktuar se pragu kombëtar është 1 %. Gjithashtu do të ketë rirënditje të pjesës së parë të listës së kandidatëve bazuar tek vota preferenciale.
Kryetari i partisë ka të drejtë të garojë deri në 4 zona zgjedhore njëkohësisht, ndërsa për të kaluar pragun e listës, kandidatët kanë një prag tavan 10 mijë vota si dhe heqja e koalicioneve të përbëra dhe kandidimi me listë unike.
RENDITJA NË LISTË
Lista hartohet nga kryetari i partitë. Kandidati mund ta prishë këtë renditje të bërë nga partia, vetëm nëse merr me shume votat parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.
Ky ”prag”, me ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor, u ul në një maksimum prej 10 mijë votash.
SI NDAHEN MANDATET
Shpërndarja e mandatit fillon sipas renditjes së kandidatëve nga i pari tek i fundit, në bazë të listës që ka bërë kryetari i partisë.
Renditja e kandidatëve ndryshon vetëm nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara, por jo më shumë se 10 mijë vota.
Për shembull: Nëse në Korçë herësi për një deputet të PS është 10 mijë vota dhe PS ka marrë 5 deputetë, kandidati poshtë listës fituese duhet të marrë te pakten 10 mijë +1 vota për tu bërë deputet dhe të ketë më shumë vota se kandidatët e listës fituese.
Herësi ose mesatarja e numrit të votave, që duhet për të zgjedhur një deputet në rastin e draftit të PS prej 10 mijë votash do të vlejë vetëm për ato qarqe që mandati i deputetit i kalon 10 mijë votat.
Për shembull: Në qarkun e Shkodrës, që ka gjithësej 11 mandate, nëse Partia Socialiste ka marrë 50 000 vota dhe ka fituar përmes tyre 5 mandate, llogaritet se një mandat deputeti korrespondon me 10 mijë vota.
Deri në këto momente fitues llogariten 5 kandidatët që kryetari i partisë ka renditur të parët.
Renditja mund të prishet vetëm nëse poshtë vijës së kuqe ka kandidatë që janë votuar më shumë se sa ata që janë sipër vijës. Po kjo nuk mjafton.
Përveçse më të votuar, emrat poshtë vijës që të kalojnë në listën fituese duhet të kenë kaluar dhe pragun e votave mesatare. (Në rastin e shembullit tonë duhet të kenë marrë të paktën 10 mijë + 1 vota).
Në këtë rast, kandidati kalon në listën fituese duke spostuar emrin e fundit të renditur nga partia në pjesën fituese (gjithnjë nëse është më i votuar se sa ai). Pra sipas këtij shembulli, digjet i rendituri i 5-ti. Tjetri sposton të 4-tin, e me radhë.
Pra emrat e votuar më shumë se mesatarja që janë poshtë vijës së kuqe, “vrasin” me radhë nga fundi të preferuarit e kryetarit. Kjo bën që të renditurit në fillim ta kenë thuajse të garantuar fitoren.
KOALICIONET
Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, partitë politike që duan të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, koalicionin mund ta bëjnë vetëm me listë unike dhe në një sigël të vetëm.
IDENTIFIKIMI BIOMETRIK
Identifikimi elektronik ka qenë një prej kërkesave kryesore të opozitës jashtëparlamentare, si kusht për të qenë pjesë e reformë zgjedhore.
Duhet qartësuar se nuk bëhet fjalë për identifikim biometrik, por vetëm për verifikim të identitetit të votuesve duke vendosur në çdo qendër votimi një aparaturë që lexon çipin elektronik të kartës së identitetit ose pasaportës.
Aparatura do të shfaqë në ekran fotografinë dhe të dhënat kartës, të cilat do të krahasohen me sy nga komisioni i qendrës së votimit me të dhënat në listën e votuesve.
Nëse identiteti verifikohet, votuesit do t’i merren shenjat e gishtave, dhe do t’i jepet fleta e votimit.
Aparaturat do të jenë të palidhura në sistem, që do të thotë se ato nuk mund të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe as me ndonjë databazë qendrore. Po ashtu sistemi do të jetë offline dhe nuk do të ketë lidhje me asnjë rrjet elektrik.
Dobia e këtij sistemi është vetëm për të ndaluar votimin në emër të tjetrit, me kartë të rremë apo për të zbuluar pas zgjedhjeve nëse ka pasur votime më shumë se një herë nga i njëjti person.
Ndarja e re e mandateve për 12 zonat zgjedhore, sipas qarqeve:
1.Zona zgjedhore qarku Berat 7 mandate
2. Zona zgjedhore qarku Dibër 5 mandate
3. Zona zgjedhore qarku Durrës 14 mandate
4. Zona zgjedhore qarku Elbasan 14 mandate
5. Zona zgjedhore qarku Fier 16 mandate
6. Zona zgjedhore qarku Gjirokastër 4 mandate
7. Zona zgjedhore qarku Korçë 11 mandate
8. Zona zgjedhore qarku Kukës 3 mandate
9. Zona zgjedhore qarku Lezhë 7 mandate
10. Zona zgjedhore qarku Shkodër 11 mandate
11. Zona zgjedhore qarku Tiranë 36 mandate
12. Zona zgjedhore qarku Vlorë 12 mandate. /oranews/