Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në familjen Leci në Lundër, për të dëgjuar nga afër shqetësimet, por edhe për të ndarë me ta planin e PD.
“Ne i kemi dhënë vëmendje të veçantë familjes në planin tonë që kemi shpalosur, në programin tonë qeverisës, duke e shoqëruar familjen nga momenti i parë i krijimit deri në momentin kur fëmijët dalin në punë. Ne e kemi vendosur në program që nga momenti që lind deri në 5 vjeç, çdo fëmije muaj për muaj nga 30 mijë lekë të vjetra. Nga momenti që lind fëmija derisa të bëhet 5 vjeç, muaj për muaj nga 30 mijë lekë të vjetra. Futet në shkollë do fillojmë një program, do ta fillojmë me zonat rurale, pastaj do ta shtrijmë në qytet”, – tha Basha.
Ai i tregoi familjes Leci dhe nërpërmjet tyre gjithë familjeve shqiptare edhe angazhimin për të krijuar kushte për fëmijët që të qëndrojnë në shkollë edhe pas mësimit, duke iu garantuar vend për të bërë detyrat, por edhe një vakt të paguar nga shteti.
“Në zonat rurale do fillojë një program. Mbaroi shkolla në orën 12.00 apo në orën 13.00, do rrijë e hapur shkolla deri në orën 16.00 apo deri në orën 17.00, që fëmija të bëjë detyrat aty, të mësojë kompjuterin, të mësojë ndonjë gjuhë të huaj, të mos rrijë rrugëve dhe do t’i sigurojmë edhe një vakt për të ngrënë. Mund të jenë familje me të ardhura të mira që mund ta sigurojnë vetë, po ka shumë familje që nuk e sigurojnë dot”, – garantoi kreu demokrat.
Basha shpalosi edhe angazhimin për tekste falas për gjithë ciklin 9-vjeçar.
“Deri në klasë të 9-të do të ketë këtë përkrahje. Tekste falas, deri në klasë të 9-të tekstet do të jenë falas, por tekste të reja. Ne e kemi propozuar këtë në vitin 2017-të. Këta nga viti 2018-të e bënë por e bënë me një marifet, që jo po duhet të jetë, nuk duhet ta zhgarravisësh, duhet ta kthesh prapë. Jo, jo! Shqipëria i ka mundësitë për t’i blerë tekste falas çdo fëmije. Do kenë tekstet falas dhe do kenë këtë regjimin pas shkolle, ku do kenë mundësi, do t’i pajisim edhe me teknologji, se jo vetëm pandemia që i detyrojë që i detyrojë tani të punojnë me lap-topa, me tablet e me celularë, po kush ka, a keni ju? Me çfarë e bëni mësimin juve, online apo në shkollë?”
Qytetari: Dhe online dhe në shkollë.
Lulzim Basha: Po online me çfarë e bën, me celular?
Qytetari: Po!
Lulzim Basha: S’ke tablet?
Qytetari: Jo!
Kreu i opozitës konfirmoi edhe angazhimin e qeverisë së ardhshme për të mbështetur studentët që vijnë nga familje me të ardhura minimale.
“Në universitet pastaj të gjithë familjeve që kanë të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, që janë 90% e studentëve, shteti do jua paguaj 100% tarifën e studimeve, s’kanë për të paguar tarifë, pse, sepse problemi kryesor për të shkuar për të studiuar është tarifa.”
Kryefamiljari Ramazan Leci thotë se s’ka asnjë të ardhur se shteti nuk u është gjendur asnjëherë më ndihmë, edhe pse ai thotë se ka kursyer bukën e fëmijëve për të paguar taksat dhe energjinë.
Qytetari: Asnjë rrogë domethënë, me bidonët e qumështit, jena t’u u lodh.
Lulzim Basha: Asnjë ndihmë asnjë subvencion, asgjë?!
Qytetarja: Jo, jo.
Qytetari: Për shembull na ka… po ka 8 vjet na ka vu këmbët në fyt. Nuk i kam lënë këtij shteti për shembull lekë ja kam paguar që në 91-shin, lekë dritash që nuk i kam lënë ndonjëherë pa paguar, kam kursyer ato lekët e mia po shtetit nuk i jam detyrim me një fjalë. Po të paktën një përkrahje të vogël mos ma kishte dhënë
Lulzim Basha: Ti shtetit nuk i ke lënë asnjë detyrim pa ia shlyer, shteti është borxhli te ty, se shteti ka për detyrë t’i ndihmojë njerëzit. Detyra kryesore e qeverisë, arsyeja pse ka qeveri është që të ndihmojë njerëzit, çfarë arsye tjetër ka që të ketë qeveri. Të gjithë njerëzit, të gjithë njerëzit, të garantojë rend e siguri, të garantojë ligjin, të garantojë që asnjë të mos ngelet pa përkrahje dhe ky është roli i shtetit. Tani do vijmë në një pikë tani që këto 8 vjet po marrin fund. E rëndësishme është që me 25 Prill njerëzit ta kuptojnë dhe e kanë kuptuar shumë mirë se marr mesazhe pa fund, që me 25 Prill nuk bëhet fjalë për fitoren e një njeriu apo të një partie apo të një koalicioni, bëhet fjalë për fitoren e çdo shqiptari. Edhe ne prandaj jemi munduar. Kemi më shumë se një vit e gjysmë që punojmë me programin tone, që me atë program të marrim angazhime që ndihmojnë çdo shqiptar. Gjëja më e kollajtë por dhe më e poshtër e politikës, është të vijë me premtime boshe. 300 mijë vende pune, shëndetësi falas dhe pastaj e pamë se ku përfunduam. Prandaj dua t’ju them sot, unë nuk bëj premtime, asnjë premtim s’keni për të dëgjuar nga fjala ime. Angazhime përmes një plani të cilin e kemi punuar me ekspertët më të mirë. Nuk janë mrekulli, se mrekulli nuk bëjmë dot, por normalizim të situatës do sjellim, prandaj po ju them. Duke filluar me ndihmën për 5000 çifte të reja në vit, do përfitojnë nga qeveria që do t’ju paguhet 100% interesi i kredisë në qoftë se duan të blejnë një banesë. Sepse ka shumë çifte që nuk blejnë dot një banesë.
Ne do t’i paguajmë 100% interesin e kredisë sepse familja është themeli i shoqërisë. Ndihmojmë familjen, kemi ndihmuar të gjithë. Ndërsa për fëmijët në veçanti dhe për arsimin pastaj programi do të fokusohet që asnjë fëmijë të mos ngelet mbrapa. Asnjë vajzë, asnjë djalë shqiptari të mos ngelet pas shkuar në shkollë për shkak të pamundësive ekonomike të familjes. Qoftë arsimi parauniversitar, qoftë universitar. Këto janë disa prej çështjeve qe kemi trajtuar. Sigurisht këto janë angazhime për të cilat shteti do të paguajë. Çfarë do të paguajë? Ato detyrimet që i paguan ti, ato taksat që i paguan çdo shqiptar, atë faturën e dritave, faturën e karburantit. Çdo gjë që blini, çdo gjë që shisni, gjithë këto taksa do të shkojnë tek shqiptarët, nuk do shkojnë më te një grusht njerëzish. Parimi themelor se kjo punë me parime funksionon është që qeveria do të mendojë për njerëzit, po mendoi qeveria për njerëzit, se këtu e nisëm muhabetin, po mendoi qeveritari për njerëzit, çdokush do përfitojë, do përfitojnë të gjithë shqiptarët do fitojnë të gjithë shqiptarët, do fitojë e gjithë Shqipëria. Prandaj ju thashë që me 25 prill fiton Shqipëria.