Simptomat si kollitje, lodhje, dhimbje fyti dhe dhimbje muskujsh do të jenë më të shpeshta tek njerëzit që rezultojnë pozitivë me variantin e ri të koronavirusit, thotë një studim i Zyrës së Statistikave Kombëtare (ONS) të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjetjet janë të bazuara në një kampion prej 6,000 personash. Ndërsa humbja e shijes dhe aromave nuk është një simptomë e shpeshtë tek njerëzit që preken nga forma e re e virusit. Sidoqoftë, është ende një nga tre simptomat kryesore të virusit.
Simptomat kryesore mbeten temperatura e lartë, kolla e vazhdueshme dhe një humbje ose ndryshim në nuhatje ose shije. Shumica e njerëzve të infektuar me virus zhvillojnë të paktën një nga këto simptoma.
Varianti i ri, i cili u has për herë të parë në Kent në shtator, përhapet më lehtë sesa forma e mëparshme e virusit dhe tani është përhapur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar një rritje të rasteve të cilat nxitën vendosjen e masave të reja.
Ka prova që varianti i ri mund të jetë më vdekjeprurës sesa variantet e tjera, megjithëse nuk ka të dhëna të mjaftueshme që kjo të thuhet me siguri. Dy variante të tjera gjithashtu, një nga Afrika e Jugut dhe një tjetër nga Brazili po përhapen, edhe pse në nivele më të ulëta.
Sa shqetësuese janë variantet e reja të koronavirusit?
ONS krahasoi simptomat e raportuara nga njerëzit një javë para se të dilnin pozitivë me variantin e ri të koronavirusit, me ata që ishin pozitivë me variantin e vjetër. Ata bënë vëzhgime për dy muaj,nga mesi i nëntorit deri në mesin e janarit.
Simptomat/ Çfarë ka ndryshe varianti i ri i koronavirusit!
Në një grup prej 3,500 personash me variantin e ri:
35% thanë se kishin kollë
32% kishin lodhje
25% kishin dhimbje muskulore
21.8% kishin dhimbje të fytit
Në një grup prej 2,500 personash me variantin e vjetër:
28% kishin një kollë
29% kishin lodhje
21% kishin dhimbje të muskujve
19% kishin dhimbje të fytit
Studimi zbuloi se 16% e atyre me variantin e ri përjetuan humbje të shijes ndërsa 15% humbën nuhatjen. Ky nivel ishte pak më i ulët sesa ai që raportohej nga njerëzit me variantin e vjetër (18% për të dy). Nuk u gjet asnjë ndryshim në përqindjet e njerëzve me dhimbje koke, diarre dhe të vjella në të dyja grupet. Prof Laërence Young, virolog dhe profesor i onkologjisë molekulare në Universitetin e Ëarëick, tha se varianti i ri i virusit kishte 23 ndryshime krahasuar me virusin origjinal nga Ëuhan.
“Disa nga këto ndryshime në pjesë të ndryshme të virusit mund të ndikojnë në reagimin imunitar të trupit dhe gjithashtu të ndikojnë në gamën e simptomave që lidhen me infeksionin,” tha ai. Njerëzit e infektuar me variantin e ri duket se prodhojnë më shumë sasi virusi dhe kjo mund të rezultojë në një infeksion më të përhapur brenda trupit pra më shumë kollë, dhimbje muskulore dhe lodhje”, shtoi Prof Young. Kjo analizë është pjesë e një studimi afatgjatë në popullatën e Britanisë, të kryer së bashku me Shëndetin Publik Angli, Universitetin e Oksfordit dhe Universitetin e Mançesterit.