Nuk ka asnjë dyshim që turizmi malor po njeh një periudhë të qëndrueshme zhvillimi gjatë tre viteve të fundit, kryesisht në Theth e Valbonë. Pjesa më e madhe e atyre që i vizitojnë këto vise janë të huajt, kryesisht gjermanë, austriakë, zviceranë epo edhe lindorë si çekë e polakë. Vizitorët e huaj janë të pasionuar pas aktiviteteve ‘outdoor’ ose ndryshe ‘jashtë shtëpie’ që kanë të bëjnë me ecjen, ngjitjen, por edhe me kulinarinë.
Kol Gjoni, një nga ata burrat tipikë të kësaj zone që dallohen për shtatin e lartë, vështrimin e mprehtë e mustaqet e gjata, ka një bujtinë që gjendet 20 kilometra larg qendrës së qytetit të Bajram Currit. Ai thotë se këtë vit ka pasur më pak turistë të huaj, rreth 15% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Nuk di të them ndonjë arsye të veçantë – thotë ai – për këtë rënie”, ndërsa shton se ndonjë faktor mund të jetë imazhi që po cenohet nga vendimet për të ndërtuar hidrocentrale, gjë që sipas tij do ta pengonin ndjeshëm turizmin.
Pjesa më e madhe e të huajve që vizitojnë bujtinën e tij janë nga Franca, Gjermania, Austria e Holanda. “Janë kryesisht moshë mesatare, që zgjedhin të qëndrojnë nga 1 deri në 3 net e që vlerësojnë natyrën, ushqimin, traditën e zakonet. Edhe çmimet i tërheqin të huajt, pasi tek ne, një natë kushton 20 euro për person me mëngjes të përfshirë”, thotë z. Gjoni. Sipas tij, në këtë zonë mbetet problem akomodimi pasi kërkesa është më e lartë se oferta. Janë rreth 12 shtëpi që pranojnë turistë, ndërsa numri i hoteleve është vetëm tre.
Ded Nika është gjithashtu një pritës turistësh në zonën e Thethit. Edhe ai pranon se këtë vit, numri i turistëve është ulur dhe shifra më e lartë është arritur në vitin 2013. Ai shton se në Theth janë rreth 40 shtëpi që ofrojnë akomodim për turistët. Shtëpia e tij, që nga prilli, ka pritur rreth 1,200 vizitorë që kryesisht kanë qenë me prenotim. Bujtina e tij, tipike e zonës gjendet në Nderlysë dhe ofron produkte që prodhohen nga vetë familja. Nika tregon se prej rreth 11 vjetësh ushtron këtë aktivitet dhe po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm.
Këtë vit, sipas tij, numri i turistëve të huaj ka qenë më i ulët në krahasim me një vit më parë dhe si arsye ai përmend edhe kushtet infrastrukturore të zonës. Thotë se bujtinën e tij e kanë vizituar turistë që nga Australia e largët. Akomodimi në bujtinën Nika kushton 20 euro me mëngjes të përfshirë. Turistët kërkojnë produktet më tipike të zonës dhe që janë bio. Rreth 70% e net-qëndrimeve janë me prenotim dhe ka prurje gjatë gjithë vitit, edhe kur bie dëborë.