Ndjesia e një vale djegëse që të përshkron kraharorin është gjithnjë e pakëndshme. Po flasim për urthin, që mesa duket ka tendencën të përkeqësohet gjatë përpjekjeve për të fjetur.
A e keni pyetur veten përse urthi ndizet në mbrëmje? Nëse jeni ulur ose jeni në këmbë, graviteti ndihmon në lëvizjen e ushqimit nëpërmjet ezofagut dhe në stomak ku do të tretet.
Por kur jeni shtrirë, graviteti nuk ju vjen në ndihmë dhe nuk përshpejton kalimin e ushqimit, lëngjeve apo acideve nëpërmjet ezofagut. Një ngecje e tillë i hap rrugë shfaqjes së urthit.
Përjetimet e urthit janë të ndryshme dhe variojnë në njerëz të ndryshëm. Shumica e njerëzve përballen me urthin dhe simptomat e tij gjatë ditës, ndërsa të tjerë gjatë natës, kur është edhe më e vështirë për ta mbajtur nën kontroll.
Çfarë e shkakton ndjesinë e djegies?
Kur ushqeheni, ushqimi kalon nga fyti në ezofag dhe direkt e në stomak. Hyrja e ushqimit nga ezofagu në stomak kontrollohet nga një muskul specifik në pjesën e poshtme të ezofagut.
Ky muskul zakonisht qëndron i mbyllur, përveç se në rastet kur ju përtypni ushqim.
Kur ky muskul nuk mbyllet pasi ushqimi ka kaluar në stomak, acidet e stomakut ngjiten lart në ezofag. Mjekët e përshkruajnë këtë lëvizje për së mbrapshti si refluks.
Të dhënat tregojnë se një në dhjetë të rritur vuan nga urthi të paktën një herë në javë dhe një në tre të rritur e përjetojnë atë një herë në muaj. Sipas shkencëtarëve 10 deri në 20 përqind e të rriturve vuajnë nga urthi kronik.
Pozicionet më të mira të gjumit kundër urthit
Mjekët rekomandojnë që të përdorni një jastëk të veçantë, që do ju lejojë të qëndroni shtrirë në anën e majtë me kokën të ngritur lehtas.
Shtrirja në anën e majtë lejon acidet të kalojnë nëpërmjet ezofagut të poshtëm drejt e në stomak, ndërsa koka në një pozicion të ngritur lejon gravitetin të kryejë punën e tij.
Një studim mbi një numër pacientësh që vuanin nga urthi i natës, pavarësisht medikamenteve të marra, tregoi se intensiteti i urthit të natës zbutej me 70 përqind pas përdorimit të jastëkut për mbështetje gjatë gjumit në anën e majtë.
Këshilla kundër urthit të natës
AgroWeb.org ju këshillon të ndërmerrni disa hapa për të pakësuar shfaqjen e urthit gjatë natës.
Humbni në peshë. Njerëzit që janë mbipeshë janë më të rrezikuar nga urthi.
Hiqni dorë nga duhani. Studimet shkencore kanë treguar se lënia e duhanit ju vjen në ndihmë kundër urthit.
Kafshata të vogla Hani kafshata të vogla të ushqimeve, konsumoni më pak yndyrna, veçanërisht pas mesditës.
Njerëzit që vuajnë nga urthi kronik duhet të konsumojnë një vakt me më pak se 500 kalori dhe 20 gramë yndyrna.
Pas ngrënies, prisni të paktën dy – tre orë përpara se të flini./AgroWeb.org