Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, në një intervistë për Dritan Hilën, në emisionin “Arena” rrëfen se pse mbështeti Donald Trump për zgjedhjen e tij si president, ndërkohë që vetë është i majtë.
Gjatë intervistës, Kokëdhima deklaron se si shikon si të rrezikshme implikimet e fondacionit Soros në zhvillimet politike në Shqipëri, duke nënvizuar se shpresonte që presidenti amerikan “do ta çlirojë diplomacinë ndërkombëtare nga ky ndikim në Shqipëri”.
Hila: Jemi 48 orë pas një ngjarje të madhe. Është zgjedhur një president kontrovers në SHBA. Keni qenë ndër të parët që e keni përgëzuar fitoren me një status në Facebook. Urimi juaj ka pasur brenda piperin. Në urim thoni: Kam shumë besim që, marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën e z.Trump do të jenë shumë të mira, pavarësisht komenteve të papërgjegjshme të disa zyrtarëve të Tiranës kundër tij.
Kokëdhima: Për këtë çështje është folur shumë dhe do të flitet për shumë kohë. Unë nuk i jam përgjigjur kritikave tuaja. Zt. Trump fitoi dhe kjo është diçka e pazakonshme në mënyrën se si ndodhi. Po të kemi parasysh rreshtimet, po të kemi parasysh që përballë tij ishte i gjithë establishmenti dhe përballë tyre ishte një person që anatemohej.
Kam qenë shumë herë i vetëdijshëm për vlerat e veçanta të tij. Ai është një person i pazakontë. Me një vullnet të pathyeshëm. Ne e kemi bërë të njohur në Shqipëri me botimin e dy veprave të tij. Ai është i jashtëzakonshëm. Ai thotë: të jesh gjigant në biznes dhe në jetë! Ai ashtu është. Është mbresëlënëse e gjithë familja e tij.
Hila: Të gjithë ishim me zonjën Clinton. E majta u bë me zonjën Clinton.
Kokëdhima: Unë jam i majtë në formim, rreshtim, jam anëtar i Partisë Socialiste dhe kështu do të vazhdoj në të ardhmen. Mos harroni që mbështetja kryesore e Trump në këtë betejë ishin ushtria punëtore e Amerikës. Shtresa e mesme ishte ajo që ngjizi atë lloj bashkimi që arriti të dalë kundër establishmentit.
Hila: Ju shpresoni që një njeri që ka bërë të 99-tat në fushën e biznesit, gropat financiare, kurthet financiare, mendoni që është njeriu që do të luftojë për punëtorinë?
Kokëdhima: Kam dëgjuar shumë herë që njerëzit e biznesit anatemohen nga establishmenti, elitat politike që e mbyllin lojën. Një nga arsyet që ai fitoi është se artikulonte problemet e njerëzve.
Hila: Zoti Kokëdhima e besoni edhe ju që Trump kishte kundra një “rrjetës” të madh, nga një “merimangë” që ishte Sorosi? Akuzohet edhe këtu në Shqipëri se ka tentakulat e tij.
Kokëdhima: Unë nuk dua t’i japë rëndësi më shumë se çka çdo faktor. Fitorja e zotit Trump është një fillesë për të kuptuar të gjitha ndryshimet e mëdha që do të ndodhin në të gjitha vendet. Në qoftë se vota për Trump ishte një votë refuzimi i establishmentit aktual kjo është e lidhur me shumë zhgënjime.
Kjo ngjarje është me shumë rëndësi të kuptohet edhe në Shqipëri. Në 6 dekadat e fundit, prodhimi kombëtar i Amerikës është rritur 6 herë. Paga mesatare në Amerikë është sot njësoj sa 60 vite më parë. Rregullat e ekonomisë janë shkruar në favor të korporatave.
Zonja Clinton për sa i përket raporteve me Shqipërinë sigurisht që ka një ndjeshmëri të veçantë për shkak të luftës së Kosovës. Shqiptarët kudo që janë në botë i janë shumë mirënjohës. Kjo luftë e ka simbol familjen Clinton.
Hila: Pas deklaratave të kryeministri a rrezikohen në vizionin tuaj marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?
Kokëdhima: Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë një bazë historike, strategjike.
Hila: Ju mendoni që Trump nuk do t’ia mbaj ‘vathë në vesh’ kryeministrit?
Kokëdhima: Kjo nuk ka asnjë lloj ndikimi. Kjo është një ndjesë dhe është një çështje e mbyllur për mendimin tim. Të gjithë njerëzit marrin një anë dhe të gjithë bëjnë një lloj zgjedhje dhe kjo është normale, pavarësisht sa korrekte është në marrëdhënieve diplomatike.
Hila: Nuk do të ketë pasoja zoti Rama?
Kokëdhima: Nuk do të kenë efekte mbetëse. Rama nuk bëri komente për një shtetar, bëri komente për një kandidat në zgjedhje. Më e mira është që të mos ishin bërë. Do ishte mirë të mos bëheshin.
Hila: Ju e përmendi rrjetin Soros në Shqipëri se ka shtrirë tentakulat dhe po tenton kapjen e të gjitha sistemeve në Shqipëri. Vërtetë mendoni që është kaq i shtrirë dhe kaq frymëmarrës për politikën shqiptare?
Kokëdhima: Komenti im është ky: me fondacionin Soros nuk kam asnjë ngarkesë negative personale. Në fillim të viteve ’90 kam bërë një punë me këtë fondacion. Kemi qenë partnerë. Kemi bërë shkollën e Qeparoit dhe kemi qenë bashkëfinancues. Kam mbetur i nderuar dhe kam marrë një pllakatë nga Sorosi. Për sa i përket aktivitetit të Fondacionit Soros këto vitet e fundit që ka lidhje kryesisht me interesin e këtij fondacioni për të ndikuar në zhvillimet politike në Shqipëri, unë personalisht e çmoj si të padobishme për vendin tonë këtë gjë.
Hila: Ky fondacion ka kundërshtuar Berishën…si papritmas u transformua në një vatër të së keqes?
Kokëdhima: Unë dua të shpjegoj pikëpamjen time për këtë gjë. Siç kam shprehur pikëpamjen time edhe për disa diplomatë të huaj në Shqipëri që nuk i përmbahen konventës së Vjenës që rregullon marrëdhëniet diplomatike mes vendeve. E kam shprehur pikëpamjen time dhe i qëndroj asaj pikëpamje. Shpresoj që Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta çlirojë diplomacinë ndërkombëtare nga ky ndikim në Shqipëri.
Hila: Në rrjetet e djathta qarkullon ideja që rrjeti Soros është ai që ka ngritur edhe rrjetin e politikanëve të rinj të së majtës.
Kokëdhima: Nuk kam lexuar asnjë portal këto ditë dhe të jeni të sigurt se nuk kam asnjë lloj ndikimi. Është një përjetim komplet personal dhe është një artikulim shumë i sinqertë. Nuk dëshiroj fare që ky artikulim të shërbejë për të zvogëluar kontributet e këtij fondacioni për shoqëritë civile dhe për shumë projekte të dobishme në Shqipëri, por kjo nuk e ndryshon pikëpamjet rreth implikimit të projekteve të Fondacionit në zhvillimet politike të Shqipërisë, i konsideroj ato të dëmshme dhe të rrezikshme për vendin tonë.