Mediat serbe shkruajnë se shqiptarët e Kosovës do të realizojnë ëndrrën e tyre ushtarake në mars sepse ata do të përfshihen në këmbësorinë e NATO-s përmes Gardës Kombëtare të Ioëa-s.
Gazeta serbe ‘Politika’ shkruan se pjesëtarët e Forcë e Sigurisë së Kosovës (‘Ushtrisë së Kosovës’) do të bëhen pjesë e misioneve paqeruajtëse të Aleancës në Irak dhe Siri.
Gazeta shkruan se partitë politike shqiptare, të cilat po bëjnë fushata për zgjedhje të parakohshme parlamentare, unanimisht ranë dakord të pranojnë ftesën e dërguar nga Amerika në Prishtinë vitin e kaluar dhe miratuan dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misionet paqeruajtëse të NATO-s, si pjesë e trupave amerikane.
Në këtë mënyrë Kosova po i afrohet anëtarësimit në NATO.
Komandanti i FSK-së Rahman Rama njoftoi se nga viti 2021, ky formacion do të jetë pjesë e një misioni ushtarak së bashku me Ushtrinë e SHBA.-së për herë të parë, duke shtuar se, është një arritje e madhe për FSK-në.
Ai tha se bashkëpunimi me NATO dhe partnerët e saj strategjikë po rritet. ‘Ne kemi aq shumë mbështetje dhe kaq shumë oferta saqë ndonjëherë nuk mund t’i dërgojmë dot’, tha Rama, duke shtuar se procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve të caktuara është duke u zhvilluar dhe se, ‘Kosova do të ketë armë aq të sofistikuara sa vendet e NATO-s’, raporton gazeta serbe, përcjell Telegrafi.
Historiani serb Srdjan Graovac nga Qendra për Stabilitet Social tha se Kosova është një shtet i pavarur për Shtetet e Bashkuara dhe se ata nuk kanë hequr dorë dhe nuk do të shmangen nga ajo politikë.
Ai shprehet se njoftimi për ushtrime të përbashkëta është një lloj presioni ndaj Beogradit.
‘Gjithçka që po bëjnë amerikanët nuk është e rastësishme dhe këto veprime kanë për qëllim forcimin e të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës. Prandaj, përfshirja e Kosovës në misionet ushtarake amerikane është vetëm një vazhdim i asaj politike. Amerika pretendohet se ishte kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës, edhe pse është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit,’ tha Graovac.
Kryetari i dikurshëm i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (në vitet 90’ta], Zoran Andjelkovic, thotë për gazetën se paralajmërimi se shqiptarët e Kosovës do të jenë pjesë e misioneve të NATO-s nuk e befasoi atë, sepse, siç deklaron ai, ata kanë qenë pjesë e forcave të tyre që nga viti 1999 dhe i kanë pranuar në atë mënyrë.
‘E kam ndier në lëkurën time njëzet vjet më parë, sepse amerikanët ishin të informuar se ishte ushtria e tyre sapo kanë hyrë në Kosovë. Në atë kohë, ata ishin Ushtri Çlirimtare e Kosovës dhe nuk u transformuan. Ajo që po bëhet tani është një përpjekje për të treguar me çdo kusht, në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare, se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran. Dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara po i tërheqin me vete, këtu nuk ka asnjë dilemë’, thekson Andjelkoviq.
Ai vlerëson se në këtë mënyrë, në opinionin amerikan krijohet atmosfera, mbi të gjitha, se bëhet fjalë për një vend mik, ushtarët e të cilit shkojnë krah për krah me ushtarin amerikan në misione humanitare. Do të tregohet se është një ushtri që mund të sigurojë paqe në pjesë të tjera të botës, jo vetëm në Kosovë.