Leonardo Bonucci ka folur pas fitores së madhe të Juventusit 1-3 ndaj Milanit. Mbrojtësi bardhezi këmbënguli se Juventusi e kontrolloi ndeshjen nga fillimi në fund për t’i dhënë fund pathyeshmërisë së kuqezinjve.
Milani u mposht për herë të parë në kampionat që nga Marsi 2020, ndërsa lojtari i ndeshjes ishte Federico Chiesa me një dygolësh para se Weston McKennie të shënonte golin e tretë që vulosi ndeshjen.
“Ne erdhëm këtu të vetëdijshëm se ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, veçanërisht pas rezultateve të kësaj pasdite,” tha fillimisht Bonucci për Sky Sport Italia.
“Ne kontrolluam ndeshjen nga fillimi në fund. E dinim që Milani mund të na godiste me kundërsulmet e tyre, por ne ishim solid dhe punuam si ekip. Kjo është fryma për të cilën kemi nevojë të shkojmë përpara”.
“Objektivi ynë është tani të mposhtim Sassuolon, kjo është e gjitha. Duhet të vazhdojmë serinë e fitoreve për tu konsoliduar në renditje”, tha Bonucci.