Koço Kokëdhima e ka quajtur si të papërgjegjëshme kritikën që zyrtarë të shtetit tonë kanë bërë për Donald Trump duke mos përmendur emra konkretë.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ai ka uruar për fitoren e Donald Trump, Presidentin e ri të SHBA-ve.
Për më tepër ai është shprehur entuziast për Trump pasi tregon që në Shtëpinë e Bardh po futet për herë të parë një person i biznesit dhe jo i politikës.
Deputeti Kokëdhima e vlerësoi fitoren e Trump edhe si një mundësi pozitive për Shqipërinë pasi disa kohë më parë këshilltari i Trump tha se do të shohin me kujdes fondacionin Soros dhe korrupsionin që mund të ketë në të.” Shpresoj shumë që Z.Trump të çlirojë diplomacinë ndërkombëtare për Shqipërinë nga ndikimi i Sorosit. Kjo do të na shpëtojë ne nga ky fondacion që kontrollon zhvillimet politike dhe e mban Shqipërinë nën një sistem pseudodemokratik”, tha Kokëdhima.
Ja mesazhi i Koço Kokëdhimës:
Urim për fitoren e z. Trump, Presidentit të Ri të SHBA-ve!
Z.Donald Trump fitoi. Kjo është një fitore historike jo vetëm për demokracinë amerikane, por për të gjithë popujt që aspirojnë për një demokraci të vërtetë. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë diçka e tillë.
Fitorja e Z.Trump nuk është thjesht një fitore e të djathtës kundër së majtës, por një fitore e popullit amerikan kundër tërë establishmentit politik. Kjo fitore tejçon anembanë planetit mesazhin e madh popullor për nevojën absolute të përtëritjes së klasave politike.
Me Donald Trumpin hynë në Shtëpinë e Bardhë të gjithë ata amerikanë që, janë ndjerë të zhgënjyer dhe të përbuzur nga sistem aktual politik, mediatik e financiar.
E kam ndjekur z. Trump që para shumë vitesh, si njeri biznesi dhe isha shumë i sigurtë për fitoren e tij gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve. Jam përpjekur përpara 10-12 vitesh ta bëj të njohur në Shqipëri Z. Trump dhe temperamentin e tij të pamposhtur duke përkthyer dhe botuar dy libra të tij në gjuhën shqipe në 2005 dhe 2007 me botimet Max.
Kam shumë besim që, marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën e z.Trump do të jenë shumë të mira, pavarësisht komenteve të papërgjegjëshme të disa zyrtarëve të Tiranës kundër tij.
Unë besoj plotësisht se Z. Trump do të jetë mik i popullit shqiptar dhe do ta ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për tu çliruar nga sistemi politik i kalbur, që po e atrofizon e po e vret popullin shqiptar, duke i hequr atij çdo mundësi reagimi dhe çdo aftësi për të përmirësuar jetën e vet. Shpresoj shumë që Z.Trump të çlirojë diplomacinë ndërkombëtare për Shqipërinë nga ndikimi i Sorosit. Kjo do të na shpëtojë ne nga ky fondacion që kontrollon zhvillimet politike dhe e mban Shqipërinë nën një sistem pseudodemokratik. Me fitoren e Donald Trumpit, Amerika na jep edhe një herë shembullin e mahnitshëm të demokracisë.
Partitë politike në Shqipëri duhet të nxjerrin mësime nga ky mesazh. Mjaft më duke mbushur parlamentin dhe qeveritë me njerëz që populli nuk i do dhe nuk i voton. Mjaft më me sistemin e kompromentuar të numërimit të votave. Duhet të vendosim sistemin e votimit dhe të numërimit elektronik në zgjedhje. Nuk mundet që populli të vazhdojë të durojë krimet elektorale të kësaj klase politike të diskredituar. Duhet patjetër që deputetët e listës së partive politike të zgjidhen nga anëtarësitë me parimin “një anëtar, një votë”. Nuk mund të vazhdojnë të mbushen grupet parlamentare me njerëz që në parlament nuk përfaqësojnë qytetarët.
Të mësojmë nga populli amerikan, nga demokracia amerikane dhe nga presidenti Donald Trump!