Elez Gjozaj u zgjodh sot presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ai fitoi në raundin e dytë me 10 vota kundrejt 6 të Eglantina Çunit, ndërkohë që të drejtë vote kishin 17 anëtarë.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte fakti se Lushnja u përjashtua nga votimi, kjo për faktin se përfaqësohej nga kryebashkiaku Fatos Tushe. Por statusi i Federatës së Peshëngritjen nuk lejon që kryebashkiakët të votojnë, çka duket se ka penalizuar Lushnjen.
Por si kanë rrjedhur ngjarjet deri në momentin e sotëm, kur Gjoza ka marrë drejtimin e Federatës së Peshëngritjes dhe Tushes iu mohua vota?
Vetë Kryebashkiaku i Lushnjes ka nisur prapaskenat, kur në mbledhjen e fundit, atë të zhvilluar në nëntor, i ka hequr të drejtën e përfaqësimit Amarildo Gjylës.Në këtë mbledhje ishin të pranishëm si Gjyla dhe Tushe, të dy pëërfaqësues të Lushnjes. I pari si trajner i ekipit, i dyti si President.
Ligjërisht Gjyla ishte anëtar i asamblesë së Peshëngritjes, por Tusha si Presidenti i ekipit të Lushnjes, duket se vendosi t´a largojë dhe të emërohet vetë.
Pra i mori atributet trajnerit, i bindur se do të mund të ndikonte në zgjedhjet e Federatës.
Gjyla konsiderohet si njeriu i shtangës, i cili nëse do të ishte ende anëtar i Asamblesë, do të kishte mundësi të përfaqësonte Lushnjen në zgjedhjet e sotme, por duket se ai nuk ishte i komandueshëm nga Tushe, pra nuk do të hidhte votën e tij me një komandë politike.
Tushe në anën tjetër kishte harruar një detaj: statusin e Federatës së Peshëngritjes, që nuk lejon kryebashkiakët që të jenë anëtarë të Asamblesë.
Kjo bëri që në mbledhjen e sotme, Lushnja të mos kishte të drejtë vote dhe Tushe të mos ushtronte ndikimin e tij, me aq sa mund të kishte, për të paracaktuar fituesin.
Detaji i sotëm tregon se Rilindja, të cilën përfaqëson Tushe në politikë, ka pasion manipulimin, që në rastin konkret dështoi. Kryebashkiaku duket se nuk arriti të realizonte ndoshta një marrëveshje politike, për të ndikuar në zgjedhjet e Federatës së Peshëngritjes, ndërsa Gjoza mori mandatin e Presidentit, pas disa përplasjeve që nisën pak javë më parë, duke tentuar përjashtimin e tij nga gara.