Nga Boldnews.al
Para pak ditësh zyrtarë të ISHP dhe anëtarë të Komitetit teknik të Ekspertëve pohuan të bindur se vaksina anti-Covid do të vinte në Shqipëri brenda 3 muajve të parë të 2021.
Asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje të thoshte se cila vaksinë do të vijë dhe sa doza do të vijnë.
Sot në media u shpërnda lajmi se ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, gjatë një bisede me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i ka kërkuar që politika e vaksinimit e BE-së të zbatohet njëherazi edhe në Shqipëri.
Me pak fjalë, Cakaj i ka lypur Komisionerit të Zgjerimit, që BE të sjellë një sasi vaksinash në Shqipëri. Nëse vaksimi në vendet e BE do të nisë brenda këtij viti dhe në Shqipëri diskutohet me optimizëm për 3 muajt e pare të 2021, kjo tregon qasjen e gabuar që Shqipëria zgjodhi lidhur me sigurimin e vaksinës.
Një vend i vogël, si nga numri i popullsisë, ashtu edhe në territori, e ka shumë më të thjeshtë të sigurojë, administrojë dhe përfundojë procesin kompleks të vaksimit, nëse ka struktura dhe nëse ka përgjegjshmëri.
Ne vendosëm të futemi në aleancën COVAX, për të cilën thuhet se ka siguruar vaksina, por nuk dihet se cilat vaksina, dhe kur ajo do të jetë gati. Përfshirja në këtë aleancë nuk ka asgjë të keqe, pasi Shqipëria iu bashkua një liste me rreth 170 vende.
Problemi nis në momentin kur pas anëtarësimit dhe derdhjes së fondit të garancisë, Qeveria shqiptare nuk ndërmorri asnjë hap me kompanitë që ishin më pranë çertifikimit të vaksinës.
Përtej çdo justifikimi që mund të gjendet sot mbi kushtet, transportin apo shpërndarjen e vaksinës Pfizer apo Moderna, që kërkojnë respektivisht ruajtjen me -70 dhe -20 gradë celcius, sot nuk ka një dokument zyrtar, që institucionet shëndetësore shqiptare, Qeveria dhe çdokush tjetër, të kenë hedhur hapa seriozë për garantimin e njërës prej dy vaksinave.
Kryeministri u nis drejt New York për të parë në sy CEO-n e Pfizer dhe pasi e pa në sy dhe shkrepi një foto, tha lajmin se kërkesat janë të shumta, prodhimi është i ulët, por do shikojmë mundësi të tjera.
Natyrisht, pasi në kohën kur qeveritë e çdo vendi normal, lëviznim për të lidhur kontrata direkte apo indirekte përmes vendeve të tjera, në Shqipëri konsiderohej sukses aplikimi i testeve të shpejta, shtimi i testeve ditore dhe vënia në punë e spitalit 3, 4 dhe ndonjë spitali rajonal.
Nëse BE lëvizi si bllok për të siguruar vaksinën, vende të ndryshme, lëvizën individualisht, qoftë edhe duke arritur marrëveshje dypalëshe me qeveri të tjera, për të siguruar dozat. Kjo ndodhi me Maqedoninë e Veriut apo edhe me Izraelin. Dhe në asnjë nga këto vende nuk doli Kryeministri ta konsideronte të nevojshme të shikonte sy më sy ndonjë CEO.
Mediat ndërkombëtare raportojnë çdo ditë skema sesi është operuar me sigurimin e vaksinës, madje duke përfshirë në të gjitha përpjekjet edhe shërbimet sekrete, krahas çdo strukture tjetër shëndetësore.
Vaksina nuk u trajtua thjesht dhe vetëm si një rrugë për të shpëtuar nga pandemia, por është parë si një çështje e lidhur me sigurinë kombëtare të këtyre vendeve.
Në Shqipëri “operacionin” e drejtoi Kryeministri, që nisi me udhëtimin drejt SHBA, vijoi me ardhjen vërdallë rrugëve të New York, dhe u mbyll në një ekspozitë ku ishte edhe CEO i Pfizer, me të cilin bëri një foto.
Pastaj “operacioni” vijoi me çështjet e përditshme të politikës në Tiranë, me një takim të ekspretëve turq dhe atyre shqiptarë, ku u fol për çdo gjë përveç vaksinës, dhe do vijojë me show-n, duke pritur 3 muajt e parë të 2021, me shpresën se një tjetër vaksinë mund të marrë liçencën.
Shkurt ne do presim, do lypim duke shtrirë dorën dhe duke shpresuar që dikujt do t´i vijë keq, dhe do të sjellë dozat e para të vaksinave, të cilat do të tunden si trofeu që Kryeministri e fitoi.
Një shprehje thotë se e lypyra ka faqen e zezë, por nuk të le pa gjë. Dhe duket se kjo është filozofia që është adaptuar dhe mbahet fort jo vetëm për vaksinën.
Askush nuk e pengoi qeverinë që në tregun e madh të negocionte 2 apo 3 muaj përpara, atëherë kur nisën të jepeshin sinjalet se njëra apo tjetra vaksinë ishte në prag të aprovimit. Në fund të fundit mund të sakrifikoheshin ca miliona euro, të cilat sakrifikohen çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, për financime oligarkësh apo pagesa detyrimesh, ndaj gjyqeve të humbura në Arbitrazhe apo Gjykata Ndërkombëtare.
Paralelisht me atë fondin e garancisë që u derdh te COVAX me aq shumë bujë dhe që u interpretua si shpëtimi, mund të ishte negociuar direkt apo indirekt me kompani dhe vende të tjera, pak a shumë sikundër veproi ky vendi fqinj, Maqedonia e Veriut, për të mos shkuar deri në modelin izraelit, megjithëse ne si vend, sipas propogandës, ia kemi kaluar edhe Italisë, edhe Gjermanisë.
Do e kërkosh vaksinën “gjeneral”, do bredhësh si “çifuti në shkretëtirë”, por vështirë se mund ta gjesh.
Ndaj shtrije dorën dhe vazhdo lyp, vetëm mos e përdor si trofe, të fituar me meritën tënde.