Prej pesë ditësh, mijëra të rinj, në mbarë vendin, po protestojnë për vrasjen e Klodian Rashës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj.
Policia ka përdorur gazin lotsjellës, ujin me presion, shkopinjtë e gomës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa janv shoqëruar në komisariate disa qindra protestues, në mesin e tyre edhe të mitur.
Lëvizja për Universitetin, përmes një reagimi, ka kërkuar dorëheqjen e ministres Evis Kushi, e cila më herët akuzoi se të miturit po përdoren politikisht. Kushi tha se pasi të qetësohet situata, të miturit do të identifikohen dhe do të trajtohen me psikologë.
“Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propagandë mediatike. Ajo duhet të shqetësohej për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale. Hendek ky i cili thellohet akoma më shumë me ligjin e arsimit të lartë, ku studentët kthehen në klientë që peshohen nga xhepat”, thuhet në reagim.
Reagimi nga Lëvizja për Universitetin
EVIS KUSHI DORËHIQU!
Dje ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka tentuar të nëpërkëmbë frymën e protestës së të rinjve duke i konsideruar subjekte të psikologut. Ministrja nuk e di se psikologu nuk mund të caktohet nëse nuk kërkohet dhe miratohet nga vetë personi.
Ministrja Kushi duhet të shqetësohej për fëmijët dhe mësuesit që përdoren për fushata elektorale dhe propagandë mediatike. Ajo duhet të shqetësohej për raportet e Bankës Botërore, ku 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë për shkak të hendekut të madh të pabarazive sociale. Hendek ky i cili thellohet akoma më shumë me ligjin e arsimit të lartë, ku studentët kthehen në klientë që peshohen nga xhepat.
Shqipëria është në vendin e fundit në rajon për financimin e arsimit, me vetëm 3.3% të PBB-së, ndërkohë që vendet e tjera e kanë 4-4.5%.
E ftuar në studiot televizive për të bërë propagandë kundra protestës, ministrja Kushi shprehej gjithashtu se protesta ishte krim. Ajo harron qëllimisht që shumë minorenë janë dhunuar, arrestuar dhe përndjekur nga Policia e Shtetit. Sipas raportit të Avokatit të Popullit nga 182 të ndaluar, 60 prej tyre janë të mitur.
Gjithashtu rezulton se ndaj të miturve nuk janë respektuar parashikimet dhe standartet e legjislacionit lidhur me praninë e psikologut, si dhe vendin e marrjes në pyetje të të miturve.
Sot Lëvizja Për Universitetin kërkon dorëheqjen e ministres Evis Kushi. Pas akuzave për plagjiaturë të punimit shkencor të doktoraturës, dështimit të mësimit online dhe keqmenaxhimit të shkollave në këtë gjendje pandemie, deklarata të tilla përçmuese si ajo e djeshmja janë të denja vetëm për regjimet diktatoriale.