Në eliminatoret e ardhshme të Kupës së Botës, bardhekuqtë polakë do të përballen me Shqipërinë. “Në kohën time jemi stërvitur shumë për sulmin, sepse nuk kishim një snajper të vërtetë. Na kishte marrë malli për dikë si Lewandowski”, – thotë për “TVPSPORT.PL”, media polake, Gianni De Biasi, ish-trajneri i kuqezinjve. Aktualisht, italiani drejton Azerbajxhanin.
A duhet të kenë polakët ndonjë frikë para se të ndeshen me Shqipërinë?
Ata janë një ekip i mirë. Shumë nga lojtarët e kombëtares shqiptare luajnë në Itali dhe kanë fituar përvojë të vlefshme ndërkombëtare. Kur i drejtoja unë ishte pak më ndryshe. Mendoj se Shqipëria nuk është një rival i lehtë. Sigurisht, Polonia është një ekip më i mirë dhe nuk duhet të ketë probleme, por ndaj Shqipërisë duhet të luash me intensitet dhe përqendrim të lartë.
Kush është lojtari më i rrezikshëm te Shqipëria?
Sokol Cikalleshi është më kërcënuesi para portës. Ai ka shënuar tre gola në dy ndeshjet e fundit dhe duhet pasur frikë. Por, ka shumë lojtarë të tjerë me nivel, si Elseid Hysaj nga Napoli.
Si do ta përshkruanit stilin e përfaqësimit të Shqipërisë?
Në kohën time, ne stërvitëm shumë për sulmin, sepse nuk kishim një snajper të vërtetë. Na mungonte dikush si Lewandowski. Tani situata është më mirë. Shqipëria luan me presion lart dhe po mbështetet në kundërsulmet efektive.
Cila është mënyra për të shënuar kundër shqiptarëve?
(qesh) Pasoje topin te Lewandowski, ai do të kujdeset për pjesën tjetër!
Tri skuadra nga “grupi polak” kanë trajnerë italianë. Cili është sekreti i trajnerëve nga vendi juaj?
Trajnerët transferojnë njohuritë e tyre tek lojtarët, të cilët më vonë bëhen trajnerë. Të gjithë i mësojnë të gjithë, duke e bërë brezin tjetër më të mirë dhe më të mirë.
Si do t’i vlerësonit shanset e Polonisë për kualifikim në grup?
Në grupin tuaj, problemi i vetëm janë anglezët. Ato janë një kombëtare e mirë, plot me yje të klasit botëror. Polakët kanë përvojë dhe shumë lojtarë që luajnë në ligat më të mira në botë, kështu që për mendimin tim keni një shans të mirë për “ngritje në detyrë”.
Cili është mendimi juaj për kombëtaren polake?
Është një përzierje e mirë e lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Ju keni një portier të shkëlqyeshëm, mbrojtje të fortë, mesfushë dhe një sulmues të jashtëzakonshëm. Sipas mendimit tim, ju keni cilësinë që ju lejon të luftoni për qëllime të larta.
Tani jeni trajner i kombëtares së Azerbajxhanit. Ju ratë në grupin A me Portugalinë, Serbinë, Irlandën dhe Luksemburgun. Si i vlerësoni shanset?
Ne kemi një grup shumë të vështirë. Portugalia do të zërë vendin e parë, ndërsa irlandezët dhe serbët do të luftojnë për të dytin. Ne do të bëjmë atë që mundemi, por jemi të vetëdijshëm. Jemi shortuar nga vazoja e fundit dhe nuk jemi favoritë. Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për të luajtur më mirë dhe për të treguar potencialin e plotë.
A ndikon negativisht në punën tuaj situata politike në Azerbajxhan?
Sigurisht, kur kishte konflikt, ne nuk luanim dot ndeshje në shtëpi. Ishte mjaft problem. Situata pandemike vetëm e përkeqësoi këtë situatë. Nuk është e lehtë të fillosh një punë të re, kur ke një pandemi dhe probleme për t’i takuar lojtarët tuaj.
Dikur ishe afër marrjes së pozicionit të trajnerit të kombëtares polake. A do ta pranonit ofertën për të drejtuar kombëtaren tonë?
(qesh) Nëse bëhet një pyetje e tillë, unë do të të përgjigjem!