Indrit Lleshi, është 20 vjeçari shqiptar i arrestuar prej policisë greke, pasi akuzohet se ka vrarë dhe djegur kufomën e ish-punëdhënësit të tij në ishullin Santorini në Greqi.
Sipas policisë greke, Lleshi akuzohet se ka ekzekutuar viktimën 62 vjeç, për një borxh prej 200 eurosh, që ky i fundit i kishte pa dhenë për ditët e punës në hotelin e viktimës.
I ndaluar prej policisë, mbas më shumë se 10 orë marrje në pyetje, Lleshi ka pranuar se ka qenë ai që ka vrarë dhe viktimën.
20 vjeçari ka thënë para agjentëve se kishte kërkuar prej pronarit grek të hotelit në të cilin punonte, shumën që ai i kishte borxh, pasi donte t’ia dërgonte të ëmës dhe tre motrave të tij në Shqipëri, por viktima e ka ofenduar dhe në vazhdim e ka kërcënuar me një shishe.
Pasi janë përleshur, i arrestuari deklaroi se e ka viktimën të bjerë në tokë pa ndjenja dhe në panik e ka spërkatur atë me vodka dhe i ka vënë zjarrin, duke bërë që trupi i pa jetë të digjet për më shumë se 24 orë, në një ambient me ajrim të kufizuar në hotelin e viktimës.
Por mjeku ligjor që ekzaminoi mbetjet e trupit pothuaj të karbonizuar të viktimës, thotë se përpara se të digjet, viktima është goditur me sende të forta, ndoshta me levë.
Me pas autori ka ndërruar rrobat dhe i është drejtuar një lokali, ku me gjakftohtësi, ka konsumuar kafe, pa dhënë asnjë shenjë se ka qenë autor i një prej krimeve më të rënda të ndodhura kohët e fundit në vend.
Autori Indrit Lleshi rezulton se është deportuar prej autoriteteve greke dy herë në të kaluarën, por sërish ka mundur të kalojë kufirin dhe të shkojë për të punuar në ishullin e Santorinit.
Ai do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie,ndërsa lajmi i ekzekutimit të 62 vjeçarit grek, ka tronditur opinionin vendas.