Ekipi ligjor i fushatës së Presidentit Donald Trump po distancohet nga avokatja konservatore Sidney Powell. Vendimi erdhi për shkak të deklaratave kundërthënëse të zonjës Powell, e cila vazhdimisht ka ngritur akuza të rënda për manipulime votash në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, por duke mos ofruar asnjë provë të vetme.
Ekipi ligjor i fushatës së zotit Trump është distancuar nga avokatja konservatore Sidney Powell, pas një jave me deklarata të shumta, të pasakta e konspirative të saj në lidhje me procesin zgjedhor.
Ajo pushtoi titujt e shtypit pas një konference të përbashkët me avokatët Giuliani dhe Ellis, ku deklaroi pa fakte se një server që posedon prova për manipulime votash ndodhet në Gjermani dhe se programi i përdorur në Xhorxhia dhe shtete tjera ishte i ngjashëm me atë të përdorur nga Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, duke bërë që votat për Presidentin Donald Trump t’i shkojnë Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
“Bëhet fjalë për një numër të madh votash që në mes të natës janë ndaluar së numëruari dhe pikërisht atëherë operatërët ndërhynë dhe ndryshuan sistemin. Kjo ndryshoi votat për interesa globale, të diktatorëve, koorporatave mund ta quani si të doni. Të gjithë janë kundër Presidentit Trump përveç ne njerëzve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë avokatja Powell më 18 nëntor.
Ekipi ligjor i Presidentit Trump njoftoi vendimin për zonjën Powell përmes një deklarate të përbashkët të avokatit personal të zotit Trump, Rudy Giuliani dhe avokates tjetër Jenna Ellis. “Sidney Powell punon si avokate e pavarur. Ajo nuk është anëtare e ekipit ligjor të zotit Trump. Ajo nuk është avokate e Presidentit”, thuhet në komunikatë.
Nga fushata e zotit Trump nuk pati sqarim të menjëhershëm ndërsa zonja Powell nuk komentoi. Llogaria e saj në rrjetin social Twitter është pezulluar. Kjo situatë vë në dukje vështirësitë me të cilat po përballet ekipi ligjor që ka humbur rast pas rasti në shtetet e kontestuara ku ata po punojnë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Goditja e fundit është vendimi i një gjykatësi federal mbrëmjen e së shtunës për hedhjen poshtë të përpjekjeve të fushatës së zotit Trump për bllokimin e certifikimit të rezultatit në Pensilvani, pasi konstatoi se argumentet e paraqitura nuk ishin të mbështetura në prova.
Më herët, në një postim në Twitter më 14 nëntor, zoti Trump e kishte cilësuar zonjën Powell si një avokate dhe përfaqësuese të mrekullueshme.
Demokratët dhe disa republikanë akuzojnë Presidentin Trump se po përpiqet të minojë besimin në sistemin zgjedhor amerikan duke u munduar të delegjitimojë fitoren e zotit Biden përmes pretendimeve të pavërteta për mashtrim të gjerë votash.
Senatorja republikane nga Ajova, Joni Ernst, e cila u rizgjodh muajin që shkoi, i quajti “ofenduese” deklaratat e zonjës Powell, gjatë një emisioni në FOX News./VOA/