Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, vendimet e marra në samitin e sivjetmë të grupit G20 do të jenë vendimtare në përpjekjet globale për të frenuar efektet e pafavorshme të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe në përmbushjen e pritjeve të botës nga ky grup, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Vendimet që do të merren në samitin e Riadit do të jenë përcaktuese jo vetëm në zbutjen e ndikimeve negative të pandemisë, por edhe në përmbushjen e pritjeve nga G20”, tha Erdoğan në një video-mesazh të shpërndarë në llogarinë e Tëitter-it të samitit në Arabinë Saudite.
Për shkak të pandemisë, Samiti i Liderëve të grupit G20 që këtë vit kryesohet nga Arabia Saudite filloi sot me video-lidhje.
Duke treguar “efektin e jashtëzakonshëm” të pandemisë në të gjitha aspektet e jetës njerëzore, Erdoğan tha: “Pandemia gjithashtu na ka kujtuar të gjithëve edhe një herë se ne jemi anëtarë të familjes së madhe të njerëzimit pavarësisht nga feja, gjuha, rajoni dhe raca”.
Ai gjithashtu tha se Turqia ka shtrirë dorën e ndihmës për 156 vende dhe nëntë organizata ndërkombëtare në luftën kundër pandemisë, duke përmbushur nevojat e popullit të tij.
“Besoj se pandemia e koronavirusit ka rritur përgjegjësinë dhe rëndësinë e G20, e cila bashkon ekonomitë më të mëdha të botës nën të njëjtën çati”, tha Erdoğan.
“Shpresoj që Samiti i Liderëve të G20, i mbajtur në një kohë kur e kuptojmë më mirë vlerën e bashkëpunimit global përballë një problemi global, do të jetë i frytshëm për vendet tona dhe mbarë njerëzimin”, shtoi ai.
Presidenti i Turqisë gjithashtu falënderoi mbretin dhe autoritetet saudite në vend për “presidencën e suksesshme me mandatin e tyre, pavarësisht kushteve të vështira të pandemisë”.
Në Samitin e G-20 marrin pjesë: Turqia, Gjermania, SHBA-ja, Argjentina, Australia, Brazili, Kina, Indonezia, Franca, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, India, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja, Meksika, Rusia, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian.