Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias njoftoi mbylljen e pjesshme të kufijve tokësorë me vendin tonë.
Ai theksoi se lëvizjet ndikojnë në masë të madhe në përhapjen e pandemisë, veçanërisht në Greqinë Veriore, e cila kufizohet nga vendet e Ballkanit.
Hardalias njoftoi se hyrja nga kufiri tokësor do të lejohet vetëm për shtetasit grekë, ose për ata që kanë një leje qëndrimi në vend, nga ora 7 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes, si dhe do të lejohet hyrja e kamionëve që përdoren për transport mallrash.
“Të dhënat e ditëve të fundit tregojnë se barra epidemiologjike nuk është ulur”, – tha Hardalias.
Hardalias tha gjithashtu se: “Bazuar në të dhënat e javës së ardhshme, ne do të fillojmë heqjen graduale të bllokimit. Por do të duhet të presim për të dhënat e javës së ardhshme. Por nuk duhet të bëjmë asnjë hap prapa ”.
Më tej ai u shpreh se: “Nuk ka asnjë tregues ose provë të mbingarkesës në supermarkete ose shkolla. Inspektimet vazhdojnë të bëhen dhe ne kemi bërë ndërhyrje. Në asnjë rast nuk konfirmohen faktet e hetimit që ju i referoheni “.
Mbi masat e reja ai deklaroi:
“Transporti kontribuon në mënyrë të konsiderueshme dhe për këtë do të zbatohet sa vijon:
1) Vetëm Grekët dhe shtetasit e Bashkimit Evropian lejohen të kalojnë nga Promachonas, nga 7 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes. Për transferime, transiti lejohet 24 orë në ditë.
2) Nga Kakavia lejohet vetëm për shtetasit grekë ose me leje qëndrimi në vend, nga 7 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes. Ata që hyjnë nga Kakavija do të hyjnë në një karantinë 7-ditore, në zonën që ata kanë deklaruar në PLF e tyre.
Siç mund të shihet Kakavija është e vetmja pikë kufitare nga ku ata që hyjnë për në Greqi duhet të bëjnë karantinë shtatë ditore, si dhe ka një ndryshim në orarin e hyrjes në shtetin fqinj. Më parë udhëtimi mund të niste në orën 6, tashmë nis në orën 7 të mëngjesit.
3) Nga Evzoni dhe Kipi do të lejohen vetëm për shtetasit grekë ose me leje qëndrimi në vend, nga 7 në 11 të natës. Transferimet do të lejohen 24 orë në ditë.
4) Nga Nymfaio, Ormenio dhe Exochi do të lejohen vetëm për transporte, 24 orë në ditë dhe vetëm me drejtuesin e automjetit.
5) Krystalopigi është mbyllur tashmë nga sot.
Përveç kësaj, të gjithë qytetarët që kërkojnë të hyjnë në Greqi duhet të kenë me vete një PLF dhe një test negativ për maksimumi 72 orë.
Të gjithë hyrësit do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë nga ekipet e EODY, ndërsa shoferët e kamionëve do të merren mostra.