Ish-futbollisti i njohur, Andi Lila, do të padisë Bashkinë e Kavajës dy ditë pasi u detyrua të largohej me kërkesë të institucionit lokal nga fusha e stadiumit “Besa”.
Duke folur për emisionin “Shqipëria Live” në “Top Channel”, Lila aktualisht, kreu i Sindikatës së Futbollistëve të Shqipërisë, e konsideroi një “sjellje diktatoriale” përzënien e tij nga stadiumi i qytetit të tij.
“Këto ditë nuk kam qenë mirë. Unë nuk dola nga stadiumi i Beogradit, por në stadiumin e qytetit tim. U largova sepse nuk doja që gjendja të agravonte. Më kanë ardhur shumë telefonata, gjej rastin t’i falënderoj. Përshtypja më e madhe është që gjej një lloj sigurie, që shumë njerëz që janë pozicionuar në krahun tjetër politik më ka mbështetur. Unë do i shkoj deri në fund nga ana ligjore. Nuk dua që të agravohet situata, dje u përdhosën artistët, sot futbollistët. Në ditët në vazhdim do të nis një procedurë ligjore. Unë përveçse një futbollist, jam dhe kryetari i sindikatës së futbollistët, ne kemi avokatët më të mirë dhe do të hartojmë.
“Është diktaturë t’i mbyllësh gojën tjetrin. Nuk ishte problemi tek stadiumi, problemi ishte që je demokrat dhe duhet të ikësh nga fusha. Jo vetëm Sokol Cikalleshi, por kushdo qoftë nuk duhet të largohet asnjeri, kjo është diktaturë. Një televizion më kërkoi një intervistë dhe me interes e pranova. Pjesa e parë ishte në shtëpinë time, ku unë jam rritur. Më pas në qendër të qytetit ku po promovoja vlerat e qytetit. Dhe pjesa e tretë ishte fusha ku unë kisha nisur hapat e para si futbollist. E para, normalisht është shumë shumë e ulët. E para punës kur bën një gabim për herë të parë dhe herën e dytë që dëshiron ta mbulosh atë gabim quhet faj. Sa i përket atyre fëmijëve që i kam shpërqendruar, unë atyre fëmijëve i kam shpërndarë kupa, sepse ato na shohin si idhuj. Ne i mëshojmë dhe nuk dalim të themi që gabuam dhe kërkojmë falje. Jam një djalë nga Shqipëria besoj që kam pasur unë disa kontribute për këtë vend dhe meritoj të jap intervistë në çdo stadium e terren”, u shpreh Lila.