NGA MARK MARKU
Departamenti i Letërsisë u ka rezervuar një surprizë të këndshme studentëve të rinj që sapo kanë filluar vitin e ri shkollor. Për t’i uruar studentët e rinj, ky departament ka organizuar një takim të hapur me shkrimtarin dhe kritikun socrealist Prof. Nasho Jorgaqi.
Ndoshta për pedagogët e atij departamenti nuk ka ndonjë domethënie të madhe një gjë e tillë, madje disa prej tyre mund të jenë të lumtur që profesor Nasho do t’i nderojë me praninë e tij, por për këdo që i merr mesazhet ashtu siç ato merren në raste kësodore, nderimi i studentëve me një figurë të këtillë intelektuale dhe kaq të kompromentuar me regjimin komunist, nuk do të thotë as më shumë e as më pak se rikthimi i figurave simbolike të socrealizmit në jetën akademike dhe riciklimi i tyre te një brez i cili nuk e ka aftësinë për ta gjykuar atë që po u ndodh.
Nuk e di se ç’do t’u thotë Profesor Jorgaqi studentëve, 25 vjet pas ikjes së tij nga auditoret e atij fakulteti, po me siguri ai nuk ka për t’u thënë asgjë për mënyrën se si ai dhe kolegët e tij i shkatërruan letërsinë, kritikën dhe studimet për letërsinë, duke i vënë në shërbim të propagandës së regjimit më diktatorial të Europës, se si i ndaluan autorët më të mirë të letërsisë shqipe si Fishta, Konica, Koliqi, Haxhiademi dhe se si i shanin nëpër leksione, se si e shkëputën letërsinë dhe universitetin shqiptar për 50 vjet nga zhvillimet e letërsisë botërore dhe se si i ndaluan autorët më të mirë të gjithë letërsisë bashkëkohore botërore të bëheshin pjesë e kënaqësisë së leximit të studentëve shqiptarë, duke u dhënë si model të vërtetë dhe të vetëm të letërsisë romanin “Nëna” të Gorkit, poemën “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajit (ne kur ishim studentë ia deformonim mbiemrin në Maskaraj) dhe romanin “Çlirimtarët” të DH. S. Shuteriqit. Nuk besoj se profesor Nasho do t’u thotë gjëra të tilla studentëve.
Me siguri ai do t’u serviret studentëve si shkrimtar dhe kritik “i njohur”, domethënë ashtu siç ishte para viteve ‘90. Studentët që do të jenë aty, nuk e dinë se ai është shkrimtar i njohur, por i njohur si shkrimtar mediokër që përpunonte tezat dhe informacionet e Sigurimit të Shtetit në romanet e tij kundër diversantëve, se është kritik i njohur, por i njohur se ka kontribuar bashkë me të tjerë në shkatërrimin e letërsisë dhe të kritikës letrare në Shqipëri.
Studentët e rinj ngaqë nuk kanë për ta lexuar kurrë nuk kanë për ta kuptuar kurrë se ai ishte i njohur për kontributin që ka dhënë për instalimin e metodës së realizmit socialist në Shqipëri, metoda më e përsosur për banalizimin e letërsisë. Dhe profesorët e tyre me siguri nuk ka gjasa që t’ua shpjegojnë një gjë të tillë nëpër leksionet e letërsisë bashkëkohore, se ndonjëri nga ata që jep letërsinë bashkëkohore aty është po aq mediokër, po aq shërbëtor i regjimit, po aq i pandreqshëm, po aq i inkriminuar në sulmin ndaj shkrimtarëve dhe letërsisë (por me të do të merrem më gjatë në një shkrim tjetër).
Ata nuk e dinë, ashtu siç nuk e dinë studentët e Universiteti “Fan Noli” në Korçë, universitet ku edhe u nderua së fundmi me titullin Honoris Causa, se profesor Nasho ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në gjithë atë rrënim shoqëror e kulturor që Shqipëria përjetoi gjatë 50 vjetëve të regjimit komunist. Promovimi i Nasho Jorgaqit nuk është i rastësishëm.
Kemi dëgjuar të flitet gjithë këto ditë për Dritëro Agollin, dhe të flitet për të njëlloj si në kohën kur ai ishte shkrimtari më i promovuar i regjimit. Ashtu siç po shfaqet prej më se një muaji Dritëro Agolli si patriark i letërsisë shqipe prej Akademisë së Shkencave. Askush nuk e tha një fjalë se Dritëro Agolli qe një talent i madh i letërsisë, por që 90 për qind të veprës së tij e ka banale, sepse e vuri në shërbim të propagandës së regjimit komunist.
Askush nuk e tha një fjalë për angazhimin e tij në mitizimin e një diktatori dhe të shtetit të tij kriminal. Dritëro Agolli mund të ketë qenë burrë i këndshëm, e madje edhe zemërmirë si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por ai ka qenë kryetar i një institucioni që në piramidën e krimeve të kryera nga komunizmi ka pjesën e vet. Kjo nuk do të përbënte asnjë pengesë që ajo pjesë e veprës që i mbetet, të promovohet. Por kjo nuk ndodhi dhe Dritëro Agolli u përkujtua si të mos kishte jetuar fare në Shqipëri në 40 vjetët e terrorit komunist.
Promovimi i figurave të tilla të regjimit bëhet në një klimë kur restaurimi i regjimit komunist dhe i sistemit të vlerave të ngritura prej tij ka arritur kulmin. Edi Rama kërkoi falje vjet gati me lot në sy para shkodranëve për dekorimin e ishhetuesit të At. Zef Pllumit. Por jo më larg se një javë më parë, kur kori i Enveristëve filloi të ulëriste kundër dekorimit të 67 viktimave të terrorit komunist në Shqipëri nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ai u ngrit dhe filloi të shante opozitën si balliste po sipas atij modeli socrealist që po përpiqet të restaurojë kudo. /Panorama/
*Titulli i redaksisë