Ne kemi mësuar mjaftueshëm mbi Covid-19, për të ditur se deri në çfarë momenti gjërat janë nën kontroll dhe kur prej tij nuk rrezikohet jeta. Kjo nuk është e vërtetë për të ashtuquajturin “Covid i zgjatur në kohë” kur dëmi që virusi i bën zemrës suaj mund të paraqesë probleme me të cilat duhet të përballeni më vonë gjatë jetës.
Është folur shumë mbi faktin sesi Covid mund të ndikojë në zemrën tuaj, por çfarë po ndodh saktësisht? Një studim i fundit me ultratinguj na jep një ide, por lajmet nuk janë aspak të mira. Siç e zbuloi kërkimi nga Shkolla e Mjekësisë në Mount Sinai, botuar në “Journal of the American College of Cardiology”, 62 përqind e pacientëve me Covid-19 të përfshirë në studim kishin prova të dëmtimit të zemrës.
Natyrisht, nuk do të thotë që 62 për qind e të gjithë njerëzve të prekur nga Covid-19 do të përjetojnë probleme të rënda me zemrën, por detajet e mëtejshme të të dhënave janë ende të frikshme. Studimi përfshiu 305 pacientë të shtruar në spital me Covid-19, me një moshë mesatare 63-vjeç.
Gjashtëdhjetë e shtatë për qind e pjesëmarrësve ishin burra. Midis tyre, 190 kishin prova të dëmtimit të miokardit siç tregohet në skanerin me ultratinguj. Ndërsa 118 prej tyre kishin pasur dëmtime para se të shtroheshin në spital (dhe ka të ngjarë para se të prekeshin nga Covid), 72 prej tyre i shfaqën këto dëmtime gjatë kohës që ishin shtruar në spital.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Maunt Sinai “anomalitë ishin të ndryshme, me disa pacientë që shfaqnin anomali të shumta” në rajone të ndryshme të zemrës, shumë prej të cilave mund të çojnë në sulme në zemër, dëmtim të zemrës, emboli pulmonare dhe bllokim të frymëmarrjes, si dhe gjendje që çojnë në tkurrjen e dhomave të zemrës.
Ndërsa lloji i saktë i dëmtimit dhe pasojat e tij ndryshonin, studiuesit gjetën gjithashtu një lidhje midis këtij dëmtimi tek pacientët me Covid-19 dhe troponinës, një proteinë që lëshohet në gjak kur dëmtohet muskuli i zemrës.
Tek ata që kishin dëmtimin më të rëndë, nivelet e troponinës u rritën me 31.7 për qind. Ky studim tregon se Covid-19 është edhe më i rëndë për njerëzit me sëmundje ekzistuese të zemrës, dhe i aftë të shkaktojë probleme në zemër edhe tek ata që nuk kanë pasur më parë.
Duke kryer skanerin me ultratinguj në zemër, dhe duke matur nivelet e troponinës, mjekët shpresojnë që të jenë më të aftë në vlerësimin e dëmit të saktë që shkakton Covid-19 në zemrat e pacientëve të ndryshëm, dhe të riparojnë dëmin në përputhje me rrethanat.
Edhe pse janë duke u studiuar arsyet e sakta se përse Covid-19 dëmton zemrën, mendohet se një rol luan inflamacioni i përgjithshëm që i shkakton trupit koronavirusi i ri. Spekulohet gjithashtu që ai është i aftë të pushtojë qelizat receptore brenda indit të zemrës, duke shkaktuar kësisoj dëmtime të drejtpërdrejta.
Derisa të dimë më shumë mbi këtë çështje, këshillat në lidhje me Covid-19 mbeten kryesisht të njëjta:Bëni atë që duhet për të shmangur prekjen nga kjo sëmundje. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit që kanë probleme tashmë me zemrën. Por edhe nëse nuk keni, Covid-19 mund ta ndryshojë lehtësisht këtë situatë. / melmagazine – bota.al