Nga Desada Metaj
Edi Rama realisht nuk ka patur asgjë më të mirë për të bërë sot se sa të filmojë veten në një monolog gjynahqar për linçimin që po i bën media në Shqipëri. Asgjë nuk e shqetëson kryeministrin e Shqipërisë më shumë se analistët dhe opinionistët, gazetarët dhe portalet, ato që siç duket janë shndërruar në makthin e tij të kohëve të fundit.
Sigurisht që Edi Rama në 9 minutat e monologut kryeministror nuk ka harruar të veçojë atë pjesë të medias që llokoçitet me shpërblimet e qeverisë dhe sheh vetëm suksese e arritje nën drejtimin e tij.
Por gjuha e varfër dhe fjalori i limituar i ish mikut të shtypit, nuk fsheh dot nervozizmin e kreut të qeverisë ndaj kritikave, që bashkëpuntorët me sa duket nuk guxojnë t’ja thonë dhe servilët sigurisht kanë frikë edhe ti mendojnë.
Në këtë të dielë kur organizohet një protestë moderne dhe model për ruajtjen e Valbonës, kur ende nuk dihet fati i ligjit për riciklimin e mbetjeve, kur konçensioni për kontrollin mjekësor i Vilma Nushit u rrit me miliona euro të tjerë, ai nga maja e Olimpit të Rilindjes ka zgjedhur të merret me median, me kritikët.
Padyshim, ata mund të kenë mëkatet e tyre në këtë treg të parregulluar, në këtë kaos ku nëse nuk je klient i qeverisë dhe nuk sheh arritjet e saj, etiketohesh si linçues dhe mendjeshkrtër…. pikërisht nga ai që nëse nuk të blen me para të shet si të paaftë, arrogant, të pazotë apo kush e di çfarë epitetesh të tjera të dala nga fjalori i varfëruar i analistit dhe opinionistit të dikurshëm.
Edi Rama ka zgjedhur një të dielë pasdite për t’i treguar atyre që e kanë votuar se nuk dueht të dëgjojnë çfarë shkruajnë portalet dhe thonë opinionistët sepse kjo do jua prishë imazhin që ata kanë në kokën e tyre për Shqipërinë. Mbase për disa kjo dhe mund të funksionojë, por Edi Rama duhet të lusë fatin që shumë të tjerë edhe nga ata që e kanë votuar të mos e dëgjojnë delirin e tij të së dielës pasdite. Sepse vetëm kështu mund të shmangë mendimin e tyre se kryeministri po sillet si një diktator me pamje dhe veshje moderne.
“Kësaj periudhe po i vjen fundi” thotë madje duke e përsëritur 2 herë kryeministri fjalinë me të cilën paralajmëron ndoshta dhe ndryshime në ligjin për funksionimin e medias online. Ndryshime që po i gatuan së bashku me segmente të opozitës që po ashtu si kryeministri shohin armikun tek media dhe gazetarët.
Pa dyshim që media dhe gazetarët, analistët apo opinionistët që Edi Rama përmend sot në përçartjen e tij të mbrëmjes kanë mëkatet e tyre, gabime e probleme pa fund. Që nisin me etikën, kontratat e punës, blerjen apo shitjen sipas interesave politike.
Po, media dhe gazetaria është me shumë probleme në Shqipëri dhe kjo jo vetëm sepse Edi Rama, bashkëpuntorë të tij apo paraardhës të tij e blenë dhe e shitën me bekimin e politikës. Dhe sot, kur pazaret ndryshojnë dhe gjobat ndërrojnë kah, mërziten e turfullojnë kundër medias dhe gazetarëve që dikur i kishin në borderotë e partisë apo qeverisë.
Media ka probleme me vërtetësinë e lajmeve që përcjell, sikundër qeveria ka probleme me transparencën, media nuk ka etikë dhe shkel me të dyja këmbët privatësinë, ashtu si Edi Rama qahet për fjalorin e shtypit, ndërsa fjala e tij në parlament do të skuqte nga turpi dhe “lacat e bllokut”. Media përcjell lajme të pavërteta që padyshim lëndojnë, por sigurisht vrasin më pak se gënjeshtra e “shëndetsisë falas”.
Kjo sjellje prej Frankeshtajni i shkon fiks për shtat Kryeministrit që ndoshta nesër, si për Hallouin, duhet të veshë pelerinën e zezë e dhe të nisë gjuetinë ndaj atyre që e kritikojnë në portalet online.
Sepse ndoshta portalet janë dritaret e një shtëpie të rrëmujshme, pa rregulla që s’ka pak që është ndërtuar, por këto dritare janë pakrahasimisht më të pranueshme se bunkeri mediatik televiziv dhe i shkruar që ka për kryeredaktor Edi Ramën.