Nga Genc Pollo, ish-ministër e deputet
-Veliaj shpall si të Mjaftit projektet e ministrisë
Në vitin 2006, asokohe ministër Arsimi, punoja për projektin “Shqipëria lexon”, i cili parashikonte pasurimin e bibliotekave shkollore me libra letrarë dhe promovimin e kulturës së leximit. Partner i ministrisë në këtë projekt ishte UNICEF-i, agjenci e OKB për fëmijët që kontribuonte me ekspertizë e me pak fonde. Për arsye të shtrëngesave financiare u detyruam të fshinim disa zëra joesencialë të buxhetit të projektit, mes tyre edhe PiaRin dmth promovimin publik. UNICEF-i, që kishte pajtuar shoqatën MJAFT për këtë, i njoftoi ata për anullimin; promovimin e bëri zyra e shtypit e ministrisë me punë më shumë e pa kosto shtesë. Projekti u lançua në shkollën Bajram Curri, Tiranë më 19 dhjetor dhe eci shumë mirë. Asgjë e veçantë deri këtu përveçse që një javë mbas lançimit duke shkuar në mbledhjen e qeverisë pashë që muret anësorë në fund të rrugës së Durrësit e deri tek kolonat e Pallatit Hosteni ishin mbushur me afishe ku Mjaft shpallte se kishte filluar projektin “Shqipëria lexon” e do t’a zhvillonte më tej për hir të fëmijve të Shqipërisë. Ditët në vijim afishet e Mjaftit mbuluan të gjitha të tjerat në qytet dhe unë kundrova edhe talk show televizive ku Erjon Velia e shoqja ime e kohës së gjimnazit, Milva Ikonomi, prezantonin projektin e mrekullueshëm të Mjaft-it; pa thënë një gjysëm fjale për ministrinë apo për UNICEFin. Organizata e tyre jo vetëm që nuk kishte kontribuar në projekt (përveç afisheve që do i kenë paguar nga xhepi) por nuk kishte asnjë lloj lidhje institucionale me të (as marrëveshje me ministrinë a UNICEFin e as ishin rrekur te kishin ndonjë memorandum bashkëpunimi me ndonjë drejtori arsimore apo qoftë edhe me ndonjë shkollë diku). Po vazhdimisht, e pa ja bërë syri tërr flisnin për projektin e tyre; ekskluzivisht të tyre.
-Bushati njofton rijetëzimin e akteve të qeverisë Berisha
Në 28 tetor 2013, kam marrë pjesë në mbledhjen më të paqtë të mundshme të Komisionit të Përbashkët të Kuvendit dhe të Parlamentit Europian. PD kishte humbur zgjedhjet pak muaj më parë e qeveria Rama sapo ishte betuar para Presidentit Nishani. Në mbledhjen që mbahej në sallën Vienna-Prague të hotelit Rogner deputetët e PD dhe ata të PS/LSI në mazhorancë njëzëri u kumtonin kolegëve nga Strasburgu se Shqipëria e meritonte që t’i akordohej Statusi Kandidat. Madje në deklaratën e miratuar në 30 tetor, mazhoranca u zotua se nuk do të cënonte institucionet e pavarura e nuk do të ndryshonte emërimet në to gjatë mazhorancës së mëparshme (në janar-prill 2014 qeveria e mazhoranca i ndryshoi të gjithë titullarët e këtyre institucioneve gjithmonë në shkelje të ligjit). Klimën e paqes e mirëkuptimit nuk arriti t’a cënojë edhe sulmi i papritur e i shkurtër i shefit të deputetëve socialistë në Komision (sot numri dy në atë parti) kundër ish kryetares së Kuvendit e ish ministres së Integrimit i rënduar përkatësisht me akuza për nepotizëm në ambasada e për dëmtim të një kështjelle mesjetare nga një shtëpi verore e ndërtuar aty puqur. Akuzat personale stonuan aq shumë, saqë deputetët pa dallim partie e shtetësie filluan të shihnin sa njëri-tjetrin e sa tavanin dhe kryetari i Komisionit Eduard Kukan e ndërpreu shefin socialist me sebepin e minutazhit.
E veçantë për mua në këtë mbledhje ishte se ministri i Punëve të Jashtëme që prezantoi vizionin e qeverisë theksoi tre risi të saj: 1- caktimin e një ministri për marrëdhëniet me parlamentin; 2-caktimin e një ministri për strategjitë antikorrupsion; 3- shefit të opozitës i jepeshin disa shërbime si të ministrit (dmth një bodyguard i paguar nga Garda e Republikës dhe ambasadat tona e ndihmonin e shoqëronin në udhëtimet jashtë vendit).
Kur mora fjalën, ndër të tjera, vura në dukje se tre risitë e qeverisë Rama kishin filluar disi më herët: funksionin ministror të marrëdhenieve me parlamentin e kisha mbajtur vetë që nga viti 2008 ndërsa atë të koordinimit të strategjive e mbajta në mandatin 2009-2013. Edhe VKM që i jepte liderit te opozitës shërbimet si më sipër ishte miratuar para afro gjashtë vitesh nga qeveria Berisha (në muajt pas VKM-së dëgjova se Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës, i kishte lidhur rrogën në Gardë truprojes së vet por nuk kishte preferuar pritje e shoqërime nga diplomatët tanë).
Komenti im nuk mu duk se i bëri shumë përshtypje ministrit; kolegët socialistë rrudhën buzët ndërsa ata të LSI shikonin me ngulm dosjet e punës. Kukani përsëri e pa me vend të kalonte në pikën vijuese të rendit të ditës.
-Rama njofton se u arritën (sërish) marrëveshjet e Bashës
Këtë 9 nëntor mediat online pranë qeverisë mbas përfundimit të takimit online Minishengen-it mes kryeminstrave në Tiranë, Beograd e Shkup përhapën lajmin se u nënshkrua me sukses marrëveshja që qytetarët e tre shteteve do të qarkullonin lirshëm duke treguar në kufi vetëm letërnjoftimin dhe jo më pashaportën (deklarimi zyrtar ishte më i rezervuar). Pas kësaj arritje pritej një boom në qarkullimin e njerëzve në Ballkan me dobi për turizimin po edhe për vëllazërimin mes popujve. Por e vërteta është se shtetasit e Shqipërisë mund të udhëtonin me letërnjoftim në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi që nga viti 2010. Marrëveshjet dypalëshe me secilin nga këto shtete u negociuan e u nënshkruan nga ministri i Brendshëm, që asokohe ishte Lulzim Basha. Shtetet postjugosllave përfshi Kosovën (por hiq Sloveninë e Kroacinë pas antarësimit në BE) udhëtimin vetëm me letërnjoftim e praktikonin edhe para vitit 2010.
Më 9 nëntor 2020, po t’i besojmë ende deklarimit zyrtar, u ra dakord vetëm për udhëtimin me letërnjoftim mes Shqipërisë e Serbisë.
Post Scriptum: Ditën tjetër, ne Sofje u mbajt samiti i Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e të tërë liderëve nga Bashkimi Europian e nga Ballkani Perëndimor. Këta të fundit ranë dakord për një treg rajonal të pëbashkët bazuar në katër liritë europiane që do të përshtatej gradualisht me tregun e BE. Ata të parët premtuan mbështetjen e proçesit edhe me disa miliardë Euro. Sipas raportimeve të besueshme, Minishengenin Ballkanik nuk e zuri kush me gojë. Madje askush nuk i paskej thënë Vuçicit e Ramës: po çfarë dreqin ju duhej ky minishengeni o burra?!