Partia Demokratike pritet të përmbyllë drejtuesit e fushatës sipas qarqeve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e emrave janë publikuar.
Kështu së fundmi mësohet se Bujar Leskaj do të drejtojë fushatën në qarkun e Vlorës, atje ku PS ka caktuar Damian Gjiknurin, por pritet një angazhim edhe i vetë Kryeministrit Edi Rama, i cili përkohësisht ka caktuar veten edhe si drejtues në Durrës.
Nga burime ende jo zyrtare, mësohet se kreu i PD-së, Lulzim Basha, pritet të rikthehet në Elbasan, një qark që e ka drejtuar në 2009, ndërsa socialistët ia kanë besuar Taulant Ballës.
Në Durrës për demokratët do të jetë sërisht Oerd Bylykbashi, i cili ka kryesuar listën e PD edhe në 2017, ndërsa përkohësisht socialistët kanë Kryeministrin Rama.
Ndërkohë për demokratët në Fier do të jetë Gazment Bardhi, ndërsa socialistët i kanë besuar sërisht Gramoz Ruçit.
Në Lezhë demokratët pritet të drejtohen nga Enkelejd Alibeaj, ndërsa socialistët nga Lindita Nikolli.
Për Qarkun e Kukësit drejtues politik është caktuar Edi Paloka nga PD, ndërkohë që socialistët kanë vendosur Safet Gjicin.
Në Shkodër, duket se do të ketë një surprizë nga PD, e cila do ketë në krye të qarkut më të madh në veri të vendit, ish-Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa socialistët kanë vendosur Ilir Beqajn, i cili duket se do të suportohet edhe nga Tom Doshi, që kryeson PSD. Berisha ka deklaruar se tashmë e ka vendosur qarkun ku do të kandidojë, por nuk ka preferuar të bëjë publike detajet.
Në Tiranë, e cila në zgjedhjet e 25 prillit, do të ketë 36 mandate deputetësh, demokratët kanë menduar si drejtues të fushatës Jorida Tabakun, Griga Dumën dhe Belind Këlliçin, ndërsa socialistët kanë vendosur Elisa Spiropalin, Ervin Bushatin, si dhe Kryebashkiakun Erion Veliaj, që duket se do të mbështesë dy deputetët e Rilindjes.
Korça do të ketë si drejtues fushate nga PD, Edmond Spahon, ndërsa socialistët Niko Peleshin.
Në Gjirokastër, PD ia ka besuar drejtimin e fushatës Genc Pollos, ndërsa socialistët Bledi Çuçit.
Në qarkun e Beratit, PD ka vendosur si drejtues fushate Tomorr Alizotin, ndërkohë që socialistët do kenë Ermonela Felajn.