Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati gjatë ditës së sotme një takim me pensionistët e njësisë nr. 4 në Tiranë.
Basha u shpreh gjatë takimit se pensionistët nuk e përballojnë dot kostot e pandemisë, ndërkohë që Rama i jep miliona euro për biznesin mafioz të plehrave.
Po kjo gjendje sipas Bashës ‘me 25 prill kjo do të marrë fund’
‘Shqiptarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërkohë që numri i të infektuarve dhe atyre që humbin jetën prej pandemisë, po shtohet çdo ditë e më shumë.
Pensionistët janë ndër kategoritë më të rrezikuara, por dhe të lëna pas dore në kushte jashtëzakonisht të vështira, gati të pamundura.
Sot, u takova me disa pensionistë në Njësinë 4 në Tiranë dhe dëgjova histori vërtetë të dhimbshme. Ata e kanë të pamundur të përballojnë koston shtesë të pandemisë. Pensioni nuk u mjafton për faturat e rritura të dritave, ujit, ilaçeve të përditshme. Shpenzimet që ka sjellë pandemia e COVID-19 janë bërë një barrë shtesë për ta.
Në sytë e këtyre pensionistëve që kanë punuar një jetë të tërë, lexohet dhimbja dhe pamundësia për të përballuar kostot që shtohen çdo ditë, ndërkohë që qeveria vazhdon të çojë paratë në xhepat e oligarkëve dhe klientëve të saj. Ata më treguan se si kanë pasur të afërm të infektuar, dhe fatura e medikamenteve ka shkuar nga 500 mijë deri në 1 milion lekë të vjetra. Një pensioniste tregoi se ndonëse jetonte me djalin e infektuar me COVID, askush nuk kishte shkuar për t’i testuar, as atë e as familjarët e tjerë.
Ne s’mund të rrimë të heshtur përpara marrëzisë së pagesave miliona euroshe për biznesin mafioz të plehrave dhe inceneratorëve dhe harresës ndaj të moshuarve tanë. Prej 5 javësh i kërkoj qeverisë që të paguajë bonusin mujor 20 mijë lekë për 6 muajt e ardhshëm, për të zbutur barrën financiare të kujdesit shtesë për shëndetin. Nuk ka asgjë më të çmuar se jeta dhe shëndeti i njerëzve. Më 25 prill largojmë të keqen dhe nisim ta shërojmë Shqipërinë!’