Nga Klodian Tomorri
Sa herë që Shqipëria merr ndonjë çmim ndërkombëtar, zakonisht ndodh ndonjë gjë e keqe. Në 1987 kur Sofokli Lazri merrte çmim në Meksikë për ushqimin, Shqipëria ishte zhytur në uri dhe skamje ekstreme. Sa herë që Bashkia e Tiranës merr ndonjë çmim, Tirana bëhet më e pajetueshme, më e ndotur, më mbytëse. Sot Shqipëria mori çmimin e radhës, si vendi me përmirësimin më të mirë në indeksin e qëndrueshmërisë energjetike. Po sot, qeveria dha sinjalin e parë se centrali diellor i Karavastasë, investimi më i rëndësishëm energjetik i viteve të fundit, mund të shkojë drejt dështimit.
Ankandi për parkun voltaik të Karavastasë u deklarua si sukses i jashtëzakonshëm dhe gjatë garës u trumbetua me të madhe se këtë herë të gjitha kontratat ishin gati dhe procedurat nuk linin asnjë mundësi për dështim. Por disa muaj pas tenderit, kontrata e Karavastasë ka më shumë hije se dritë.
Në dokumentat e tenderit, që u zhvillua në 27 maj të këtij viti, përcaktohej se kontrata do të lidhej për 30 ditë pas shpalljes së fituesit. Në fakt, kontrata për zhvillim u lidh 2 muaj me vonesë nga afati ligjor, madje duke fshehur një të vërtetë të hidhur. Kontrata që i jep të drejtën shtetit shqiptar të blejë energjinë me çmimin 24.89 euro për mega nuk është nënshkruar akoma dhe arsyet nuk janë thjesht burokratike.
Marrëveshja për blerjen e energjisë ose PPA sic njihet ndryshe, përvecse i siguron shtetit energjinë me çmimin e lirë, është dokumenti bazë që detyron kompaninë Voltalia të lëshojë garancinë financiare për zbatimin e kontratës. Pra sot tenderi suksesshëm i Karavastasë është pa marrëveshje për blerje energjie, pa garanci financiare të bllokuar në favor të shtetit.
Ky ngërç nuk është i rastësishëm, Qeveria dhe kompania franceze duket se nuk po bien dakord për pjesën më të rëndësishme në investimin e Karavastasë. Detyrimin e kompanisë që t’i shesë gjysmën e energjisë shtetit shqiptar me çmimin 24.89 euro për mega. Burime nga Ministria e Energjisë thonë se kompania franceze është penduar dhe po kërkon mekanizma se si të rrisë përfitimet. Dhe me sa duket zgjidhja është gjetur tashmë.
Shumë shpejt qeveria pritet të shpallë garën për një central të ri diellor me fuqi 100 mega, këtë herë në zonën e Spitallës. Por absurdi më i madh qëndron në faktin e çmimit tavan, Burime nga Ministria e Energjisë thonë se ankandi për Spitallën pritet të hapet me çmimin 55 euro për mega. Këtu lindin dy pyetje thelbësore:
Si shpjegohet që hapet një gare e re në Spitallë të Durrësit , kur akoma nuk është mbyllur kontrata për Karavastanë ?
Si shpjegohet çmimi 55 euro i ankandit të ri kur në fakt si çmimm referencë duhej të merrej çmimi i ankandit të fundit, pra 24.89 Euro per MW, që u ofrua nga kompania fituese në Karavasta. E njëjta logjikë dhe rregull u ndoq nga ERE dhe u percaktua edhe në strategjinë e rishikuar të energjive të rinovueshme në 2019, ku si baze për hapjen e ankandit të ri merrej çmimi i ankadit të mëparshem, siç ishte ankandi i Akërnisë në 2018 që doli 59 Euro.
Po të marrësh në konsideratë, që gara për Spitallën pritet të përfundojë në fillim të vitit 2021, përfshirë dhe lidhjen e kontratës, kjo e bën procesin akoma më të dyshimtë nisur nga fakti që kostot e investimeve në energjinë diellore bien me një mesatare të paktën 15% çdo vit.
Të gjitha gjasat të çojnë në hamendësimin që ose centrali i Karavastasë po shkon drejt dështimit për shkak të çmimit dumping, ose pas tenderit për Spitallën është sërish kompania franceze Voltalia. Ndaj Spitalla po del me një çmim edhe më të lartë se ai që u ofrua në vitin 2018 në Akerni, po të marresh parasysh rënien e çmimeve në harkun e një periudhe gati 3 vjeçare, me qëllimin e vetëm që t’ju vijë në ndihmë përsëri fituesve të Karavastasë. Kështu ata do të mesatarizonin çmimin, ndërsa qeveria do të shmangte dështimin e ankandit të Karavastasë, por duke I ngarkuar qytetarëve një kosto më të lartë në kurriz.
Nëse kjo del e vërtetë shkelja nga pakujdesia e hapjes së ankandit me një çmim më të lartë se i fundit nuk është më një lajthitje si ato që bën shpesh së fundmi Ministria e Energjisë në raportimet e saj publike, por një faj i rëndë me pasoja kriminale në kurriz të ligjit dhe financave të drobitura të sektorit te energjisë.