Nga Andi Bushati
Në të gjitha mediat pranë opozitës qarkulloi në mënyrë uniforme një intervistë e shkuar e Jozefina Topallit, në kohën kur ishte kryetare e kuvendit dhe nr. dy i PD. Aty, ish zonja e hekurt e demokratëve masakronte Gazmend Oketën si dikë që u katapultua në parti, e deshi atë për poste dhe iku kur i humbi ato. Topalli shtonte me përbuzje se PD është parti e idealeve dhe jo e atyre që përplasin derën duke pretenduar se nuk ka demokraci të brendëshme, vetëm pasi u ndërpritet kariera (video poshtë).
Kush e ndjek situatën politike të tanishme e kupton lehtë se përse u zhvarros nga arkivat kjo video, pikërisht tani që Jozefina Topalli po përgatitet të konkurojë në zgjedhje me partinë e saj.
Ajo është kuadruar në sfondin e linçimit si tradhëtare e Bashës, e paguar prej Ramës, njeriu që do ti prishë punë opozitës dhe që po i shërben pushtetit në prag të zgjedhjeve.
Intervista e tetë viteve më parë po përdoret për të yshtur luzmën e militantëve ndaj dikujt që pështyma e hedhur lart po i bie mbi fytyrë, ndaj asaj që, përderisa nuk i përmbahet parimeve të veta të dikurshme, provon se sot po bën lojën e kundërshtarit.
Kësaj kryqëzate i kanë shërbyer edhe etiketime si ato të organit zyrtar të partisë, gazetës RD, e cila njëherë e përshkruante Topallin si vrasëse me pagesë kundër opozitës dhe herën tjetër e reshtonte në faqe të parë mes kukullave të Ramës. ⇓
Intervista që po i përdoret Jozefinës si mjet për të diskredituar qëllimet e saj të tanishme, nuk i shërben aspak linçuesve të saj. Ajo përpara se të dëshmojë që “zonja e hekurt” ka shitur shpirtin, nga që po vepron ndryshe nga ç’besonte dikur, tregon se sa mendje ngushtë dhe fanatik mund të bëhet kushdo kur e kufizon lirinë dhe gjykimin e tij brenda mureve të militantizmit partiak.
Personalisht unë ndihem shumë më pranë Jozefinës së sotme, sesa Topallit të djeshëm, duke qenë gjithmonë kundër hordhive që dikur ajo i ndërsente ndaj tradhëtarëve të partisë e që tani, si trashigimtarë të denjë të së njëjtës mendësi, i janë përveshur asaj.
Këto lloj turmash ekstremiste nuk kanë as memorie, as logjikë.
Eshtë e kotë që përballë tyre të ngresh disa pyetje.
Po si është e mundur që të besoni se Topalli qenkësh shërbëtore e pushtetit, kur ajo u bë e para grua që u përball me të dhe kriminilët e tij në parlament?
Po si mund të thoni sot se ajo po i prish punë PD-së, për sa kohë nuk folët asnjë fjalë kur Basha e largoi brenda natës nga partia si një relike të pavlefshme?
Po si mund të të rezultojë tani pengesë, përçarëse, fajtore për humbjen e mundshme të së ardhmes, ajo që vlerësuat se nuk hynte më në punë?
Po si mund të imagjinoni se firmos në borderonë e Ramës, kundër Bashës, kur, pikërisht ajo, u nxor nga politika në mënyrë skandaloze dhe antidemokratike, nga pakti okuli i këtyre të dyve, që polli më pas dhe disfatën e PD-së?
Doni të besoni tek justifikimi se ajo u spastrua bashkë me Patozin, Boden, Imamin, Bregun, Rulin ngaqë ishin pjesë e mëkateve qeverisëse të së shkuarës? Bëjeni, por atherë duhet të gjeni shpjegim për prezencën e Sali Berishës.
Doni ti kërkoni koherencë dhe ti kujtoni mënyrën se si ajo është sjellë me të larguarit e dikurshëm nga PD? Askush nuk iu ndalon. Por kjo nuk i bën nder as të shkuarës dhe sidomos as të ardhmes së kësaj partie.
Doni ta kërcënoni të mos hapë gojën dhe të bindet kokëulur për padrejtësinë që iu bë, në emër të shtëpisë së përbashkët? Eshtë e drejtja juaj. Ama, ngjan pak si absurde të amnistoni fajtorin dhe të predikoni sakrificë nga viktima.
Natyrisht është e kotë të rekesh ta bësh këtë debat me ata që refuzojnë apo përtojnë të mendojnë. Por stimulimi i këtij dialogu është me vlerë për pjesën jo militante të shoqërisë.
Ajo duhet ftuar të reflektojë se e drejta dhe e vërteta absolute nuk gjendet vetëm brenda selisë së partisë. Se ai që ka vulën nuk ka me vete domosdoshmërisht edhe arsyen. Se jo gjithmonë të qenit në opozitë është simbol i moralit dhe cilido që i kundërvihet linjës së saj zyrtare është i shitur apo tradhëtar.
Pikërisht linçimi, i frymëzuar nga qendra, që po i bëhet Jozefina Topallit është një sinjal i keq i mendësisë autoritare që ekziston, jo vetëm në krahun e pushtetit, por që tenton të imponohet edhe brenda opozitës.
Në këtë kuptim, ky është një ogur i trishtë për të gjithë ne. Historia e afërt përbën paralajmërimin e asaj që mund të ndodhë nesër.
Edi Rama që është sot nuk mbiu nga qielli. Ai u farkëtua edhe gjatë kohës kur qe në opozitë.
Kur dikush e kritikonte për spastrimin që i bëri PS, atë e etiketonin si shërbëtor të Berishës. Kur dikush ngrinte zërin për shndërrimin e një partie të majtë në një grup biznesmenësh milionerë, ai fshikullohej se donte të hiqte vëmendjen nga Gërdeci dhe 21 janari. Kur dikush fliste për mos largimin pas humbjes në zgjedhje, ai shpallej si tradhëtar i zemrave socialiste.
Dhe këshu arritëm sot tek pushteti i pakufishëm i një të marri, pa fre dhe pa kontroll. Përfunduam këtu edhe për arsyen se e farkëtuam opozitarizmin si privilegj të një njeriu të vetëm dhe anatemuam këdo që predikonte një rugë të ndryshme nga e tija.
Rasti Jozefina Topallit është sinjali i paralajmërues i përsëritjes së kësaj historie fatkeqe.
Natyrisht, askush nuk mund të vërë bast për qëllimet e saj. Askush nuk e di se sa ështe ajo e motivuar nga parimi apo nga mëria, nga dëshira për të bërë mirë apo nga instikti i hakmarrjes. Askush s’është në gjendje të thotë nëse ka peshë ti prishë punë PD-së, apo ta forcojë opozitarizmin.
Por, ama një gjë është e sigurtë, fushata për shpalljen e saj armike, as nuk i fsheh problemet e opozitës, as nuk e mbulon dot spastrimin antidemokratik të katër viteve më parë.
Për më tepër ajo prodhon efektin e kundërt.
Ajo, në rastin më të keq për PD, parathotë një fat si ai kur Topalli denigronte Oketën, ndërsa në rastin më të keq për shqiptarët, paralajmëron ardhjen e një lideri të pagabueshëm, që ka triumfuar mbi tradhëtarët.
/Lapsi.al/