Një vatër zjarri është shfaqur këtë të mërkurë në Voskopojë, në zonën e njohur si “Antenat” ndërsa menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt zonës janë nisur dy mjete të shërbimit zjarrfikës, një automjet zjarrfikës dhe një mjet tip “pick-up” me efektivë për ndërhyrje.
Në operacion janë angazhuar gjithashtu forca të Njësisë Administrative Voskopojë dhe punonjës të Shërbimit Pyjor.
Për shkak të terrenit të vështirë, automjeti zjarrfikës nuk ka mundur të afrohet pranë vatrës së zjarrit, ndërsa efektivët kanë vijuar lëvizjen në këmbë për të ndërhyrë në zonën e prekur.
Sipas informacioneve paraprake, një pjesë e forcave ka nisur ndërhyrjen për izolimin e flakëve, ndërsa pjesa tjetër po i bashkohet operacionit.













