Nga Enver Robelli
Ndërsa Hashim Thaçi përbuz njerëzit e Kosovës, Edi Rama tenton të bëhet “lider rajonal” bashkë me Aleksandër Vuçiqin dhe të “pajtojnë” shqiptarët dhe serbët. Kjo është një barrë që Rama dhe Vuçiqi s’mund ta bartin mbi supe. Madje edhe nëse të dyve u del në ndihmë Thaçi. Kjo nuk është gjeneratë politikanësh që pajton popuj, kjo është gjeneratë politikanësh që e përdor retorikën boshe të pajtimit për të fituar ndonjë poen në Bruksel dhe Berlin, gjithnjë duke shpresuar se BE-ja do të mbyllë sytë përballë politikanëve ballkanikë, të cilët edhe mund të tolerohen për aq kohë sa vjedhin popujt e tyre. Bota ka probleme më të mëdha.
Duket se Edi Rama nuk ka fat në mësymjet e tij për t’u dukur i ditur, me ç’rast citon autorë e personalitete të ndryshme. Së fundi, kur vizitoi Serbinë, ai citoi Ivo Andriqin. Mediat serbe dhe portali i Vladimir Putinit në Serbi, “Sputnjik”, njoftuan se Rama ka cituar këto fjalë të nobelistit jugosllav të letërsisë: “Mes frikës dhe shpresës përherë ekziston një hapësirë dhe shumë njerëz e kalojnë jetën në atë hapësirë të errët, atje ku kurrë nuk ndodh asgjë”. Në të vërtetë Andriq ka thënë: “Mes frikës se do të ndodhë diçka dhe shpresës se ndoshta nuk do të ndodhë, ka më shumë hapësirë se ç’mendohet. Në atë hapësirë të ngushtë, të ngurtë, të zhveshur dhe të errët shumë prej nesh kalojnë epokën e tyre”. Nëse ka aq shumë ambicie të shfaqet si citatolog, Rama së paku duhet të jetë korrekt në lexim të citateve.
Linguistëve të vëmendshëm të Tiranës qëmoti u ka rënë në sy një kreativitet grotesk dhe fluturues i Ramës me citate. Ai ka shpikur – sipas të gjitha gjasave – një citat të Immanuel Kantit, i cili nuk gjendet në veprat e filozofit gjerman, ka sajuar një citat të Milan Kunderës duke folur në ceremoninë e përurimit të godinës së meremetuar të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ka cituar jo besnikërisht, por sipas kutit të tij fjalë të Nënë Terezës dhe të arkitektit britanik Christopher Wren.
Pasi në mediat shqiptare (sidomos të Kosovës) u kritikua për shkak se citoi Ivo Andriqin, autor i një memorandumi për pushtimin e Shqipërisë dhe shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës, Rama nuk u tërhoq asnjë milimetër, por gjeti kohë të ofendojë. Tha: janë “dokrra” akuzat se Andriqi ka qenë antishqiptar, ndonëse këtë e dëshmon dokumenti i përpiluar prej tij në prag të Luftës së Dytë Botërore, i cili, mes tjerash, parashihte pushtimin e Shkodrës. Një politikan i mirë kur gabon kërkon falje, korrigjon deklaratat, përmirëson gabimet. Ndryshe Rama: ai është këmbëngulës dhe krenar edhe për deklaratat më absurde.
Në Beograd ai pyeti: “Për shembull çka është Emir Kusturica? A është ai boshnjak a serb? Gjithsesi është njëri nga krijuesit më çudibërës të filmit”. Këso lloj pyetjesh tregojnë se Rama e shihte vizitën në Beograd si një lloj pjesëmarrjeje në një festival letërsie apo pikturash. Në vend se të pyeste kush është Kusturica, do të mund ta kritikonte për sjelljet prej palaçoje, për përkrahjen që ua ka dhënë kriminelëve të luftës si Milosheviqit, Karagjiqit dhe Mladiqit. Kusturica është një nacionalist serbomadh, i cili ka deklaruar: “Kosova është kapitulli më i madh i plaçkitjes politike të historisë më të re të Evropës”, pastaj: “Sepse nëse vrasësit na i marrin mitet, nuk ka më Serbi, siç nuk ka Amerikë pa Hollywood” (mesazh drejtuar ambasadorit britanik në Beograd, i cili kishte kërkuar nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës), “Për Kosovën ia vlen të luftohet”, “Rrëfimi për Kosovën dhe Metohinë është shkronjë në turpin dhe pandershmërinë e rendit të ri botëror”, “Kosova është grabitur dhe shkëputur si zemra e gjallë”.
Kuptohet, opinionit serb, ende të infektuar nga helmi nacionalist, i pëlqen një kryeministër i Shqipërisë i cili nuk ka dije të duhur historike dhe i cili nuk ia përmend Aleksandër Vuçiqit, ta zëmë, një platformë të Partisë Radikale Serbe, ku për zgjidhjen e problemit të Kosovës propozohej infektimi masiv i shqiptarëve me HIV, që pastaj shkakton sëmundjen e AIDS-it. Ndërsa Rama përshëndetet me Vuçiqin në stilin “Give me five!”, në Kosovë shumë njerëz atë e paramendojnë ende si nacionalist me injeksion në dorë duke infektuar shqiptarët me sëmundje vdekjeprurëse.
Disa politikanë të Kosovës, mes tyre edhe ministri i Jashtëm, i cili është historian, kanë njohuri për këto njolla biografike të Vuçiqit, andaj apelojnë për kujdes në raport me këtë qeveri serbe. Për dallim nga Rama i cili shfrytëzon pozitën e kryeministrit për të hapur ekspozita me vizatime e shkarravina (kështu i quan edhe vetë), ministri i Jashtëm i Kosovës së paku ka disa punime shkencore të botuara në revista serioze, siç është ajo gjermane “Südosteuropa”, ku mes tjerash ka botuar një punim me titullin: “Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe funksioni i mitologjisë në konfliktin kosovar”.
Kritikat ndaj Ramës që vijnë nga Kosova, qofshin nga politikanët apo nga mediat, nuk kanë të bëjnë (vetëm) me xhelozi se ai tani po merr rolin e “babait të kombit”, por me faktin se si kryeministër Rama e ka reduktuar politikën në performansë artistike, revy mode dhe nënçmim të kritikëve – si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Ai nuk ballafaqohet me argumentet e kritikëve (kolegen e tij të deritanishme partiake Mimoza Hafizi e këshilloi të “hajë përshesh” në partinë e re të Ben Blushit), por tregon “batuta”. Rrjedhimisht, periudha e qeverisjes së Ramës mund të hyjë në histori si “vitet e batutizmit” të politikës së jashtme.
Ndërkohë që humbet energji për polemika gjithnjë e më absurde mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, dy vendet vazhdojnë të jenë pengje të politikanëve të korruptuar dhe një sistemi të drejtësisë që nuk funksionon. Problemi i kanabisit në Shqipëri po përkeqësohet, njoftoi së fundi revista “The Economist”, e cila lexohet nga elitat vendimmarrëse të botës. Segmente të qeverisë janë nën kontroll të oligarkëve. Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim në vitin 2006, por tek në vitin 2014 është avancuar si vend kandidat për anëtarësim në BE, ndërkohë që negociatat për anëtarësim nuk kanë filluar ende. E krejt thelbi i procesit të integrimeve është përfundimi me sukses i negociatave dhe hyrja në BE. E famshmja reformë për drejtësi është miratuar, por mes miratimit dhe zbatimit është një rrugë e gjatë – këtë rrugë qeveria shqiptare dhe opozita as që e kanë nisur.
Edhe në Kosovë pushteti bën shumë zhurmë dhe propagandë për Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim. Kjo marrëveshje është një sukses minimal. Nëse Kosova nuk shndërrohet në shtet funksional dhe nuk do të ketë një klasë politike të pakriminalizuar, atëherë do të presë edhe më gjatë se Shqipëria në rrugën e integrimeve evropiane. Debati në mediat e Tiranës dhe Prishtinës që shpërtheu sërish pas vizitës së Ramës në Serbi ishte një rast i mirëseardhur për Hashim Thaçin të zaptojë ekranet televizive dhe të fyejë publikun, të tallet me njerëz, të hiqet si posedues i myhyrit me të cilin vulosen fatet e Kosovës dhe popullit të saj, ndërkohë që epoka e tij po perëndon në mënyrë të turpshme.
Në një paraqitje televizive Thaçi, mes tjerash, tha se po të ishte kryeministër do t’i kishte punësuar 200 mijë veta – “ashtu siç kam premtuar”. Këtë e tha në ditët kur u publikua aktakuza për korrupsion kundër kushëririt të tij Njazi Thaçi, i cili prej vitesh konsiderohet pronar faktik i KEK-ut, dhe kur drejtësia kosovare e sapolavdëruar nga Hashim Thaçi e liroi si të pafajshëm Nuhi Ukën, njërin prej të dyshuarve si prijës i rrjetit kriminal për manipulim me prona në Prishtinë dhe rrethinë. I izoluar nga bota (si kryetar i Kosovës, Thaçi nuk i ka bërë as pesë vizita jashtë shtetit për gati një vit në post), atij i ka mbetur vetëm politika e ulët lokale, madje javën që shkoi vrapoi në një studio televizive në Tiranë për të dhënë intervistë dhe kështu tregoi më pak stil në post se Atifete Jahjaga. Asaj së paku i pati ardhur Sonila Meço në Prishtinë – “në lokalet e zyrës së presidentit të Kosovës të Republikës së Kosovës”, siç thoshte Jahjaga.
Ndërsa Thaçi përbuz njerëzit e Kosovës, Rama tenton të bëhet “lider rajonal” bashkë me Aleksander Vuçiqin dhe të “pajtojnë” shqiptarët dhe serbët. Kjo është një barrë që Edi Rama dhe Vuçiqi s’mund ta bartin mbi supe. Madje edhe nëse të dyve u del në ndihmë Thaçi. Kjo nuk është gjeneratë politikanësh që pajton popuj, kjo është gjeneratë politikanësh që e përdor retorikën boshe të pajtimit dhe dialogut për të fituar ndonjë poen në Bruksel dhe Berlin, gjithnjë duke shpresuar se këshilltarët e Angela Merkel dhe të Federica Mogherini do të mbyllin sytë përballë politikanëve ballkanikë, të cilët edhe mund të tolerohen për aq kohë sa vjedhin popujt e tyre. Bota ka probleme më të mëdha.