Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.
Nga Visar Zhiti
ÁTË NË LETRAT SHQIPE
Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake “Átë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm si klerik dhe atë në letërsinë shqipe, por në vetëdijen e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhembje dhe dufe, dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zemërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndihet i gjallë vazhdimisht.
Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.
At Gjergj Fishta është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdotik. Kur dikush, p.sh., ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, t’i thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobus, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.
Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyerje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qëndresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Peizazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.
23 Tetor është datëlindja e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të vendit e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shter, por për ta përkujtuar, ne kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e Atë Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.
Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmërisht me Shqipërinë dhe shqiptarët.
DREDHA E DJALLIT
Te satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç të tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirëfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmëron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Z. S.)
……………………………………
E shka t’lânë kta kater ujq,
Qi i kercnohen shoqi-shojt,
Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,
Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.
Edhe m’duket se për né,
Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi
Sa mâ para ka me lé,
Pse na dreqnit kem’ kojshi…
Qe, pra, tash se per ç’arsye
Punë n’Shqypni s’jet pa u shpërthye,
Due me thânë, pa u partallisun
Çdo pûnë mbarë qi t’jetë nisun
E kjo nâmë, ase kjo rrfé,
Ka me ngjatun, thom, ndër né
Dersá menden na t’a rrisim
E me dije mos t’a shndrisim;
Dredha e djallit, pse s’âsht tjetër
Si e kam kndue nder libra t’vjetër
Veç padija dhe krenija,
Qi shkojn njitë si trupi e hija.
SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS
(nga libri “Thesaret e frikës” i poetit Visar Zhiti)
shkruar gegërisht
N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën
copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.
Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,
që mbi dhe ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve
e nan dhe eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq
dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet
si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si
shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.
Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.