Nga Boldnews.al
Ilirjan Celibashi u zgjodh nga Kuvendi si Kryekomisioner shtetëror për Zgjedhjet, duke u rikthyer në këtë detyrë pas pothuajse 15 vitesh.
Celibashi ka drejtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2001, proces ky që krahas të tjerave prodhoi edhe fenomenin “Dushk”, ku nga një zonë elektorale u prodhuan plot 9 mandate deputetësh.
Sot ish-ministri socialist, detyrë që Celibashi e ushtroi në mandatin e parë të Ramës si Kryeministër, do të ketë sërisht në dorë të administrojë një proces zgjedhor. Suporti politik që ai ka është pothuajse i njëjtë me atë të 2001, ku Kryeministri i përket Partisë Socialiste, dhe policia nuk është më pak e politizuar, po të kihen parasysh veprimet e saj.
Nëse në 2001 manipulimi i votave kryhej përmes përdorimit të policisë dhe presionit të saj, dhe disa “të fortëve”, që kishin ndikim në zona të ndryshme elektorale, sot krahas “të fortëve” apo “çunave problematikë”, skema e manipulimit është më e sofistikuar, përfshi këtu edhe miliona euro që mund të hyjnë në qarkullim për blerje votash. Kjo u provua në 2017 dhe nuk është aspak çudi që të përsëritet edhe në 2021.
Ishin pikërisht zgjedhjet e 2001 të administruara nga KQZ e drejtuar nga Ilirjan Celibashi që 1 vit më pas, në 2002, çuan në marrëveshjen e famshme mes Kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nanos, dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. Marrëveshja konsistonte në një ndarje të pushtetit, jo qeveritar, por të të gjitha institucioneve që parashikohej se kërkonin mbi 71 vota, ku përfshiheshin Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm, KLSH, Avokati i Popullit dhe më pas formatimi edhe i vetë KQZ-së.
Atëherë pyetja që lind është se çfarë garancie mund të ofrojë Celibashi për standardet zgjedhore?
Në raportin e OSBE/ODIHR të 2001 thuhet shprehimisht se “trysnia politike në disa raste dukej sikur kompromentonte veprimtarinë e KQZ-së”. Bëhet fjalë për Komisionin që drejtohej nga Ilirjan Celibashi, i cili as më shumë e as më pak, mund të tregonte integritetin e tij në vendimmarrjet apo urdhërat politikë që në atë kohë dilnin sa nga zyrat e Kryeministrisë ashtu edhe të Partisë Socialiste.
Në të njëjtin raport thuhet se “mënyra me të cilën KQZ-ja trajtoi disa prej ankesave zgjedhore kyçe nuk ishte gjithmonë e mjaftueshme”.
Dhe në një tjetër paragraf të raportit evidentohej se “parregullsi serioze në procesin zgjedhor, përfshirë këtu raste të mbushjes së kutive të votimit dhe të përdorimit të fletëve të votimit të parashenjuara, u vërejtën në një numër të kufizuar zonash dhe në një numër të vogël zonash ku kandidonin politikanë të sprovuar, pasqyrimi i rezultateve ishte problematik, duke minuar kështu progresin e arritur dhe duke i bërë disa parti politike të vinin në dyshim rezultatet në ato zona”.
Po në raportin e OSBE/ODIHR të vitit 2001 thuhej se “Kryetari i KQZ-së kërkoi një qëndrim kolegjial ndaj vendimmarrjes, e cila ishte vetëm pjesërisht e suskseshme. KQZ-ja ishte e përçarë për shumë çështje të rëndësishme dhe disa vendime u morën me votën e shumicës, duke mposhtur një opinion mjaft të fortë të pakicës”.
“Kjo u duk mjaft qartë gjatë diskutimeve për regjistrimin e kandidatëve “të pavarur” që mbështeteshin nga një parti, ankesat dhe apelimet paszgjedhore, dhe për votimin e vonuar në Zonën 60. Axhendat e seancave dhe dokumentat përkatëse, shpesh, nuk shpërndaheshin përpara takimeve dhe u morën disa vendime të rëndësishme në takime jozyrtare. Si pasojë, disa përfaqësues partiakë nuk kishin dijeni për temat e diskutimit dhe nuk ishin të informuar për të gjitha vendimet e marra. KQZ-ja nuk zbatoi gjithmonë rregulla korrekte proceduriale në dhënien e vendimeve”, thekson raporti.
Dhe ndoshta, pas Dushkut, manipulimet më skandaloze të zgjedhjeve të 2001 ishin ato në Qarkun e Durrësit apo Dibrës, ku si për ironi manipulimi është kryer në të njëjtat zona, sikundër dalin edhe nga përgjimet e publikuara nga Bild, për zgjedhjet e 2017.
Pra nëse i referohemi jo denoncimeve të asaj kohe nga opozita, e cila përgatiti një dosje të plotë me manipulimet zgjedhore, që u dërguan në Bruksel dhe në kancelaritë europiane, por vetëm raportit të OSBE/ODIHR, do të ishte e mjaftueshme që të paktën anëtarët e KQZ që administruan procesin e para 19 viteve, sot të mos i besohej administrimi i zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Celibashi ishte një nga 3 emrat që paraqiti PS në Kuvend, ndërsa PD kishte të drejtën e skualifikimit të një prej kandidatëve.
Emri që u skualifikua mund të ishte edhe Ilirjan Celibashi për faktin e thjeshtë se ka kryesuar KQZ-në e 2001, kohë kur jo vetëm kutitë mbusheshin në furgonët e policisë dhe komisionerët e qendrave të votimit të opozitës rriheshin e kërcënoheshin, por edhe pse për herë të parë u shpik formula që nga një zonë zgjedhore të merreshin plot 9 mandate.
Në fakt Celibashi nuk u skualifikua dhe në garë, përballë tij ishte Ardian Myslymaj, ish-gazetar i Zërit të Popullit, dhe më pas një nga burokratët e administratës së PS dhe Grupit të saj Parlamentar.
Pra dukej se zgjedhja e Celibashit si Kryekomisioner nga momenti që kaloi filtrin e skualifikimit dukej e paracaktuar dhe votimi në Kuvend, ashtu sikundër u tregua edhe në seancë, ishte krejt formal. Atij iu besua detyra e Kryekomisionerit Zgjedhor me 106 vota dhe koha do të tregojë nëse Ilirjan Celibashi ka mbetur “ushtari” i besuar i partisë, apo ka ndryshuar.