Erion Dasho, ekspert i Shëndetit Publik, ka ngritur shqetësimin për kujdesin që duhet treguar për parandalimin e një situate më të madhe rastesh me COVID-19 në vend, që do të na çonte në një kolapsim në muajin dhjetor.
Dasho thekson se tani është koha të veprohet me shpejtësi, duke rritur kapacitet testuese, gjurmimin dhe trajtimin në kushtet e mjekësisë së familjes me protokolle të qarta.
Ai tha se nëse nuk merren masa sot, tetori rrezikon të inkubojë COVID-in dhe muajt e fundit të vitit rrezikohet një shpërthim me pasoja të paparashikueshme!
Reagimi i plotë i mjekut Erion Dasho:
KUJDES!!!
Gjatë gjithë pandemisë i jam shmangur parashikimeve mbi valën, pikun, kurbën, sheshimin, etj, sidomos kur ato mund të ngjanin të zymta.
Por situata e sotme kërkon kujdes të veçantë! Në se nuk merren masa sot, tetori rrezikon të inkubojë COVID-in dhe nëntor-dhjetori rrezikon një shpërthim me pasoja të paparashikueshme!
Këto janë pritshmëritë në Europë dhe duhet të mbahen parasysh edhe për Shqipërinë!
Në këto kushte është domosdoshmëri:
Një kapacitet testues minimumi 2.500 teste në ditë. Testet në përdorim duhet të jenë ata që testojnë njëkohësisht për 10 agjentë viralë. Kjo do të mundësojë diagnozën diferenciale aq të dobishme kur ka mbivendosje patogjenësh.
Gjurmimi dhe raportim digjital i simptomave të virozave (pa bërë dallim COVID apo viroza të tjera) nga mjekët e familjes dhe nga vetë qytetarët. Kjo do të mundësojë identifikimin e hershëm të vatrave dhe do të orientojë testimin.
Trajtim në kushtet e mjeksisë së familjes me protokolle të qarta dhe standarte monitorimi. Ndryshe rrezikojmë që, deri në maj, çdo shqiptar të ketë marrë të paktën 2-3 cikle antibiotikësh dhe antikoagulantësh, çka do të bëjë që më shumë njerëz të humbin jetën nga efektet anësore të mjekimit se nga vetë COVID!
NUK DUHET HUMBUR ASNJË MINUTË MË TEPËR!
PAPËRGJEGJSHMËRIA SOT MUND TË PAGUHET SHUMË SHTRENJTË NESËR!