Pesë prej 11 të arrestuarve me drogë në fshatin Derven të Krujës ishin dje në Gjykatë në seancën e mbajtur ndaj tyre për të caktuar masat e sigurimit personal.
Të mërkurën policia sekuestroi në operacionin antidrogë në Derven të Krujës 1.3 tonë kanabis sativa në kapanonin që gjendej 100 metra larg rrugës nacionale.
Të pandehurit, të cilët ishin punëtorë në kapanonin e përpunimit dhe tharjes së kanabisit, thanë para gjyqtarit të gatshëm Sandër Simoni, se ishin detyruar të pranonin punësimin për shkak të kushteve të vështira financiare të familjeve të tyre.
Ata rrëfyen si ishin “rekrutuar” në kapanonin e drogës, procesin e punës që bënin dhe sa paguheshin. Me gjithë pretendimet e paraqitura prej të arrestuarve dhe kërkesat e avokatëve të tyre për masa të buta, Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Besmir Vathi, Ali Kuçi, Ferit Sula dhe Erjon Vathi. I vetmi që i shpëtoi burgut ishte i mituri 16-vjeçar, Ersaldo N. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi për të masën “detyrim për paraqitje”.
Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për “kultivim të lëndëve narkotike”, “mbajtje të lëndëve narkotike”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
PRETENDIMET
Katër prej të arrestuarve të pranishëm te Krimet e Rënda paraqitën problemet ekonomike si motiv të punësimit të tyre në kapanonin e kanabisit. Portreti i tyre dhe mënyra e të veshurit shprehte të njëjtën gjë. Disa prej të arrestuarve pranuan të japin shpjegime për kryesuesin e seancës, gjyqtarin Simoni.
I dyshuari Besmir Vathi, 18 vjeç, duhej të ishte në bankat e shkollës, por kishte zgjedhur të punonte në pastrimin e boçeve të drogës, për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij.
“Jam jetim dhe më duhet të punoja disa ditë, për të ndihmuar familjen. Më thanë që do të merrja nga 10-15 mijë lekë të vjetra në ditë. Punova më pak se dy javë”, tha 18- vjeçari Vathi.
Në të njëjtën mënyrë u mbrojt para gjykatës edhe i mituri Ersaldo N., 16 vjeç, seanca në ngarkim të të cilit u zhvillua me dyer të mbyllura.
Në një seancë tjetër, i dyshuari Ali Kuçi, tha se do të paguhej 15 mijë lekë në ditë, porse nuk kishte marrë asnjë pagesë. I riu 19-vjeçar nga Miloti u përlot në kafazin e sallës së gjyqit, teksa Gjykata ishte tërhequr në dhomën e këshillimit.
I arrestuari nga Burreli, Ferit Sulaj, pretendoi se i duheshin para për ilaçet e të birit invalid. Argumenti i vështirësive ekonomik dhe fakti se kishte gruan të papunë, u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokati Arben Peci.
I dyshuari Erjon Vathi, nga Derveni, nuk dha asnjë deklarim në sallën e gjyqit, duke u mjaftuar me kërkesën e avokates së tij për lirim nga qelia.
DESHMIA E FERIT SULAJT
Gjykata: Në ç’rrethana u gjendët në kapanon?
Sulaj: Unë po ikja në Burrel. Kam çunin invalid, të sëmurë. I zoti i magazinës më tha që kam 4-5 ditë punë për ty.
Gjykata: Kush është i zoti i magazinës?
Sulaj: Kujtimi. Kujtim Rexhepi.
Gjykata: Si e kontaktove ti këtë person?
Sulaj: E takova tek mbikalimi i Fushë-Krujës kur më mori dhe më tha për këtë punë. Pranova, se më duheshin lekë për të marrë ilaçet e çunit.
Gjykata: Çfarë pune do të bëje në kapanon?
Sulaj: Puna ishte që do të pastronim ca bar aty, ca barishte.
Gjykata: E dije që ishte lëndë narkotike?
Sulaj: Nuk e dija që bëhej fjalë për lëndë narkotike. Nuk e dija se ishte hashash. E mora vesh këtë fakt vetëm ditën e fundit, kur erdhi policia.
Gjykata: Çfarë procesi të punës bënit ju?
Sulaj: Pastronim ato barishtet dhe i fusnim në arka. Nuk e di se nga vinin dhe se ku shkonin.
Gjykata: Kush ishin zotëruesit e lëndës narkotike?
Sulaj: Nuk di kush ishin të zotët e saj. Në punëtorë ishim. E merrnim bukën me vete aty në kapanon.
DËSHMIA E ALI KUÇIT
Gjykata: Pse gjendeshit në kapanonin ku u arrestuat?
Kuçi: Unë punoja në kapanon.
Gjykata: Çfarë pune bënit aty?
Kuçi: Mbaja arka me hashash, i zbrisja nga kati i dytë në kat të parë.
Gjykata: Nga vinin këto arka?
Kuçi: Nuk e di se ku ishin marrë.
Gjykata: Sa punëtorë ishit?
Kuçi: Nuk di ta them se sa punëtorë ishim në kapanon, por besoj se diku tek 8-9 vetë.
Gjykata: Sa paguheshit për këtë punë?
Kuçi: Merrnim 15 mijë lekë në ditë.
Gjykata: Kush jua jepte pagesën?
Kuçi: Nuk na e kanë dhënë. Unë nuk mora asnjë pagesë. Ditën e shtatë të punës aty u arrestova.
Gjykata: Në ç’gjendje ishte lënda narkotike?
Kuçi: Nuk ishte as e thatë, as e njomë.