Kompania “Samsung” ka dalë me një deklaratë urgjente duke u kërkuar të gjithë atyre të cilët kanë blerë “Galaxy Note 7” ta fikin menjëherë pasi ka një rrezikshmëri të lartë shpërthimi.
“Samsung” gjithashtu bëri me dije që është ndaluar shitja e këtij produkti. Vetëm gjatë shtatorit “Samsung” tërhoqi nga tregu 2.5 milionë “Galaxy Note 7” pas ankesave të një numri konsumatorësh të cilët raportuan që celulari i tyre ka shpërthyer dhe ka marrë flakë.
Pas këtyre ankesave “Samsung” lajmëroi për heqjen nga tregu të pajisjeve defektoze dhe zëvendësimin e tyre. Por edhe nga pajisjet e reja ka raportime për shpërthime, gjë që ka çuar në këtë vendim.