Vaksinat kundër virusit Covid-19 që po zhvillohen në Kinë mund të jenë gati për përdorim nga qytetarët në muajin nëntor.
Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Kina ka katër vaksina Covid-19, të cilat janë në fazën përfundimtare të provave klinike. Të paktën tre prej tyre u janë ofruar punëtorëve në disa sektorë specifikë në bazë të një programi emergjent të nisur në muajin korrik.
“Provat klinike në fazën e III-të po vazhdojnë normalisht dhe vaksinat mund të jenë gati për qytetarët në muajin nëntor ose dhjetor”, tha të hënën ekspertja kryesore i biosigurisë në CDC, Guizhen Wu në një intervistë për TV shtetëror.
Wu, e cila deklaroi se nuk ka përjetuar ndonjë efekt anësor në muajit e fundit pasi testoi personalisht një vaksinë eksperimentale në muajin prill, nuk specifikoi se cilës nga vaksinat i referohej.
Një njësi e gjigantit farmaceutik shtetëror, China National Pharmaceutical Group (Sinopharm) dhe Sinovac Biotech të listuara në SHBA, po zhvillojnë tre vaksina nën programin e urgjencës së shtetit. Një vaksinë e katërt Covid-19 që po zhvillohet nga CanSino Biologics u miratua për përdorim nga ushtria kineze në muajin qershor.
Prodhuesit botërorë po garojnë për të zhvilluar vaksina efektive kundër virusit, i cili ka vrarë më shumë se 930,000 njerëz. Prodhuesit kryesorë të ilaçeve perëndimore premtuan në fillim të këtij muaji se do t’i përmbahen standardeve të kërkimit shkencor dhe do të refuzojnë çdo presion politik për të shpejtuar procesin.