Për Çilin dhe (çili)minjtë e pushtetit
Nga Ervin Salianji
Çfarë ndodh me një parti kur pas pushtetit të gjatë bëhet opozitë? Që jo pak e lënë është tashmë fakti i pambulueshëm për askënd; disa sepse s’dinë se çfarë është të jesh në opozitë, disa sepse kanë ende punë për të mbaruar, disa sepse kanë arsye për të mos u demaskuar. Kjo ndodh rëndom, është ligjësi politike. Aq e ditur, sa në fjalorin politik çdokush që militon me besim dhe ndërgjegje fjalën “mirënjohje”, nuk e përdor më kurrë, se e di që s’do ta takojë askund.
Është ligjësi politike po ashtu që të përpiqesh të mbash pozicionet e pushtetit me çdo mjet dhe, madje edhe me çdo mjet të keq, kur kreditet dhe kredibiliteti ka mbaruar. Por do të mbetet gjithmonë një padrejtësi e patolerueshme që, pikërisht me mjetet që ke përfituar nga pushteti i partisë tënde politike, të ndërtosh një makineri për të mos e lënë atë të fuqizohet atëherë kur më shumë duhet, kur është në opozitë.
Kushdo që sot në publik gjen ndonjë vegjë për t’u kapur me opozitën, e var çengelin te lufta brenda llojit. Kushdo që e thotë këtë, nuk mohon dot që ata që kanë konsumuar pushtet, madje edhe në nivele drejtorucësh e këshilltarësh ”pasanikë”, që në publik nuk i njeh askush për ndonjë betejë publike, pikërisht këta pra janë ata që u japin zë këtyre çengelëve. Një paradoks i madh ky, ndërsa duhet të shqetësoheshin për pengesat, pikërisht ata që më shumë se kurrë po kontribuojnë në opozitë.
Prej kohesh, një turbinë ricikluese shpifjesh mbahet ndezur ditë e natë kundër meje, me sajesa e fabrikime banale. Them prej kohësh, ndërsa duhet të theksoj që financohet më fort përbaltja kur ka garë, kur ka zgjedhje. Një skemë e njohur tashmë, aq sa ka nga ata që kanë filluar të mendojnë se janë më të vlefshëm sa më shumë t’i shajnë. Unë kam zgjedhur që në krye të mos merrem me ta, kryesisht duke gjykuar se sa të rëndomtë e pa personalitet janë këta shpifës. Po të dish më pas se paguhen për baltën që hedhin, aq më tepër refuzon të hysh në këtë batak të ndotur, se i shërben më shumë.
Por përbaltja e tyre si shkumë e helmuar që bie erë tenderësh, doganash e privatizimesh, donacionesh që këta tipa kanë përfituar vite më parë, dhe përfitojnë edhe sot për portalucët e tyre, i rrezikon njerëzit normalë që kurrë s’kanë fuqi të besojnë që e keqja është kaq e pangopshme. Këta kanë qenë dhe janë soji më i korruptuar në vend, siç njihen nga i madh dhe i vogël, që i kanë kushtuar jo pak Partisë Demokratike dhe sot janë larguar prej saj dhe hedhin gurë.
Të jetë për këta çirakë të mjerë, s’do të reagoja asnjëherë. Por ka një publik, të cilit i detyrohem, që mund ta marrë për arrogancë faktin që unë nuk bëj një sqarim. Ndaj po hedh këto radhë. Turbina e riciklimit të shpifjeve më “kriminalizon” mua për njohjet që kam me rrethet universitare, ndër to dhe për njohjen që kam me Henri Çilin. Ndërkohë që si pjesë e opozitarizmit kam protestuar në dyert e kriminelëve realë të veshur me pushtet; unë vetë qenkam “i kriminalizuar” me universitetet.
Po të isha i ngjashëm me ata që vjellin vrer ulur në karrige portalesh, do t’u përgjigjesha me të njëjtin mjet, pa u shqetësuar sa njerëz do të vrasin frikën dhe do të vijnë të protestojnë, por sa njerëz do të mund të mblidhja për t’u ulur pas një kompjuteri për të sharë. Mund të mjaftonte edhe vetëm ta mohoja dhe do të ishte komoditet. Por nuk jam rritur kësisoj dhe nuk hedh poshtë miqësitë e mia, sa herë më volitet.
Unë e njoh Henri Çilin dhe kam miqësi me të, siç kam gjithë hapësirën dhe lirinë e shenjtë për të mos rënë dakord me të. Nuk jam aspak dakord, sidomos me qëndrimet e tij të fundit, ku ka kërkuar një mandat të ri me Ramën. Henri është në punën e tij dhe në të drejtën e tij të luajë me kreditet personale në qytet. Kësaj radhe ka rënë në një gabim të madh, monumental. Në një gabim, ku interesin e vet si grup interesi që i volitet riardhja e Ramës në pushtet, përpiqet ta argumentojë si interes publik.
Sa i përket argumentit që përdor për ta justifikuar, duke thënë se “Ramës i duhet edhe një mandat i dytë meqë nuk mbajti asnjë premtim elektoral në mandatin e parë”, kjo nuk ka nevojë as për koment. Por këto janë çështjet e tij personale dhe unë nuk mund të merrem gjatë, sepse ai është një entitet i pavarur. Këtë moral në qëndrim e kam marrë prej kohësh, edhe kur me zor kam mbajtur veten të mos shkruaj kur neveria e pështirosja për njerëz me mandate (deputetë) dhe të mandatuar në institucione të rëndësishme nga PD, si (KQZ), kanë trafikuar votën për qeverinë, apo kur ish-funksionarë të rëndësishëm të administratës së lartë të PD-së kanë kaluar me qeverinë për një grosh.
Këtu duhet reaguar dhe mbase do të reagoj një ditë me emra dhe mbiemra, ashtu siç me emra dhe mbiemra kam denoncuar qeverinë, duke bërë opozitë në çdo mënyrë dhe çdo formë përherë në interes të publikut. Për disa që thonë se ky Henri qenka kaq i fuqishëm sa kontrollon dhe qeverinë dhe opozitën, për mua i japin një gjë që ai as e ka dhe as vetë e pretendon. Po si do të mundet ky grup interesi që ka disa miq si në PD, si në PS a LSI, që të ndikojë opozitën, kur vetë ata që akuzohen si miqtë e tij, nga unë i pari, kemi realizuar protesta publike, jemi përballur apo kemi shprehur qëndrimin se ligji i arsimi të lartë e shkatërron sistemin arsimor në Shqipëri!
Që sistemi u heq të drejtën e më të mirëve për të studiuar sjell korrupsion, kap universitetet dhe çdo fakt të rëndë për arsimin e kemi denoncuar pa asnjë ndalesë dhe kjo u vërtetua që këtë vit me udhëzimet e ndryshuara të ministrisë, dhe me mijëra maturantë të ngelur rrugëve. Duhet e ndajmë qartë që kjo më së pari është një kosto e qeverisë dhe jo e grupeve të interesit! Ne e votojmë qeverinë për të qeverisur dhe për të mbrojtur interesin publik dhe asaj i kërkojmë llogari.
Thënë këtë, ky që ndikon tek opozita si nuk ndikoi në qëndrimin tim personal të paktën që të mbështesja ligjin që i interesoka po këtij? Influenca e tij tek opozita nuk arrin asgjëkund, për më tepër që interesi i tij është haptas me qeverinë dhe nuk ka asnjë komplot të fshehur. Por, përpos faktit se sa munden dhe duan grupet e interesit të influencojnë në politikë, nëse interesat e dikujt përfshirë Henrin a këdo, bien ndesh me të miat, unë do të jem me veten apo jo?!
Interesi im është që sigla që përfaqësoj të vijë në pushtet, që Lulzim Basha të jetë kryeministër, si interes kryesor i shqiptarëve sot. Që unë të mbroj interesin publik dhe interesat e opozitës, sepse jam mandatuar në një funksion të caktuar e nëse një mik del ndesh me interesat e mia për interes të tij, unë do të mbroj të miat më së pari! Sa për “inkriminimin” me UET, po, kam mbaruar studimet në UET dhe zgjodha vetë të transferohesha atje, nuk njihja askënd, por pedagogët që ishin atje ishin më të mirët e asaj kohe; një pjesë të të cilëve sot i kam miq, ndonëse mbrojnë ide apo pikëpamje të ndryshme, kjo s’ka bërë që me ta të prish miqësinë.
Kam qenë nga studentët më të mirë, për këtë më kanë zgjedhur vetë studentët me votë të lirë president në senat e në Alumni, po ashtu në grupin e ekselencës. Ky është inkriminimi im dhe nuk është çudi që cilësia e ka rrugën më të vështirë se sasia! Shpifësit me 5 lekë këtu kanë të drejtë. Për hir të së vërtetës, sot në UET lektojnë, përveç atyre që nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me opozitën, edhe pedagogë prestigjiozë që shkruajnë e mbrojnë opozitën me bindje të lira, të cilët nuk janë pak!
Për sa i përket angazhimit dhe karrierës sime në PD, ajo vjen që ditën e parë falë zgjedhjes, bindjeve, historisë se familjes dhe pasionit. E kam nisur shumë shpejt aktivizimin, që në gjimnaz. Do të gënjeja nëse them këtu se e kam pasur të lehtë, apo që më është thjeshtësuar sot e kësaj dite. Partitë kanë konkurrencë dhe kjo është një nga gjërat më të vyera të politikës, madje vetëm në politikë mund të fitosh kaq eksperiencë të konkurrencës në çdo nivel.
Jam plotësisht objektiv kur them që asgjë nuk kam marrë dhuratë, gjithçka ka ardhur pas shumë mundi dhe përpjekjeje, dhe jorrallë kam provuar dhe padrejtësi. Por nuk mund ta mohoj se shansi më është dhënë. Shansi më është dhënë dhe unë kam bërë më të mirën që kam mundur. A do të kisha më pak kosto e më shumë përfitime, nëse do të zgjidhja të rrija pas koniunkturave, të bëja llogari, të lëshoja hije qosheve e skutave, duke pritur ekuacionin që të nxjerr në krye? Mbase.
Por kam zgjedhur të mos e bëj, siç e di që kjo është pjesë edhe e personalitetit tim, si çdo njeri ka të vetin e s’e ndërron, as shkëmben dot. Është pjesë e patjetërsueshme vetja, për këtë çdo herë sado e vështirë të jetë, do të bëj po njësoj, do të përpiqem të kontribuoj realisht për të ndërtuar dhe në betejë. E kam bërë këtë, atëherë kur duheshin provuar konkretisht parcelat me kanabis, kur duhej treguar konkretisht helmimi në zonat me mbetje.
Është pjesë e detyrës sime si i zgjedhur të jem pranë qytetarëve dhe në çdo cep të Shqipërisë, të denoncoj sa herë e kërkon rasti dhe interesi publik, krimin, mafien me emër dhe me mbiemër. Nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim opozitar, si unë përpiqen, madje shumë, pikërisht ata që s’kanë përfituar asgjë nga logo e partisë. Në momentet që po kalon Shqipëria, besimi te vlerat duket si fjalë e thënë për fushatë, por në opozitë nuk ka asgjë tjetër që të mban dhe të jep forcën për të vazhduar.
Në fakt, plot herë duhet të ndalim dhe të shohim që ata që na mbështesin, janë mijëra herë më shumë se ata që na pengojnë, dhe të jemi mirënjohës për këtë. Besoj këtë bëjnë shumë opozitarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike, që kur mblidhen rithërrasin vlerat, me të cilat u krijua PD.
Që sot shkruaj për të mbytur baltosjen ka vetëm një qëllim, të mos lejoj që të preken ata njerëz që presin zgjidhje dhe e kërkojne nga ne, nga kjo parti. Kjo është arsyeja dhe forca ime, shpresa që do të përfaqësojmë ditë më të mira për shqiptarët. Pikërisht sepse këta njerëz duhet të besojnë e shtohen çdo ditë lind e nevojshme mbrojtja nga helmimi i mjeranëve riciklues të shpifjes dhe baltës./Panorama