Mjeku Pëllumb Pipero ishte i ftuari në edicionin e lajmeve në SYRI TV. Ai komentoi nisjen e shkollave të hënën.
“Pa u hapur shkollat, nuk hapet shoqëria. Sa u takon skepticizmit, do thosha që nuk ka vend për skepticizëm, por ka vend për rrezik. Është një sfidë që duhet ta përballojmë,” tha Pipero.
“Është shumë e rëndësishme që tre faktorë kryesorë: familja, shkolla dhe institucionet e tjera qendrore të bashkëveprojnë në mënyrë që protokollet klasike të respektohen bashkërisht. Duhet të kemi në konsideratë që fëmijët nuk janë të paprekshëm nga ky virus, por për fat të mirë, kur infektohen, sëmuren shumë pak dhe më lehtë. Por mund të jenë një burim i mundshëm infeksioni, ndaj është e rëndësishme që të respektohen protokollet bazike”, tha ai.
“Kam kërkuar që protokollet të jenë bazike dhe të respektueshme. Nëse protokollet janë minimale, mund të zbatohen,” shtoi mjeku.
Lidhur me përdorimin e maskës, ai tha: “Unë kam këshilluar që fëmijët deri në moshën 12 vjeç, nuk kanë arsye të përdorin maskë në mjediset e klasës nëse numri i nxënësve është i kufizuar dhe ruhet distanca. Duhet të kemi kujdes gjatë pushimeve të shkurtra”.
“Të mos vrapojnë drejt maskave me logo dhe të personalizuara. Maskat kirurgjikale janë mjaft të mira dhe mbrojtëse. Edhe çmimet e tyre kanë rënë”.
Por çfarë do të ndodhë në rast se në shkolla shfaqet ndonjë rast me koronavirus?
“Drejtoritë e shkollave nuk duhet të vrapojnë që të mbyllin shkollat nëse del ndonjë rast pozitiv, pasi mbyllja nuk është zgjidhje. Mbyllja duhet të jetë shumë e shkurtër në raste të veçanta. Ne duhet të edukohemi për të mbajtur maskën dhe ruajtur distancën, jo për të mbyllur shkollat,” tha ai.