Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Memo Boçi. Njoftimi është dhënë përmes rrjeteve sociale nga një tjetër mjek, eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho. Ky i fundit shkruan se Dr. Memo drejtoi për 14 vjet sektorët e higjienës dhe epidemiologjisë në shkallë vendi.
“Duke vendosur t’i rikthehej praktikës së shëndetit publik, Dr. Memo u specializua në Paris për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS. Me kthimin në Shqipëri, me mbështetjen e OBSH ngriti Programin Kombëtar të HIV/AIDS të cilin e drejtoi deri sa doli në pension në vitin 2002.
Aty e kam njohur dhe kam punuar me Dr. Memon për 4 vjet, gjatë të cilëve kam mësuar jashtëzakonisht nga ky profesionist i shkëlqyer me aftësi të veçanta organizative dhe njohuri shkencore gjithmonë të update-uara”, shkruan Dasho.
Postimi nga Erion Dasho
In memoriam: Dr. Memo Boci (1939-2020)
Dje humbi jetën Dr. Memo Boci. Për brezin e ri të mjekëve dhe infermierëve, ndoshta një emër i panjohur, por për brezat e atyre që u arsimuan ose punuan si bluza të bardha para viteve ’90, një personalitet shumë i njohur dhe i vlerësuar.
Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Memo drejtoi për 14 vjet sektorët e higjienës dhe epidemiologjisë në shkallë vendi. Ata që punuan me të gjatë atyre viteve, shprehen me superlativa për doktorin si drejtues modern dhe vizionar.
Në veçanti, aftësitë e tij organizative ishin të pakrahasueshme. Personalisht, deri tani nuk kam njohur dikë që t’ja kalonte doktorit në këtë fushë. Jo rastësisht, Dr. Memo dha mësim lëndën e organizimit shëndetësor në fakultet për shumë vite me radhë.
Të ishe drejtues para viteve ’90 natyrisht merrje edhe etiketim politik. Me ndryshimin e sistemit, doktori vendosi të mos merrej me asnjë veprimtari politike dhe të mos pranojë asnjë post drejtues (unë di të paktëm 2-3 poste tepër të larta që i janë ofruar pas viteve ’90 dhe që ai i ka refuzuar).
Duke vendosur t’i rikthehej praktikës së shëndetit publik, Dr. Memo u specializua në Paris për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS. Me kthimin në Shqipëri, me mbështetjen e OBSH ngriti Programin Kombëtar të HIV/AIDS të cilin e drejtoi deri sa doli në pension në vitin 2002.
Aty e kam njohur dhe kam punuar me Dr. Memon për 4 vjet, gjatë të cilëve kam mësuar jashtëzakonisht nga ky profesionist i shkëlqyer me aftësi të veçanta organizative dhe njohuri shkencore gjithmonë të update-uara.
Gjatë punës në program, Dr. Memo këshilloi pothuajse çdo person të prekur nga HIV/AIDS duke ndihmuar në përballimin e stresit (në atë kohë HIV/AIDS konsiderohej si dënim me vdekje) dhe në integrimin e tyre në familje, jetën profesionale dhe shoqëri. Karakteristikë ishte fakti se asnjëherë nuk kërkoi apo pranoi shpërblim nga pacientët për këtë punë që e vetme do t’i kishte sjellë miliona.
Pas daljes në pension, doktori ju përkushtua shoqatës STOP AIDS të cilën e kishte krijuar në mesin e viteve ’90, por nuk e kishte aktivizuar, sepse e konsideronte konflikt interesi me punën në program. Të tilla vlera etike, zor se mund t’i rikthehen mjeksisë sonë.
Me largimin e Dr. Memos nga jeta, mjeksia jonë dhe, veçanërisht, shëndeti publik humbën një nga figurat historike dhe vlerat e paçmuara.
Pushofsh në paqe, Dr. Memo Boci!