Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, ka folur për situatën e Covid në vendin tonë.
Ajo ka sqaruar fillimisht edhe debatet e ndezura gjatë ditëve të fundit se pse qeveria nuk është futur ende në një garë për sigurimin e vaksinës anti-Covid.
Shumë vende të tjera, përfshirë edhe ato fqinje kanë nisur të porosisin sasi të mëdha vaksine në kompani të ndryshme farmaceutike.
Edhe opozita apo shumë faktorë të tjerë kanë shtruar pyetjen se se përse qeveria nuk është futur ende në një garë për sigurimin e vaksinës anti-Covid, ndryshe nga shumë vende të tjera, të BE-së por edhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me këtë çështje, Rakacolli përsëriti sërish sot se nuk ka jë tablo të qartë se kush nga vaksinat që po testohen, është efikase dhe e sigurt.
Kjo është edhe arsyeja se pse qeveria është duke fituar kohë, sipas Rakacollit për të vepruar më pas dhe për t’ia ofruar atë falas qytetarëve.
“Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe vigjilentë në vlerësimin e të gjithë situatës në vendet ku mendohet se do të krijohet vaksina. Jemi të futur dhe aktivë në grupin e Covax që drejtohet nga OBSH dhe disa organizata të tjera që kanë aksesin në shumicën e vaksinave që po bëhen në botë dhe investon në zhvillimin e tyre” u shpreh në studion e A2, Rakacolli.
“Po shikojmë dhe drejtimet e tjera të vaksinave si ajo e Oxford. Po tregohemi të kujdesshëm që të mos na humbasë asgjë nga momenti i parë. Kur të fillojë vaksina të kemi dhe ne mundësinë t’ua mundësojmë falas qytetarëve tanë”, tha Rakacolli.