Nga BoldNews.al
Komiteti Shtetëror i Rindërtimit ka miratuar rrëzimin e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës pas dëmtimeve të pësuara si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, një vendim që, për shumë prindër të nxënësve të shkollës dhe banorët e shtëpive përreth ka ngritur dyshimet se fsheh një aferë “korruptive” ndërtimi.
Godina e gjimnazit funksionoi normalisht edhe 4 muaj pas lëvizje sizmike, deri në Mars 2020, kur Ministria e Arsimit vendosi mbylljen e mësimit normal për shkak të pandemisë Covid-19.
Nga muaji Dhjetor 2019 deri në Mars 2020, shkolla “Naim Frashëri” ka pritur, pa problem, qindra nxënës, si edhe stafin pedagogjik.
Nxënësit dhe prindërit e tyre kanë pritur që, me rënien e masave anti-Covid, të riktheheshin sërish në godinë për të vijuar mësimin. Por, ata tashmë janë përballur me vendimin e Komitetit të Rindërtimit, për rrëzimin e godinës.
Dyshimet
“Boldnews.al” ka kontaktuar me prindërit e disa nxënësve, si edhe me qytetarë, të cilët kanë banesat e tyre pranë shkollës.
Pjesa më e madhe e tyre ngrenë dyshimin se godina do të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimeve private, pallate ose qendra tregtare.
Shkolla “Naim Frashëri” gjendet në një zonë të lakmuar të qytetit të Durrësit dhe biznesi i ndërtimit ka pasur shpesh interes për të investuar aty.
Pjesa e pasme e shkollës është e rrethuar me shtëpi përdhese ose maksimumi dy-katëshe, një pjesë e të cilave janë ndërtime të hershme.
Një prej banorëve të zonës, në një komunikim për “Boldnews.al” deklaroi se janë përballur me kërkesa nga investitorë ndërtimi për t’u dhënë truallin, në këmbim të apartamenteve në pallatet e reja.
Një pjesë e banorëve janë joshur nga këto oferta, por gjithësesi ato kanë mbetur të parealizuara deri më tani. Shkak ka qenë fakti që godina e shkollës “Naim Frashëri” pengonte zhvillimin e projekteve private.
Vendimi për rrëzimin e shkollës “Naim Frashëri” duket se hap rrugën për kullat private, siç mendojnë një pjesë e banorëve, por edhe disa prindër të nxënësve që mësojnë në këtë shkollë.
Dëmtimet e 26 Nëntorit
Shkolla “Naim Frashëri” pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, ashtu si edhe shumë godina të tjera publike e private në qytetin e Durrësit.
“Boldnews.al” kontaktoi me znj. Burbuqe Meta (Hoti), e cila ka mbajtur prej vite detyrën e drejtoreshës së gjimnazit “Naim Frashëri”, deri në Prill 2020.
Ajo ka qenë në drejtimin administrativ të shkollës edhe në periudhën pas tërmetit, deri sa gjimnazi u mbyll për shkak të pandemisë.
Ish-Drejtoresha deklaroi se “tërmeti solli disa dëmtime në godinën. Në shkollë erdhën 3-4 grupe ekspertësh dhe konstatuan se dëmet ishin serioze”.
Megjithatë, ajo pranoi se procesi mësimor ka vijuar normalisht, edhe pas tronditjes sizmike të 26 Nëntorit. “Ne kemi vijuar mësimin në të njëjtën godinë, deri në mesin e muajit Mars 2020, kur mësimi u pezullua për shkak të situatës me Covid-19”, thotë ish-drejtoresha Hoti (Metaj).
Ajo thotë se godina e shkollës ka pasur nevojë edhe më herët për rikonstruksion.
“Unë, në cilësinë e drejtoreshës së shkollës, për disa vite kam kërkuar nga instancat përkatëse që të kryenin disa ndërhyrje ristrukturuese në shkollë. Korridoret e kateve të sipërme kishin një lloj vibrimi, i cili ishte kthyer shqetësues edhe për anëtarët e stafit pedagogjik dhe nxënësit”.
Megjithatë, kërkesat e përsëritura për rikonstruksion, duket se nuk morën përgjigje nga instancat përkatëse, përfshirë Bashkinë e Durrësit dhe Drejtorinë Arsimore të qytetit.
E pyetur nga “Boldnews.al” nëse, në vështrimin e saj, shkolla ishte në kushtet për t’u shembur, ish-drejtoresha theksoi se nuk kishte ekspertizën e nevojshme për të dhënë një përgjigje të tillë.
Gjithësesi, znj. Hoti (Meta) sugjeroi që media mund të shihte situatën e godinës nga brenda, për të krijuar një ide më të qartë.
Boldnews tentoi të kontaktonte nëpërmjet telefonit me zonjën Valentina Leka Drejtoreshë e Arsimimit në Durrës por ishte e pamundur pasi zyrtarja nuk ju përgjigj as telefonatave dhe as mesazheve të drejtuara nga redaksia jonë.
Dëmet “e padukshme”
“Boldnews.al” tentoi të vizitonte ambjentet e brendshme të shkollës “Naim Frashëri”, por ishte e pamundur, për shkak se ishte e ndaluar, si pasojë e dëmeve.
Ndërkohë, një vëzhgim i jashtë mbi godinën e gjimnazit nuk tregonte për dëmtime, aq më tepër të rënda.
Ky shkrim shoqërohet me një kolazh fotosh, të realizuara së fundmi, në të cilat nuk konstatohet asnjë lloj krisjeje në murët e ndërtesës së “Naim Frashërit”.
Megjithatë, Komiteti Shtetëror i Rindërtimit, i drejtuar nga Arben Ahmetaj, ka vendosur rrëzimin e saj të plotë dhe rindërtimin, bazuar edhe në oponencën e realizuar nga Instituti i Ndërtimit, si edhe bazuar në sugjerimin e Bashkisë së Durrësit.
Akti i ekspertizës për gjendjen e godinës së gjimnazit “Naim Frashëri” nuk është bërë publik.
Po ashtu, përveç termit “Rindërtim”, për shkollën “Naim Frashëri” në Durrës nuk ka asnjë detaj tjetër, përfshirë faktin nëse do të ngrihet në të njëjtin vend apo diku tjetër, sa do të jetë sipërfaqja dhe të tjera të dhëna të përgjithshme.
Mungesa e plotë e transparencës forcon dyshimet e banorëve përreth shkollës dhe shumë prindërve të nxënësve se shkatërrimi i “Naim Frashërit” mund të shërbejë si mbulesë për projekt korruptiv ndërtimesh private.
Ndryshim drejtorësh
Paralelisht me hartimin e planeve paraprake nga Bashkia e Durrësit, për prishjen e godinës së “Naim Frashërit”, shkolla pëson edhe ndryshime në nivelin drejtues të saj.
Ish-drejtoresha Burbuqe Hoti (Meta) e pranoi në komunikim me “Boldnews.al” se ishte larguar nga pozicioni i drejtoreshës së shkollës në Prill 2020. Ajo nuk deklaroi shkaqet e lëvizjes nga detyra.
Znj. Hoti ka qenë prej vitesh drejtoreshë e shkollës “Naim Frashëri”. Në bazë të të dhënave mediatike, rezulton se ajo është pezullua përkohësisht nga detyra në vitin 2016, në vijim të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Durrësit për “Shpërdorim detyre”.
Burbuqe (Hoti) Meta rikthehet pas pak kohësh në pozicionin e mëparshëm, deri në Prill 2020.
Në vend të saj, tashmë është komanduar si drejtoreshë e shkollës “Naim Frashëri” znj. Ezmeralda Xheraj, e cila është njëkohësisht edhe anëtare e Këshillit Bashkiak, e njëjta strukturë që ka sugjeruar prishjen e godinës së gjimnazit.
Në bazë të të dhënave të siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se znj. Xheraj ka qenë për disa kohë mësuese historie në gjimnazin tjetër të Durrësit, “Gjergj Kastrioti”.
Xheraj u largua nga ai pozicion, me motivacionin zyrtar për “mungesë orësh mësimore”, ndërkohë që mes nxënësve të “Gjergj Kastriotit” ishte përfolur për mitmarrje.
Në vitin 2014, Xheraj u emërua zv.drejtoreshë tek gjimnazi “Naim Frashëri” dhe më tej emërohet drejtoreshë tek shkolla “Jusuf Puka”.
Në vitin 2019 kandidon për postet vakante të drejtorit ë Zyrës Arsimore në Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë. Në një emision investigativ të një televizioni në Tiranë, emri i Ezmeralda Xheraj shfaqet si “fituese e paracaktuar” për Zyrën e Durrësit.
Megjithatë, këto mbetën vetëm dyshimeve paraprake, pasi Xheraj fiton konkursin për drejtimin e Zyrës Arsimore në Rrogozhinë.
Në këtë detyrë qëndron vetëm pak ditë dhe rikthehet si drejtoreshë në shkollën “Jusuf Puka”, e cila tashmë është rrafshuar, pas dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Tashmë, Ezmeralda Xheraj është komanduar të drejtojë shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Durrës, e cila është në planet shtetërore për t’u prishur e gjitha. Dyshimet e arsyeshme janë të tilla që ky emërim ka të bëjë me prishjen e Naim Frashërit. Komitetit ndërministror të drejtuar nga Ben Ahmetaj alias Tigri u duhet dikush që të firmos symbyllurazi aferën e radhës korruptive. Me siguri grantet e Bashkimit Europian për rindërtimin do përfundojnë në xhepat e klientëve Rama Ahmetaj.