Sot çokollata llogaritet si ushqim luksoz me të cilin duhet të keni kujdes pasi shkakton migrenë dhe shëndoshje. Për disa mjekë, kjo mbetet e diskutueshme, por sipas disa hulumtimeve të reja shkencore është vërtetuar se çokollata ose kakaoja, nëse konsumohen në sasi të kufizuara, janë të dobishme për organizmin dhe ndihmojnë në mosshfaqjen e sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe disa sëmundjeve të tjera.
Përbërja nutritive
Përbërja nutritive e çokollatës ndryshon në varësi te recetës. Në përgjithësi, çokollata përmban këto lëndë ushqyese: proteina, të cilat janë të nevojshme për rigjenerimin e qelizave; yndyrna, kryesisht yndyrna të ngopura deri në masën 50 për qind; Vitaminë E, vitaminë liposolubile, e nevojshme për membranën e qelizës;
Kalcium; fosfor dhe magnezium; minerale esenciale për kockat dhe dhëmbët; hekur, i nevojshëm për formimin e hemoglobinës; kafeinë, stimuluese e sistemit nervor; bakër, i cili ndihmon në metabolizmin e hekurit, formimin e melaninës (në lëkurë dhe flokë) dhe funksionin e sistemit nervor qendror; fitokemikaliet,(siç janë flavonidet) me ndikim antioksidues. Kokrrat e kakaos, që janë përbërja kryesore e çokollatës, përmbajnë më shumë se 600 fitokemikalie (lëndë kimike bimore), duke përfshirë antioksidantët që mbrojnë nga sëmundjet e zemrës dhe nga kanceri.
A shkakton çokollata migrenë?
Me migrenë nënkuptohen kriza të rënda të dhembjeve të kokës të shkaktuara nga spazma e arterieve të trurit. Këto kriza mund të shkaktohen nga faktorë të shumtë, midis të cilëve shpesh përmendët edhe çokollata. Megjithatë, nuk ka dëshmi të sigurta për këtë, sepse të shumica e të sëmurëve që shkojnë deri në kriza, në të njëjtën kohë është e nevojshme edhe prezenca e faktorëve të tjerë, siç janë stresi, lodhja, shqetësimi dhe disbalanci hormonal. Po kështu, në këtë sëmundje mund të ndikojnë edhe disa ushqime dhe uria.
A shkakton çokollata akne dhe puçrra?
Besohet që disa ushqime mund të sjellin probleme deri të keqësimi i akneve, mes të cilave shpesh akuzohet çokollata. Por për këtë nuk ka dëshmi. Sipas hulumtimeve të reja, të çokollata nuk janë identifikuar përbërje që do të shkaktonin akne apo keqësim të tyre. Megjithatë, besohet se indeksi glikemik i lartë, i kombinuar me konsumimin e madh të sheqernave të rafinuara te çokollata, mund të jetë në relacion me shfaqjen e puçrrave.
A shkakton çokollata shëndoshje?
Nëse dikush ha rregullisht çokollatë më shumë sesa janë nevojat e tij, teprica e kalorive që ka çokollata do të kalojë në formën e yndyrnave. Çokollata ka vlerë të madhe energjetike, që do të thotë se përmban më shumë kiloxhaula në raport me masën e saj, përafërsisht 2200 kiloxhaula në 100 gramë. Nëse rregullisht konsumohet ushqim energjetik i pasur, kjo është sigurisht mënyra më e shpejtë që të fitohet peshë. Në fakt, fajtori për këtë nuk është vetëm çokollata dhe ushqimet specifike, por ngrënia e tepërt në tërësi. Sipas mjekëve, është e sigurt se nëse dikush ushqehet shëndoshë, mund të hajë dhe çokollatë në sasi të kufizuar, duke mos u trembur se do të shtojë në peshë. Për shembull, kuzhina tradicionale meksikane e përdor çokollatën e errët në receta me mish të kripur dhe me zarzavate. Çokollata e konsumuar në mënyrë të tillë ka vlerë më të vogël energjetike, pasi është e holluar me ushqime me energji të ulët.
A mund të konsumojnë diabetikët çokollatë?
Diabetikët mund të konsumojnë sasi të vogla të çokollatës pasi nuk ka efekte të dëmshme mbi kontrollin e glikemisë.
A e rrit çokollata kolesterolin në gjak?
Çokollata mesatarisht përmban 50 për qind yndyrna. Është e njohur që pas konsumimit të një ushqimi, i cili është i pasur me yndyrna të ngopura, rritet kolesteroli në gjak. Te çokollata lloji kryesor i yndyrnave të ngopura është acidi stearik. Ky lloj acidi nuk ndikon në sasinë e kolesterolit në gjak. Kjo do të thotë së ata që duan të zvogëlojnë marrjen e yndyrnave të ngopura, për të normalizuar kolesterolin mund të konsumojnë lirisht çokollatë por në sasi të vogla.
Mbrojtja nga sëmundjet e zemrës dhe kanceri
Kokrrat e kakaos përmbajnë antioksidantë, të cilët kanë rol në prevencën e disa sëmundjeve. Substancat, të quajtura katehine, e zmadhojnë rezistencën ndaj sëmundjeve degjenerative, siç është kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Katehinet gjithashtu gjenden edhe të pemët dhe perimet, por organizmi ka nevojë edhe për katehine të llojeve të ndryshme, siç janë ato që gjenden te çaji dhe çokollata. Në krahasim me çajin, përmbajtja e antioksidantëve te çokollata është më e madhe. Çokollata, veçanërisht çokollata e errët, është burim i shkëlqyeshëm i katehineve. Ekzistojnë dëshmi se kakaoja ndihmon në prevenimin e oksidimit të kolesterolit në gjak dhe zvogëlon tendencën për ngjizjen e gjakut (tromboza). Megjithatë, që të thuhet se a ndikon kakaoja te zemra, nevojitën më shumë dëshmi. Në përgjithësi, bazuar në hulumtimet e deritanishme, nuk është vërtetuar ndikimi i antioksidantëve në prevencën e sëmundjeve të zemrës.
Kakaoja kundrejt çokollatës
Nëse doni ta zmadhoni konsumimin e antioksidantëve dhe njëkohësisht konsumimi i kalorive në tërësi të jetë i ulur, provoni të pini kakao në vend që të hani çokollatë, pasi përmbajtja e yndyrnave të kakaoja është më e ulët. Çaji gjithashtu përmban kafeinë (edhe pse jo aq shumë sa kakaoja dhe çokollata), por nuk përmban yndyrna. Për këtë arsye, çokollatën nuk mund ta cilësojmë si ushqim të shëndoshë, sepse ajo përmban dhe komponentë të tjerë, të cilët potencialisht janë të padëshiruara nëse konsumohen në sasi të mëdha. Nga ana tjetër, njerëzit që konsumojnë në sasi të kufizuar çokollatën, nuk duhet të ndihen fajtorë për këtë gjë.