Jon Mersinaj ka jetuar me futbollin që fëmijë. Duke qenë djali i një ish-futbollisti, në moshën 6-vjeçare ai filloi të stërvitej dhe të thurte ëndrra për të ardhmen.
Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, ai tregon për karrierën e tij me klubet, ecurinë në ekipin kombëtar dhe mbështetjen që ka marrë nga trajneri dhe futbollistët e NK Lokomotivës kur vendosi të largohej nga Shqipëria.
Katër vite larg familjes duket se nuk kanë qenë të thjeshta për të dhe këtë e konsideron si sakrificën më të madhe që ka bërë për sportin e futbollit.
Idhulli i tij është Lorik Cana, për të cilin, nuk i shmang dot elozhet.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
– Unë jam djali i një ish-futbollisti dhe si i tillë, në një formë a në një tjetër, futbolli gjithmonë ka qenë A-ja në shtëpinë tonë. Që kur isha fare i vogël, babai më fliste për jetën e tij dhe eksperiencën në fushën e lojës, duke më ushqyer edhe mua dashurinë për këtë sport. Pastaj, në moshën 6-vjeçare kam filluar të stërvitem dhe kisha si ëndërr të bëja mirë për ekipet ku do të aktivizohesha dhe të bëja karrierë në futboll.
– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Siç thashë edhe më sipër, babai im ishte shtysa që unë të bëhesha pjesë e këtij sporti. Por, nuk mund të lë pa përmendur dhe gjithashtu dua realisht ta falënderoj, profesorin tim të parë të futbollit, Irfan Bujari, i cili nuk u lodh asnjë ditë me mua dhe më shihte teksa çdo ditë stërvitesha. Këshillat dhe ndihma që ai më ka dhënë, e them me bindje që kanë qenë themeli i formimit tim si futbollist.
– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare?
– Në Kombëtare kemi ndërtuar një grup me harmoni të plotë dhe kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, edhe me trajnerin, profesor Alban Bushin, kemi një marrëdhënie të veçantë. Ai punon shumë me secilin prej nesh, në mënyrë që të përmirësohemi, të rrisim nivelin tonë për të pasur një performancë sa më të mirë në çdo ndeshje.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja?
– Unë jam pjesë e kombëtares shqiptare që me ekipin e U-15 dhe di të them se që në atë kohë e kam vlerësuar shumë dhe jam ndjerë pafundësisht i lumtur të përfaqësoj ngjyrat dhe fanellën kuqezi. Çdo ftesë ka qenë një kënaqësi më vete, thashë, që nga U-15 e deri tek U-21 që jam sot. Klubet janë diçka, ama kombëtarja është diçka tjetër komplet. Mundohem që t’ua shpërblej trajnerëve duke dhënë kontributin tim maksimal.
– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?
– Përveç analizës që bëjmë në grup me ekipin, unë kam një mbështetje shumë të madhe nga ana e babit dhe për këtë ndihem shumë me fat. Të dy ulemi, shohim dhe vlerësojmë çdo ndeshje pasi mbaron, mundohemi të gjejmë të mirat dhe gabimet. Kjo gjë më ndihmon shumë, pasi mundohem të përmirësoj gabimet për ndeshjet pasardhëse.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?
– Momenti që ka shënjuar karrierën time është pa diskutim kur klubi në të cilin unë aktivizohem u klasifikua i dyti në kampionat dhe për herë të parë arrin të kualifikohet në raundet kualifikuese të Champions League. Jam ndjerë shumë krenar për veten dhe mbi të gjitha për skuadrën, pasi të gjithë dhamë maksimumin tonë dhe kemi arritur rezultate të kënaqshme.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
– Pa dyshim, ardhja ime para 4 vitesh në Kroaci, duke u shkëputur nga familja dhe njerëzit e mi më të dashur ka qenë ndoshta sakrifica më e madhe që kam bërë për këtë sport. Nuk ishte e lehtë për mua që të përballesha i vetëm me një realitet tjetër dhe dua të theksoj se kam qenë i vogël në moshë, 16-17 vjeç. Megjithatë, gjithmonë i kam dhënë forcë vetes për të mos u dorëzuar pasi shoh se këtu mundësitë që më jepen për të ardhmen janë më të mëdha. E ndjej veten realisht me fat pasi që kur kam ardhur, të gjithë, duke filluar që nga trajneri i ekipit, shokët e skuadrës dhe gjithashtu edhe profesor Besnik Prenga, kanë qenë një mbështetje e madhe për mua, duke më qëndruar pranë në çdo vështirësi që kam hasur.
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Gjithmonë kam qenë partizan i shprehjes se me punë dhe vullnet mund të arrihen majat. Dhe unë prandaj po punoj, shumë dhe fort njëkohësisht dhe shpresoj që puna ime të vlerësohet dhe të arrij qëllimet dhe objektivat e mia për më lart dhe sigurisht për më mirë.
– Cila është këshilla më e vyer që kë marrë dhe nga kush?
– Babai im është njeriu të cilit, më së shumti unë ia dëgjoj fjalën. Sa herë flas me të ai më këshillon të stërvitem dhe të ushtrohem shumë tërë kohës, të qetësohem dhe mos të mërzitem. Gjithashtu, profesorit tim të nderuar Irfan Bujarit, pavarësisht diskutimeve dhe kritikave, nuk i harroj fjalët: “Jon, një futbollist i mirë përveç të gjithë cilësive të tjera që e karakterizojnë duhet të luajë me një matematikë të shkëlqyer, duhet të vesh në punë trurin”.
– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
Idhulli im, ashtu siç ndoshta i një pjese të madhe lojtarësh të brezit tim është ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit dhe një nga mbrojtësit më të mirë, Lorik Cana. Unë vazhdoj dhe i ndjek ende me fanatizëm ndeshjet e tij. Uroj që edhe unë të kem një karrierë si ai dhe të lë gjurmë në kombëtaren time të zemrës./ fshf.org