Nga Boldnews.al
Qendra e Botimeve të Diasporës ka quajtur “lajm të rremë” një artikull të “Boldnews.al”, mbi një tender për “shumëfishimin e lojës Mos u Nxeh”, i cili mbështetej në dokumentat e dorëzuara nga vetë institucioni në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP).
Qendra e Botimeve për Diasporën, një strukturë në varësi të ministrit Pandeli Majko, ka shpallur disa ditë më parë “Ftesën për ofertë”, me objekt “shumëfishimi i lojës Mos u Nxeh për qytetet Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Gjirokastër”.
Ftesa për ofertë, në mungesë të plotë transparence, nuk ishte shoqëruar me asnjë dokumentacion, siç është praktika normale e procedurave të prokurimit publik.
Pasi ky rast u publikua nga “Boldnews.al”, Qendra e Botimeve për Diasporën e konsideroi “lajm të rremë”, megjithëse shkrimi ishte shoqëruar me dokumenta zyrtare të vetë kësaj strukture.
Qendra e Botimeve për Diasporën, në një sqarim për “Boldnews.al”, shpjegon procedurën e ndjekur për këtë tender, diçka që duhet ta kishte kryer publikisht që më parë.
E, megjithatë, në sqarimin e saj, Qendra e Botimeve për Diasporën, nuk mohon në asnjë rresht ekzistencën e tenderit. Institucioni sqaron se e ka siguruar formatin e lojës nga një organizatë jo-qeveritare dhe është angazhuar ta shumëfishojë për fëmijët e Diasporës.
Por, sërish, institucioni nuk sqaron se përse është vendosur shifra 2000 copë, ku do të shpërndahen, si do të shpërndahen, të dhëna normale për të realizuar transparencën e plotë.
Megjithatë, edhe në komunikimin me redaksinë, Qendra e Botimeve për Diasporën, nuk bën asgjë tjetër, përveçse konfirmon atë që vetë e quan si “lajm të rremë” dhe, në tentativë për të sqaruar pozitën e saj, ka shpjeguar procedurën se përse është ndërmarrë ky tender.
Gjithçka duket qartë- konsiderata e shprehur nga Qendra e Botimeve për Diasporën si “lajm i rremë” nuk mbështetet prej vetë sqarimeve të saj.
Kjo situatë rikthen në vëmendje problematikën e institucioneve shqiptare me realizimin e transparencës në shpenzimin e fondeve publike.
Në tenderin për “shumëfishimin e lojës Mos u Nxeh”, Qendra e Botimeve për Diasporën e ka parë të arsyeshme të mos prezantojë asnjë dokument, mbi të cilin ka vendosur shpenzimin e mbi 7 milionë lekë (të vjetra) para publike.
Mesa duket, për këtë institucion të ri, nuk vlejnë aspak detyrimet ligjore për respektimin e transparencës në përdorimin e fondeve publike.
Edhe në një tender tjetër, për blerje kancelarie, të zhvilluar së fundmi nga ky institucion, nuk gjendet i publikuar asnjë lloj informacioni mbi dokumentacionin e kërkuar, kriteret që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë.
Dhe, i karakterizuar nga një errësirë totale informacioni mbi procedurat tenderuese, Qendra e Botimeve për Diasporën merr përsipër të konsiderojë “lajm të rremë” pikërisht një raportim mediatik, i mbështetur në dokumenta zyrtare, të prodhuara nga vetë ai institucion.
Qendra e Botimeve për Diasporën, si e gjithë moria e strukturave në varësi të Ministrit për Diasporën, janë thuajse inekzistente.
Në 4 vitet e ekzistencës së Ministrisë, i vetmi aktivitet është “Samiti i Diasporës”, edhe ai i kritikuar nga aktorë e faktorë të jetës sociale dhe ekonomike, pasi mungonin shumë prej shqiptarëve që kanë dhënë shumë për mirëqënien e popullit shqiptar.
Tenderi i habitshëm/ Qeveria “zbut” Diasporën, u blen 2000 copë lojë “Mos u nxeh”