Ish-deputeti dhe përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, thotë se hapja e listave është një risi e madhe për politikën shqiptare dhe që në plan afatgjatë do të shfaqë anët pozitive dhe negative të saj.
Bylykbashi: Hapja e listave është një risi e madhe për politikën shqiptare, do të ketë një impakt afatgjatë në mënyrë si performon sistemi zgjedhor, por do të ketë edhe problemet e veta.Opozita është e gatshme për hapjen 100% të listave jo 2/3 si PS.
Për Ora News, ai thotë se opozita e bashkuar mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos prekur formulën e koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve.
Bylykbashi: Me propozimin tonë themi hapim 100% listat me një kusht të rëndësishëm, mosndryshimin e formulës së koalicioneve dhe shpërndarjes së mandateve. Rama u përpoq gjithë këto ditë të stigmantizonte koalicionet. Si listat dhe koalicionet veprojnë së bashku brenda një sistemi. Argumenti se fleta e votimit bëhet çarçaf nuk qëndron.Në fletën që kemi paraqitur është shumë e thjeshtë, vihet kryqi te partia dhe më pas te kandidatët.
Por ndërsa për fletën e votimit opozita jep garanci se nuk do të jetë çarçak siç thotë Rama, listat e hapura padyshim do të ndërlikojnë procesin e numërimit.
Bylykbashi: Një hapje kaq e madhe është e pamundur të mos vijë me komplikime. Jep më shumë demokraci, por demokracia ka disa kosto më tepër. Do të ketë më shumë kohë për numërim, mund të ketë vështirësi në përllogaritjen e votave të kandidatëve, mund të ketë kontestime më tepër.Një nga problemet kryesore që ka hapja e listave, jo në Shqipëri por edhe në Suedi, është gara negative që bëjnë kandidatët e të njëjtës parti brenda partisë.
Do të na duhet të rishkruajmë 40% të kodit zgjedhor, kjo është arsyeja se pse propozimet e zotit Rama prishnin marrëveshjen e 5 qershorit. Por nëse kjo është dakordësia, do të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje teknike. Ajo që thotë Rama listat e hapura dhe koalicionet nuk qëndrojnë, është e pavërtetë.
Duke folur për mbledhjen e një dite më parë të Këshillit Politik, Bylykbashi thotë se për 2 orë nuk morën dot një përgjigje nga mazhoranca për propozimin e tyre.
Bylykbashi: Për dy orë mbledhje ne kërkuam një gjë të qartë: Jemi gati të hapim listat 100% koalicionet, kushti është mos prekni koalicionet dhe formulën e shpërndarjes së mandateve. Po apo jo? Kjo ka qenë pyetja për dy orë. Përfaqësuesi i mazhorancës përdridhej dhe nuk jepte dot një përgjigje. Ishte qartazi një jo e fshehur. Edhe në deklaratën e fundit ne këtë kemi kërkuar.
Nëse vullneti politik është për hapjen e listave dhe mosprekjen e koalicioneve, detyra sipas Bylykbashit është shumë e thjeshtë.
Bylykbashi: Do të hiqet çdo formulim që prek koaliconet në amendamentet kushtetuese dhe do të thuhet që listat janë të hapura apo do të bihet dakord që këtë ta implementojmë në kodin zgjedhor, nuk ka rëndësi.
Ata u përpoqen të hedhin dhe tezën kush do të mbledhë firmat, është detyrë e tyre. Presim një përgjigje nga mazhoranca, nuk kemi përgjigje deri tani. 30 korriku është një datë e vetëvendosur nga PS.
Për të qenë vonë jemi vonë.Ka shumë punë për kodin zgjedhor edhe pas 30 korrikut. Rama do tu ndryshojë rregullat kundërshtarëve të vet pak para zgjedhjeve siç do ai, në mënyë të njënashme.
Kjo është e papranueshme dhe për këtë arsye ndërkombëtarët thonë bëjeni me konsensus. Nuk mund të pranojmë ne që vota e shqiptarëve që hidhet për parti të vogla se Rama do të vërë pragje që i përjashtojnë këto parti të vogla nga gara, me qindra mijëra vota të hidhen në plehra thjesht se Ramës nuk i del llogaria si duhet me mandatet.