Shqipëria humb kryeministrin, por gjen vetveten
Nga Blendi Kajsiu
Në momentin që Edi Rama firmosi importin e plehrave Shqipëria humbi kryeministrin e saj. Nga kryeministër Rama u kthye në shërbëtor të atyre interesave të ngushta që dje i kish etiketuar mafioze. Natyrisht Rama mbetet kryeministër i atyre 63 deputetëve që votuan pro importit dhe sidomos i Eduard Shalsit. Por këta nuk kanë rëndësi pasi as vetë Rama nuk i respekton.
Ajo që ka rëndësi është se Rama sot nuk është kryeministër i socialistëve të thjeshtë pasi këta ndihen të turpëruar nga mënyra se si ai e drodhi fjalën e dhënë publikisht tre vite më parë. Rama, kuptohet, nuk është as kryeministër i demokratëve, pasi ai sot ai aprovoi importin e mbetjeve për të cilin dje akuzonte Berishën si mafioz. Por mbi të gjitha Rama sot nuk është kryeministër i shqiptarëve përtej PS-së dhe PD-së të cilët me vendimin e importit të mbetjeve i tradhtoi në jetën dhe dinjitetin e tyre.
Me vendim e Ramës për të importuar plehra shqiptarët humbën edhe opozitën që na fakt ka kohë që nuk e gjen veten. Nga njëra anë PD-ja në vend që ta fshehë Berishën sa më larg syve të gjindjes na e nxjerr përballë Ramës si kryekritik të importit të plehrave. Nga ana tjetër në vend që të përdorë numrat dhe aksionin politik në Kuvend për të ndalur importin e mbetjeve, PD-ja uzurpon nisma si referendumi, nga të paktat instrumente që i mbeten shoqërisë civile për tu përballur me pushtetin.
Paradoksalisht humbja e përfaqësimit politik po i ndihmon qytetarët të gjejnë zërin e tyre. Tashmë zemërimi dhe protesta qytetare nuk mund të kanalizohet dhe sfumohet në debatet shterpë PD-PS, apo Rama-Berisha. Pavarësisht përpjekjes së kordinuar të mediave qeveritare dhe opozitare për ta vdekur çdo protestë qytetare brenda pseudo-debatit PD-PS nëpërmjet të cilit Rama dhe Berisha mbajnë njëri- tjetrin në politikë.
Vetëm me një opozitë të diskretituar si Berisha mund të kemi një kryeministër skandaloz si Rama dhe anasjelltas. Shqiptarët tashmë kanë kuptuar se ata nuk janë të destinuar t’ia delegojnë vendimmarrjen mbetjeve politike në pushtet apo opozitë. Në rastin e armëve kimike ata mësuan se janë të aftë të ndalojnë politika që prekin dinjitetin dhe jetën e tyre. Edhe kur pas këtyre politikave qëndronin fuqi dhe interesa të mëdha. Edhe kur analistët u thonin se protesta ishte e humbur.
Edhe pse mediat u përpoqën ta banalizojnë protestën e tyre qytetare si sherr mes mbetjeve politike ne pushtet dhe opozitë. Për herë të dytë sot mijëra shqiptarë dolën për të protestuar me zërin dhe dinjitetin e tyre, jo me siglat partiake dhe as me premtimin e një vendi pune. Ndaj protesta e 1 Tetorit organizuar nga AKIP dhe shoqëria civile ishte një protestë madhështore, pavarësisht përpjekjeve mediatike për ta injoruar.
Aty dolën të protestojnë njerëz të lirë dhe me dinjitet, jo shërbëtorë të krimit, pushtetit apo shefit sic kemi boll në politikë, media dhe opozitë. Ndaj sot Rama është nervoz, i irrituar dhe i frikësuar. Ai e di se 1 Tetori është vetëm fillimi i revoltës shqiptare. Ai e di se përballë kësaj revolte nuk e shpëton as biznesi, as mediat që kontrollon dhe as opozita e Sali Berishës. Përballë revoltës popullore ai do mbetet gjithnjë e më i vetmuar në shoqërinë e Eduard Shalsit.