Më 24 qershor mori fund zyrtarisht gjendja e fatkeqësisë natyrore, e miratuar më 24 mars 2020, e cila në tri qarqe ishte në fuqi prej fundit të nëntorit 2019, për shkak të tërmetit. 17 akte normative me fuqinë e ligjit u shpallën nga Këshilli i Ministrave dhe u miratuan në Kuvend në seancat e muajit prill 2020. Por, për organizatat e të drejtave të njeriut, Avokatin e Popullit dhe juristët, miratimi i disave prej tyre në emër të pandemisë, cenoi respektimin e të drejtave të njeriut.
Më 24 mars, dy javë pas shpërthimit të pandemisë “Covid-19”, në Shqipëri u shpall Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, që në disa zona ishte shpallur më herët për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit. Pas skadimit të afatit 30 ditor të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të miratuar më 24 mars, Komisioni i Ligjeve dhe më pas Parlamenti miratoi kërkesën e qeverisë për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor.
Gjendja e fatkeqësië natyrore përfundoi të enjten, më 24 qershor. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi po atë ditë se disa kufizime mbeten në fuqi dhe qytetarët nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për protesta apo tubime masive.
Juristi Ledio Braho, në një intervistë për “Euronews Albania” më 23 qershor, argumentoi se ndalimi i protestave apo i tubimeve është akt antikushtetues, ndërsa shtoi se qeveria po përfiton padrejtësisht nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese.
Ka një mungesë koherence sa i përket akteve që nxjerr qeveria, konkretisht Ministria e Shëndetësisë. Pra, çdo gjë lejohet, por ndalohen grumbullimet masive. Nga ana ligjore ministrja e Shëndetësisë mbështetet në faktin se është e drejtë e saj në bazë të ligjit për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive, por njëkohësisht duhet të kemi parasysh se Kushtetuta garanton lirinë e tubimeve, çka në rastin konkret nuk garantohet, sepse ndalohet me urdhrin e ministrit – u shpreh Braho.
Që nga muaji mars 2020, u shpallën nga Këshilli i Ministrave dhe miratuan më pas nga Kuvendi 17 akte normative me fuqinë e ligjit.
Instituti i Studimeve Politike, në një analizë, argumenton se pjesa më e madhe e tyre nuk arritën të shkojnë tek qytetarët duke krijuar paqartësi, interpretime mediatike dhe pamundësi reale në respektimin intregal të tyre.
Aktet, sidomos gjatë shqyrtimit e miratimit në Kuvend, nuk janë shoqëruar me llogaridhënie për efektet dhe impaktin e tyre në shoqëri dhe në shtet – thuhet në analizën e ISP.
ISP gjithashtu argumenton se një sërë nismash të ndryshme politike u miratuan pa konsultim public, në mungesë të transparencës së nevojshme.
Gjatë periudhës së COVID-19 pati vendime dhe nisma të rëndësishme politike, siç ishin ndryshimet në Kodin Penal, pakti për reformën zgjedhore, etj. Pothuajse në të gjitha rastet, me përjashtime të pakta, nismat, debatet, vendimarrjet dhe raportimet vjetore u shoqëruan pa konsultim publik, pa transparencën e nevojshme dhe në injorim të standardeve të larta të parlamenteve në vendet anëtare të BE, ku Shqipëria synon të aderojë – thuhet në analizën e ISP.
Më herët, më 30 prill, Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, kërkoi nga qeveritë të mos justifikonin situatën e krijuar nga pandemia duke shkelur të drejtat e njeriut.
Teksa qeveritë përballen me sfidën e jashtëzakonshme të mbrojtjes së njerëzve nga COVID-19, u ka bërë thirrje atyre që të sigurohen se të drejtat e njeriut nuk cënohen me pretekstin e nevojës për të marrë masa të jashtëzakonshme – thuhej në reagimin e Bachelet.
Pandemia “Covid-19”, u karakterizua edhe nga fenomeni i “zëvendësimit” të Fletores Zyrtare me rrjetin social “Facebook”. Edhe pse Neni 117 i Kushtetutës shprehet qartë se aktet normative të Këshillit të Ministrave, të ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare, shumica e vendimeve gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, morrën “formën e prerë” në profilin e facebook të kryeministrit Rama./Faktoje