Dy persona të infektuar me koronavirus kanë humbur jetën në spitalin Infektiv, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në bilancin ditor. Rastet e reja – 61, më pak se dje. Më i ulët është dhe numri i të shtruarve në spital, ndërsa janë rritur të infektuarit aktivë.
Dy humbje jete
“Dy qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19 në 24 orët e fundit. Një 59-vjeçare nga Lushnja me insuficencë renale kronike dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe një pacient 77-vjeçar nga Vlora, i cili vuante nga hipertensioni, që trajtohej prej 10 ditësh në terapi intensive nuk kanë mundur të mbijetojnë pavarësisht mjekimit intensiv dhe përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor”, tha Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.
Blanci i përditësuar
“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 81 pacientë, 12 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 1346 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 355 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 61 raste pozitive. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 12 të prekur në Tiranë, 11 në Vlorë, 7 në Durrës, nga 5 raste në Kukës dhe Divjakë, nga 3 raste në Pukë, Korçë, Kurbin, 2 në Krujë dhe nga 1 rast përkatësisht në Shkodër, Fier, Lezhë, Has, Mirditë, Kamëz, Sarandë, Fushë-Arrëz, Selenicë, Belsh. Në vendin tonë aktualisht janë 931 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”, shtoi ajo.
Apeli
Qirjako apeloi për respektim të masave të njoftuara nga autoritetet për mospërhapjen e COVID-19.
“Nisur nga fakti se ditet e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, i bëjme apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh dhe kudo në ambiente publike ku nuk ruhet dot distancimi. Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Telefoni në linjën e gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes, për këshillim psikologjik apo informacion për Covid19. Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me Covid19, eshte e rendesishme te qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127″, tha ajo.
COVID-19 – Statistika (27 Qershor 2020), sipas MSH
Testime totale 25918
Raste pozitive 2330
Raste të shëruara 1346
Raste Aktive 931
Humbje jete 53 (Qarku Tiranë 30, Durrës 9, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve, sipas MSH
Tiranë 359
Durrës 180
Shkodër 156
Vlorë 96
Fier 44
Lezhë 31
Korçë 26
Kukës 16
Elbasan 11
Gjirokastër 7
Berat 5