Publicisti Veton Surroi është i mendimit se, me aktakuzën e ngritur ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli po synohet heqja e një vije paralele me krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës. Pikërisht për këtë arsye, ai bën thirrje që kjo çështje të ndahet nga përgjegjësia kolektive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të trajtohet si përgjegjësi individuale. Surroi e konsideron të rëndë faktin se, përveç aktakuzë në deklaratë thuhet se, ka pasur përpjekje për të zhbërë Gjykatën Speciale. Nga ana tjetër dënon publikimin e aktakuzën ende pa u verifikuar nga gjykata.
“Po ta lexojmë me vëmendje do të shohim se janë dy elemente thelbësore. E para kjo deklaratë jepet në kushte jo normale, është një çështje që ende nuk është përmbyllur. Prokuroria doli në sipërfaqe dhe shpalli atë që ishte një padi sekrete që duhet të trajtohet ende nga gjykatësi. E bëri këtë se i rrezikohej funksionimi i gjykatës dhe kjo është një akuzë shumë e rëndë. E dyta pastaj është aktpadia e cila ka rrugën e vet, që duhet të kalojë nëpërmjet verifikimit të gjykatësit të lëndës”, u shpreh publicisti i njohur.
Surroi thekson se, në një kohë kur nuk ka asnjë veprim apo urdhër që implikon UÇK-në në krime ndaj popullsisë civile serbe në Kosovë, po synohet ngritja e akuzave në rang individësh në përpjekje për të hequr paralele mes Serbisë dhe Kosovës, gjë të cilën ai e konsideron një kurth.
“Në Kosovë nuk ka pasur ndonjëherë deklarim apo urdhër nga UÇK apo udhëheqësit për krime ndaj popullatës civile. Për dallim nga shqiptarët, Serbia ka pasur urdhër, veprim, organizim shtetëror për një përpjekje të gjenocidit në Kosovë dhe kemi të dënuar për këtë gjë. Nuk duhet lejuar që të hyjmë në një paralele të tillë, të një ngjashmërie mes Serbisë dhe Kosovës”, deklaroi ai gjatë intervistës në emisionin “Balkan Talks”.
“Gabimi që po bëhet është identifikimi i përgjegjësisë kolektive dhe të gjithë jemi UÇK dhe këto aktakuza do të jenë të drejtuara drejt Kosovë dhe kështu futemi në grackën që dikush ka pasur dëshirë që të na fusë dhe kërkon që të vihemi në të njëjtin rrafsh me Serbinë. Është harruar që kanë ekzistuar dënimet kundër gjeneralëve serb dhe trajtohen si heronj në shoqërinë serbe.
Lufta e UÇK nuk mbështet me fotografi e emblema, lufta në këtë rast juridik, mbështet me ndarjen e përgjegjësisë individuale, të cilitdo që të ketë qenë. Veprimi kolektiv i UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës dhe nuk ekziston as edhe një urdhër se për çlirimin e Kosovës duhet vepruar kundër civilëve apo duhet ekzekutuar, duhet vrarë dhe vjedhur, UÇK ka qenë e kujdesshme në këtë drejtim”, shtoi z. Surroi.
Ai solli në vëmendje dhe procesin ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Hagë, i akuzuar gjithashtu për krime lufte, ku doli në pah se ish-drejtuesi i UÇK-së kishte dhënë urdhër që të mos kishte krime ndaj civilëve.
“Kemi parë në rastin e Haradinajt në Hagë, se ka pasur një urdhër që të mos veprohet ndaj jo ushtarakëve. Në këtë drejtim i ndihmohet UÇK-së nëse themi se drejtësia le të bëjë punën e vet. Në çdo rast nuk ekziston përgjegjësia kolektive e Kosovës, ndërkohë ekziston përgjegjësia kolektive për Serbinë”, tha Surroi.
Sa u takon aludimeve se aktakuza është një sabotim ndaj takimit që do të mbahej në Shtëpinë e Bardhë, Surroi tha se kjo situatë ka ardhur në këtë pikë për gabime të vetë Kosovës.
“Koincidenca mund t’i gjejmë por mos të harrojmë po të kishte funksionuar Kosova si shtet ligjor dhe t’i kishte adresuar të gjithë ato vrasje dhe krime që kanë ndodhur pas luftës, atëherë do të kishim një gjendje tjetër. Por, Kosova për shumë gabime të veta, ka lehtësuar që të krijohen të tilla momente”, tha ish-gazetari.
Sipas Surroi procesi i dialogut ka qenë i dëmshëm për Kosovën, pasi ka është mbajtur jo vetëm nën presionin e Gjykatës Speciale por ka hyrë në bisedime dhe për statusin e saj.
“Nuk mund të zhvillohen paralelisht procesi i dialogut dhe Gjykata Speciale. Prania e Gjykatës Speciale krijon presion dhe objektivisht ndaj Thaçit që u angazhua që të themelohej kjo gjykatë dhe më pas u angazhua që kjo gjykatë të zhbëhej. Leksioni është se nuk mund të ketë paralelisht proces negociator dhe një palë që vihet nën presion, por nuk lidhet fati i Thaçit me fatin e negociatave të Kosovës.
Procesi në Bruksel nuk ka qenë i ngathët por edhe i dëmshëm dhe ndoshta ka qenë nën presionin e Gjykatës Speciale. Nuk ka pse Kosova diskuton në dialog statusin e saj. Kosova ka pasur dhe ka nevojë për të rifilluar bisedime për vendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve të pavarura. Duhet një strukturë legjitime me një bazë sa më të gjerë”, deklaroi publicisti.
Përveç ngecjes së procesit, Surroi tha se, ka një disakordancë të theksuar mes SHBA dhe BE-së. Sipas tij Kosova duhet të tejkalojë këtë situatë të paqëndrueshme politike, ndoshta duke shkuar dhe në zgjedhje, pasi Vuçiç sapo ka fituar zgjedhjet me një mbështetje të madhe.
“Mund të ndodhë që të kemi një aktakuzë të verifikuar dhe nëse kjo ndodh atëherë do të kemi të bëjmë një proces që nuk do të kalojë për disa muaj, por do të marrë disa vjet. Shpresoj që faktori ndërkombëtar të jetë më serioz, pasi nuk ka qenë serioz deri më tani. Nuk ka krijuar një koherencë dhe kornizë për këtë proces, që ka filluar prej 10 vjetësh dhe nuk ka shumë për të treguar si rezultat”, përfundoi ai.