Nga Red Varaku –
Pas spërdredhjeve të Ramës , i cili kishte premtuar se do të largohej për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, SHBA dhe BE janë angazhuar bashkarisht, jo vetëm për largimin e tij si kryeministër me zgjedhje të parakohshme , por dhe për ndëshkimin e tij dhe të trashëgimisë së tij politike.
Këtë fakt sot nuk mund ta mohojë dot më askush!
Largimi i tij nga pushteti dhe asgjësimi i trashëgimisë së tij nga politika është kthyer sot në një lajtmotiv të të gjitha deklaratave të Perëndimit, të cilat në asnjë rast nuk e fshehin më se kush është përgjegjësi dhe shkaktari i të gjitha problemeve në Shqipëri.
Parlamenti Europian, institucioni më i lartë vendim-marrës i BE, votoi në unanimitet të plotë pro 15 kushteve kundër qeverisë shqiptare, që në fakt qëndrojnë si 15 thika mbi kryeministrin e degraduar shqiptar.
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit e bën haptazi përgjegjës për përpjekjet e tij për bllokimin e reformës zgjedhore dhe paralajmëron pasoja për bllokuesit.
Por fatkeqësisht , procesi i “shporrjes” të tij po shoqërohet me një retorikë dhe përpjekje për të prodhuar një konspiracion të madh kundër Perëndimit.
Sulmet e paguara ndaj SHBA dhe sulmet ndaj Bashkimit Europian janë në vetvete një strategji për të paraqitur perëndimin si armik të shqiptarëve dhe kryeministrin shqiptar në viktimë të pafajshme.
Kjo u duk qartë në pjesëmarrjen e Shqipërisë në projektin rus të Jugosllavisë së re, por arriti kulmin në përpjekjen për të fajësuar SHBA -të dhe për t’i shpallur ata armiq, kur edhe midis shqiptarëve filloi të artikulohej dhe pranohej ideja që vendi që çliroi Kosovën po tenton ta përdorë atë për të arritur një “pazar me Rusinë.
Degradim më të madh dhe poshtërsi më të madhe kundër vendit që ka qenë gjithmonë në krah të shqiptarëve nuk ishte dëgjuar kurrë ndër shqiptarë.
Gjithashtu, nga nevoja për të fshehur këtë të vërtetë, çfarë nuk po sajon që njerëzit të shfokusohen dhe të mos i dëgjojnë deklaratat e SHBA dhe BE. Shembja e teatrit , lojërat për ndryshim sistemi, kërcënimet për grisje të reformës, janë të gjitha përpjekje për të fshehur të vërtetën e madhe , e konfliktit të madh që ky njeri ka sot me perëndimin .
Gjithsesi, largimi i Ramës është një proces, i cili në vend të ndajë Shqipërinë nga Perëndimi, do pastrojë politikën shqiptare nga mbetje anti-perëndimore.
Ai do të marrë me vete të gjitha plehrat që ky regjim i ngriti në majë të politikës . Dhe këtë më të qartë se kushdo tjetër, e ka vetë Brukseli dhe SHBA, sepse dënimin e tyre e kanë vendosur në kusht kryesor për integrim.
Ndaj, çdo përpjekje e Ramës për t’i bërë bisht përgjegjësive të tij në raportet e tij me perëndimin, do ta marrë shumë shpejt përgjigjen.
Sigurisht largimi i tij nga politika shqiptare ashtu si asgjësimi i metastazave të një kanceri, nuk do të jetë i lehtë dhe kalon nëpërmjet disa fazave të vështira.
Por, largimi i tij është i sigurtë dhe do të realizohet me çdo kosto, sidomos tani që ka dhe vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit me vulën e Parlamentit Europian