Nga Andi Bejtja
Sot, pas protestës të shoqërisë civile kundra ligjit të importit të mbetjeve, prita që Ambasada Amerikane në Tiranë, të kërkonte falje për deklaratën e djeshme, që qytetarët amerikanë duhet të kishin kujdes, edhe pse nuk kishin informacion, për një protestë të organizuar sipas saj nga opozita. Në deklaratë, (nuk gjej fjalë tjetër përveç një bashkimi leksikor italo-shqiptar), furbërisht ishte cilësuar – protestë kundra “mbetjeve të parrezikshme”-, refren ky i huazuar nga fjalimet e fundit të Kryeministrit. Nga kjo deklaratë, dhe me këtë ngarkesë e ngjyrë që iu dha, ashtu sikurse ndodh, më shumë u lëndua e u zemërua shoqëria civile, intelektualët, një pjesë e mirë e së cilës, mund të kishin duartrokitur dhe vetë Lu-në, kur mbante fjalime prej heroi komunist në prani të tyre për reformën në drejtësi. Kjo deklaratë irritoi më shumë, përveç shoqërisë civile dhe intelektualëve, dhe ato nëna me karrocë me fëmijë që ishin gati një e treta e protestuesve sot. Ndaj, kjo deklaratë sot më shumë se Opozitën, liderët e ndryshëm politikë, apo këdo tjetër, goditi vetë shqiptarët, shqiptarët e thjeshtë, shqiptarët e ndërgjegjshëm, ndaj me plot gojën mund të thuhet se kjo ishte një deklaratë antishqiptare, që as Ambasada Kineze kur Kina Popullore u prish me Shqipërinë komuniste nuk e ka bërë.
Kjo nuk ishte nje deklaratë vetëm kundër shqiptarëve, por dhe një deklaratë kundër vetë Amerikës, politikave të saj, filozofisë së saj, jo një, dy apo dhjetë vjeçare, po kundra një politike të ngritur e të stabilizuar prej 100 vjetësh. Të gjithë e kujtojmë vizitën e fundit të Xhon Kerrit në Shqipëri. E dinim që vinte për të zgjidhur problemin e muxhahedinëve, e pamë që nuk takoi dhe shumë liderë të tjerë që edhe mund t’i takonte edhe mund mos t’i takonte, por nuk harroi të takonte dhe dëgjonte më shumë se këdo shoqërinë civile shqiptare, atë shoqëri që, me të mirat dhe të këqijat e veta, institucionet demokratike amerikane e kanë financuar më shumë se dhe vetë Brukseli dhe në terma financiarë. Takimit të Kerrit me shoqërinë civile jo pa qëllim iu kushtua më shumë se një orë, minutash më i madh se me çdo lider politik. Mesazhi ishte i qartë: Uashingtoni me Tiranën nuk ka thjesht dhe vetëm hallin e muxhahedinëve, por dhe të demokracisë, institucioneve demokratike të saj. Më kujtohet një gazetare që doli nga takimi me Kerrin e cila tha se Kerry nuk përtoi të dëgjonte deri në fund çdo problem tonin. Dhe mesazhi nga vetë goja e Kerrit ishte kuptimplotë: Korrupsioni nuk luftohet vetëm nga politika. Ndërsa sot, ku jemi sot pas mesazhit “furbo” që dha dje Ambasada e Lu-së?. Kanë mbetur vetëm muxhahedinët, të tjerat u shumëzuan me zero madje dhe më keq. U shumëzua me zero jo vetëm kjo vizitë por edhe gjithë investimet amerikane në lekë për shoqërinë civile shqiptare. Ndaj, deklarata e djeshme e Ambasadës së Lu-së, nuk ishte vetëm një deklaratë antishqiptare, por dhe një deklaratë, antiamerikane.
Kam jetuar në Amerikë, kam udhëtuar shpesh, kam miq zyrtarë të rëndësishëm e të parëndësishëm, kam intervistuar kokë më kokë dhe Presidentin Bush dhe cila është gjëja më e çmuar për ta? Qeveri pro Amerikane me hir me pahir mund të gjesh me shumicë, por popuj pro amerikan dhe sidomos në këto dy dekada është vështirë të gjesh. Kjo deklaratë ishte minim dhe i kësaj gjëje të çmuar të rrallë, që ka mbi një shekull që ndërtohet mbi realitete pozitive, pse jo dhe mbi bestytni positive.
Në gjithë këtë background, përveç të tjerave, indirekt kjo është dhe një thikë për fëmijën më të pafajshëm që po lind në Shqipëri, që dhe pse LU do dëshironte të lindte pa konsensus, fatmirësisht, lindi me konsensus 140: reformën në drejtësi. Kushdo pas deklaratës së djeshme të Ambasadës së Lu-së ka të drejtë të paragjykojë më shumë se ndoshta çfarë ka paragjykuar të gjithë lëvizjet e Lu-së dhe Vllahutin.
Shkurt dhe shqip, fatkeqësisht dje u vërtetua se në Tiranë nuk ka më Ambasadë Amerikane po thjesht Ambasada Lu. Realisht dhe faktikisht, dy palët me te cilat Lu është për momentin në konflikt janë shoqëria civile shqiptare dhe opozita shqiptare, dy mekanizmat bazë të funksionimit të demokracisë. Jo pak herë, miku im Fatos Lubonja më ka ngritur shqetësimin se ç’duhet të bëjë shoqëria civile, opozita, intelektualët e këtij vendi kur po duket qartë se si Lu ashtu edhe Ambasadorja Vllahutin e kanë selinë te salla luleve në Kryeministri!? Është një situatë delikate jo vetëm për demokracinë tonë, por edhe për vetë Amerikën, ku lehtësisht ajo për shkak të këtyre veprimeve të Ambasadës Lu, mund të humbasë padrejtësisht dashurinë e një populli që e do verbërisht. Ka vetëm një rrugë: të rilexojmë dhe një herë fije për pe’ mesazhet e Xhon Kerrit, dhe me këto mesazhe në dorë dhe në zemër të shpëtojmë demokracinë tonë dhe t’i rikthejmë Ambasadës Amerikane mbiemrin dhe dinjitetin që meriton./syri.net