Mbrëmjen e sotme Bayern Munich mund të shpallet kampion i Bundesligës për herën e 8-të radhazi. Bavarezët luajnë në orën 20:30 në transfertën e Werder Bremen dhe një fitore do t’i siguronte atyre matematikisht trofeun më të lakmuar në futbollin gjerman.
Kur mbeten edhe 3 javë nga fundi i këtij sezoni në Bundesliga, Bayerni kryeson me 7 pikë më tepër se Borussia e Dortmundit me verdhezinjtë që me shumë gjasa duhet të kënaqen me vendin e dytë.
Për sa i përket ndeshjes së sotme, për Bayern-in do të mungojnë Coutinho, Sule, Tolisso e Thiago Alcantara ndërkohë që vendasit duhet të vuajnë mungesën e mesfushorit Nuri Sahin. Milot Rashica ashtu si zakonisht pritet të jetë titullar në këtë ndeshje dhe do të kërkojë të shënojë sërish ndaj Bayern-it, ashtu siç bëri gjatë ndeshjes së fundit kur këto ekipe u përballën.
Ndërkohë java e 32-të e Bundesligës hapet më herët aty ku në orën 18:30, Borussia Monchegladbach sfidon në shtëpi Wolfsburgun. Vendasit kërkojnë fitoren për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve ndërkohë që Wolfsburgu pozicionohet në vendin e 6-të dhe është në pozita komode për të siguruar kualifikimin në Europa League.